Intervistë me Vasilika Kota, Drejtore e Departamentit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në Bankën e Shqipërisë
Në një intervistë për revistën “Monitor”, Vasilika Kota, Drejtore e Departamentit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në Bankën e Shqipërisë, shprehet se plotësimi i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme po ecën në përputhje me parashikimet e ligjit dhe rregullores. Ajo shpjegon se sasia e kontributit të bankave për vitet në vazhdim do të varet nga vlera e përgjithshme e detyrimeve të sektorit bankar.
Një rritje e totalit të detyrimeve do të sjellë rritje proporcionale të detyrimit për periudhën e mbetur deri në vitin 2027; në të kundërt, rënia e vlerës së pasiveve do të ndikojë në uljen e kontributeve për t’u paguar.
Përveç kontributeve të rregullta vjetore, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mund të financohet edhe nga kontributet e jashtëzakonshme që paguan sektori bankar, në rast se Banka e Shqipërisë vlerëson se mjetet financiare në dispozicion të fondit nuk janë të mjaftueshme, apo dhe nga burime të tjera shtesë si huatë, subvencionet apo donacionet që mund të përdoren në rast nevoje.
Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të ngritjes së Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme? Çfarë përmasash ka arritur ky fond dhe si financohet ai?
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, nga Banka e Shqipërisë, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Krijimi i tij erdhi si kërkesë ligjore, menjëherë pas miratimit të Ligjit nr.133/2016: “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas afatit të përcaktuar në ligj, brenda vitit 2027, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë nivelin e 0.5% të totalit të detyrimeve, të llogaritura si diferenca ndërmjet aktiveve dhe kapitalit të të gjitha bankave të sektorit bankar.
Për këtë qëllim, bankat duhet të paguajnë, në mënyrë të rregullt, kontribute vjetore, të cilat shërbejnë për të plotësuar nivelin e synuar të fondit për vitin 2027. Kontributet vjetore të sektorit bankar shpërndahen në mënyrë përpjesëtimore me peshën e bankës në sektor, në përputhje me periudhën e mbetur për plotësimin e fondit, deri në vitin 2027. Për llogaritjen e nivelit të synuar të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, kontributit vjetor dhe detyrimit përkatës të secilës bankë tregtare, Banka e Shqipërisë ka hartuar metodologjinë përkatëse, si pjesë e kuadrit të saj rregullator, që gjendet e publikuar në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, në rubrikën “Ndërhyrja e jashtëzakonshme”.
Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 6.64 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2021 kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 664 milionë lekë.
Pas mbledhjes së kontributit për vitin e katërt nga sektori bankar, në fund të muajit prill 2021, mjetet financiare të fondit arritën nivelin e 2.668 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në katër vite (2018-2021). Në grafikun në vijim paraqiten në formë skematike kontributet vjetore që kanë derdhur bankat në fond gjatë kësaj periudhe.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave – ASD, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, të miratuar nga Banka e Shqipërisë.
Burimi kryesor i financimit të fondit është kontributi vjetor i paguar nga sektori bankar, si dhe të ardhurat që vijnë nga administrimi i tij nga ASD. Përveç kontributeve të rregullta vjetore, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mund të financohet edhe nga kontributet e jashtëzakonshme që paguan sektori bankar, në rast se Banka e Shqipërisë vlerëson se mjetet financiare në dispozicion të fondit nuk janë të mjaftueshme, apo dhe nga burime të tjera shtesë si huatë, subvencionet apo donacionet që mund të përdoren në rast nevoje.
Sa është afërsisht kontributi vjetor që paguajnë bankat dhe si parashikohet të jetë vlera e kontributit për vitet e ardhshme? A parashikohen rritje apo ulje të vlerës vjetore të kontributit?
Siç u përmend më lart, kontributi vjetor që paguajnë bankat llogaritet duke u mbështetur në metodologjinë e hartuar për këtë qëllim[1] sipas 3 hapave të përmbledhura në vijim:
1.Fillimisht, përllogaritet niveli i synuar i fondit që duhet të plotësohet brenda vitit 2027. Ky nivel është në proporcion me madhësinë e bilancit të sektorit bankar (0.5% të detyrimeve që mbeten pasi zbritet kapitali rregullator). Zhvillimet pozitive në aktivitetin e sektorit bankar, të cilat reflektohen në rritjen e madhësisë së bilancit të tij, rrisin edhe madhësinë e synuar të fondit. Për vitin 2021, niveli i synuar i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme që duhet të plotësohet në vitin 2027 përllogaritet në vlerën 6.64 miliardë lekë.
