Ngrohja pa dru në Korçë, Agjencia për Eficencën e Energjisë hap garën për realizimin e studimit të fizibilitetit 

17/10/2020 10:00 AM 0 komente

Agjencia për Eficencën e Energjisë hapi garën për hartimin e studimit të fizibilitetit të fazës të parë të sistemit të ngrohjes së Korçës, duke përjashtuar lëndën drusore. Në konkluzionet e Agjencisë thuhet se realizimi i këtij projekti redukton jo vetëm emetimin e larta të dioksidit të karbonit për shkak të djegies të druve, por edhe  frenon prerjen e pyjeve për arsye ngrohje. Fondi i vënë në dispozicion për realizmin e studimit të fizibilitetit është në vlerën e 32 mln lekëve. Afati për realizimin e këtij shërbimi është 4 muaj nga lidhja e kontratës.

Agjencia për Efiçencën e Energjisë shpjegon se për realizimin e fizibilitetit do të shoqërohet me një studim të ndikimit në mjedis, duke e shoqëruar dhe me analiza të sakta përsa i përket zënies së tokës, shpronësimeve të mundeshe (nëse ka), ndërhyrjes apo ndërthurjes me ekosistemin e zonës, dhe ndikimeve sociale që sjell ky sistem ngrohje.

Pjesë e studimit të fizibiliteti do të jenë: fotografimet ajrore, hartat; analizimi i informacionit të mbledhur për të gjitha fushat kryesore (mjedisin, gjeologjinë, topografinë); trajtimi i studimit nga pikëpamja teknike (mjedisore, inxhinierike, gjeoteknike, ekonomike); vlerësimi dhe paraqitja e varianteve të ndryshme si dhe hartimi i analizës së kostove dhe përfitimeve për secilin variant.

Duke pasur parasysh që Shqipëria tashmë është pjesë korridorit Trans Adriatik Pipeline, nga Agjencia e Energjisë kërkohet që aplikuesit në propozimet e sjella për studimin e fizibilitetit duhet të marrin në konsideratë këtë mundësi si dhe të shohin mundësi të tjera alternative për prodhimin e energjisë si biomasa, panelet fotovoltaike diellore për prodhim energjie/ujë të ngrohtë sanitar, nga burimet eolike etj.

Sipas të dhënave të agjencisë të Energjisë 58% e konsumit kombëtar të energjisë përdoret nga sektori i ndërtesave. Sektori i banesave zë vendin e dytë në sasinë e konsumit final të energjisë në Shqipëri, pas transportit me një peshe specifike prej 26%.  Në qytetet që i përkasin zonës C (zona e ftohtë e vendit), siç është qyteti i Korçës si dhe në zonat rurale vazhdon konsumi i druve të zjarrit për ngrohje dhe gatim.

Në vitin 2018, rezulton që 92% e druve të zjarrit janë konsumuar në sektorin e banesave, dhe vetëm një pjesë e vogël në sektorin e shërbimeve dhe të industrisë. Nga të dhënat e Agjencisë të Efiçencës të Energjisë përmendet se gjatë vitit 2018 vendi ynë ka importuar dru zjarri për konsum energjie, si dhe për prodhimin e peletave.

“Krahasuar me periudhën e viteve të kaluara, vihet re që struktura e konsumit të druve të zjarrit sipas sektorëve ka ruajtur të njëjtin tipar, atë të përdorimit të tyre në sektorin e banesave. Aktualisht në vendin tonë ka 6 fabrika që prodhojnë peletat të cilat kryesisht i eksportojnë dhe fare pak qëndrojnë tek konsumatorët tanë. Konsumi i druve të zjarrit edhe në vitin 2018 është 162 ktoe (i llogaritur) me një ulje, 2 ktoe krahasuar me vitin 2017“, theksohet në studimin e agjencisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of