Biografia e artistit1934 Lindur në Tiranë1956-61 Student në Akademinë e Pragës (ish Çekosllovaki), dega monumentale dhe e kavaletit.1961-62 Vazhdon vitin e fundit dhe diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë.1962-65 Kryen Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në degën e kantos, duke qënë pegagog i jashtëm në degën e pikturës.1965-67 Caktohet si restaurator i veprave të artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë1967-92 Pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, dega e pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale.1992 Në vazhdim punon si artist i lirë.Piktori Niko PROGRI i përket brezit të artistëve që studjuan në Akademitë e Artit të Lindjes. Akademia e Pragës do të kishte si studentë të saj Ksenofon Dilon (në degën e skenografisë), Thoma Thomain dhe Dhimo Gogollarin (në degën e skulpturës) dhe studentin Niko PROGRI, i cili do të ishte studenti i parë shqiptar në gjysmën e dytë të shek.XX-të, që studjonte në degën e pikturës së kavaletit dhe monumentale (1956-61). Meqenëse Progri nuk arriti të përfundonte vitin e fundit të studimeve në Pragë (për arsye të prishjes së marrëdhënieve shtetërore), ai diplomohet në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1962. Pas studimeve caktohet pedagog i jashtëm në këtë Institut, në degën e pikturës dhe njëkohësisht vazhdon degën e kantos, ku spikat si një tenor me një zë mjaft melodioz dhe të ngrohtë, duke u aktivizuar (pas studimeve) herë pas here në disa role në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Estradës së Shtetit e në koncerte të ndryshme. Piktori PROGRI e filloi dhe e mbylli karrierën e tij në Institutin e Lartë të Arteve si pedagog i pikturës monumentale, duke përgatitur breza artistësh të rinj. Krijimtaria e piktorit Progri si piktor ndahet në dy periudha: Periudha e parë i përket viteve 1967-90, ndërsa periudha e dytë është ajo pasviteve 90 e në vazhdim.Në veprat e krijuara deri në vitet 90, PROGRI ka realizuar disa tablo kompozicionale si Lajmet e mëngjesit (1976, GKA, Tiranë), Çerçiz Topulli, Çlirimi i Tiranës (1982, selia e Kuvendit Popullor), Fitorja (1981, pikturë murale në ambientet e MHK, Tiranë) dhe afreskun me titull Testamenti i Skënderbeut (1982, M.K. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Krujë). Në këto tablo PROGRI është mjaft i kujdesshëm dhe i vëmendshëm në modelimin e figurave, të cilat në përgjithësi janë statike e krijojnë atmosferë monumentale. Tabloja Lajmet e mëngjesit brenda artit të realizmit socialist përmban nota poetike dhe përshkohet nga një dritë e bukur e pikturuar me mjaft korrektësi e realizëm. Afresku i realizuar në Muzeun e Skënderbeut i kalon caqet e një pikture historike tregimtare dhe krijon një tablo monumentale me karakter të fuqishëm dramatik. PROGRI ka qenë pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat dhe konkurset e organizuara nga Ministria e Arsim dhe e Kulturës si dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë kryesisht me peizazhe dhe portrete të njerëzve të thjeshtë. Progri ka realizuar edhe skenografitë dhe kostumografinë e mjaft koncerteve dhe veprimtarive festive të kohës.Pas viteve 90 piktori Niko PROGRI, pasi del në pension, vazhdon të pikturojë e të realizojë kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, të cilat i realizon nga zonat jugore të Shqipërisë. Progri në peizazhet e tij mbetet një piktor realist i plenerit (plain “ air) në vazhdimësi. Në tablotë e tij ndihet dashuria që ai ka për të zbuluar bukuritë e natyrës shqiptare, nëpërmjet një penelate të qetë, pa kontraste, ku mbizotëron një dritë mesdhetare. Elementet që e karakterizojnë pikturën e Niko PROGRIT janë ndër të tjera dhe këndvështrimi interesant i pikturimit të peizazheve nga pika të larta, koloriti i përmbajtur dhe drita e ngrohtë dhe e qetë.Veprat e Progrit që ndodhen në fondet e GKA, Tiranë, janë ekspozuar në ekspozita të organizuara nga shteti shqiptar në Beograd, Algjeri, Athinë, Londër, Romë, Paris, Stamboll, Bukuresht, Pragë etj. Për lexuesin e revistës MONITOR PROGRI ka ofruar për shitje vepra të realizuara që nga viti 1974 (Mali i Borshit). Çmimet e veprave të PROGRIT variojnë nga 800 “ 2000 Euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.