2.Në hapin e dytë, Banka e Shqipërisë përllogarit sa kontribut duhet të paguajnë bankat për periudhën e mbetur nga viti 2021 deri në vitin 2027, pikërisht për të plotësuar vlerën e 6.64 miliardë lekëve. Viti 2021 përbën kontributin e katërt në fond. Për të përllogaritur vlerën e mbetur për t’u paguar, bëhet diferenca midis nivelit të synuar të fondit prej 6.64 miliardë lekë dhe gjendjes së fondit të vitit paraardhës. Në këtë mënyrë, bankat kontribuojnë gradualisht për plotësimin e fondit, vetëm për pjesën e mbetur të periudhës dhe pjesën e mbetur të vlerës së fondit, nga viti aktual deri në vitin 2027.
3.Në hapin e tretë përllogaritet sa duhet të paguajnë bankat për vitin aktual, për të plotësuar pjesën e mbetur të llogaritur në hapin 2. Niveli vjetor që duhet të paguajnë bankat llogaritet duke e shpërndarë proporcionalisht këtë shumë nga viti 2021 deri në vitin 2027. Së fundi, kontributi vjetor i përllogaritur shpërndahet në mënyrë proporcionale për secilën bankë, në përputhje me peshën e bankës në sistem.
Për vitin 2021, kontributi vjetor i bankave u vlerësua në total rreth 664 milionë lekë dhe u pagua proporcionalisht nga secila bankë. Meqenëse llogaritja e kontributeve për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbështetet mbi bilancet e bankave, konkretisht, detyrimet e tyre të llogaritura si diferencë e aktiveve me kapitalin rregullator, rritja apo ulja e vlerës vjetore të kontributeve të tyre është në varësi të bilancit të bankave, si dhe të strategjive për zhvillim dhe zgjerim të biznesit bankar.
A parashikohet rritje e mëtejshme e fondit pas vitit 2027, kur është parashikuar arritja e objektivit që u vendos në ligj?
Plotësimi i nivelit të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ka një afat ligjor prej 10 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit, përkatësisht në vitin 2027. Në rast se gjatë kësaj periudhe, mjetet financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (FNJ) do të përdoren në vlerë progresive me më tepër se 0,25% të totalit të detyrimeve, të llogaritura si diferenca ndërmjet aktiveve dhe kapitalit të të gjitha bankave të sektorit, Banka e Shqipërisë mund ta zgjasë afatin fillestar të parashikuar, deri në katër vjet.
Në rastin kur pas plotësimit të nivelit të fondit në vitin 2027, mjetet financiare të “Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme” zvogëlohen, atëherë rifillon mbledhja e kontributeve të bankave, derisa të arrihet niveli i synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar.
Nëse mjetet financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme bien nën vlerën e dy të tretave të nivelit të synuar (0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar), Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme cakton kontributin në mënyrë të tillë që niveli i synuar të mund të arrihet brenda gjashtë viteve.
Në çfarë rrethanash mund të përdoret Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe a do të ishte i mjaftueshëm për shpëtimin eventual të bankave? Çfarë burimesh shtesë mund të përdoren në një rast të tillë?
Banka e Shqipërisë harton rregulllisht planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për secilën bankë, ku përcakton instrumentin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme që siguron se, në rast zbatimi të këtij plani, mund të garantohet vazhdimësia e funksioneve kritike të bankës, mund të shmangen pasojat negative për stabilitetin e sistemit financiar, si dhe mund të mbrohen fondet publike, depozitat e siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si dhe fondet dhe aktivet e tjera të klientëve.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë, për disa qëllime në varësi të strategjisë dhe instrumentit të përzgjedhur për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankë.
Ai mund të përdoret për garantimin e aktiveve, ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës – urë, apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; për plotësimin e nevojës për likuiditet të bankës, në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës – urë, apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; për blerjen e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën – urë, apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; për kompensimin e humbjeve të pambuluara, që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; për mbulimin e shpenzimeve për administrimin e fondit etj..
Përveç Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ligji parashikon edhe burime të tjera që mund të përdoren për të zbatuar ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Këtu mund të përfshihet ushtrimi i kompetencave të zhvlerësimit dhe konvertimit të Bankës së Shqipërisë, përmes rikapitalizimit të bankës nga fondet e vetë kreditorëve të saj.
Ky instrument nënkupton se nëse një bankë që vendoset në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, janë aksionerët dhe kreditorët e saj që do të përballojnë të parët humbjet financiare dhe do të sigurojë rikapitalizimin e bankës. Gjithashtu, në raste të veçanta, ligji parashikon dhe përdorimin e fondit të kompensimit të depozitave gjatë kryerjes së ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
[1] Miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në muajin tetor të vitit 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.