Ngrihen perdet. Në prapaskenë, gjërat duken më të errëta
Pranverën e kaluar, në Palais des Festivals në Kanë, yjet e filmave të veshur me veshje luksoze, u zëvendësuan nga shtretërit e kampeve dhe dushet. Kur Franca hyri në karantinë dhe festa e filmit të qytetit u shty, pastaj u anulua, hapësira luksoze e eventeve u kthye në një vend strehimi për të pastrehët. Festivali i këtij viti, i cili nisi më 6 korrik, do të sjellë sërish magjinë e Hollivudit.
Shfaqjet do të mbahen në ambiente të mbyllura, por me kapacitet të plotë. Yjet do të kalojnë mbi tapetin e kuq (ku të vetmet elemente që do të tregojnë praninë e një pandemie, do të jenë maskat e fytyrës të dizenjuara nga stilistë dhe aroma e dezinfektantëve). Megjithatë, prapa skene, Covid-19 e ka ndryshuar biznesin e filmit njëherë e përgjithmonë.
Pak industri u goditën aq rëndë sa industria e filmit. Në vitin 2020, fitimet globale të box-office ranë me 80%, në 7.9 miliardë dollarë. Sidoqoftë, shfaqja ka vazhduar. Në Kinë, tregu më i madh në botë i kinematografisë, kinematë janë pothuajse po aq të zëna sa në vitin 2019. Megjithëse rihapja e Amerikës ka qenë më e ngadaltë, “F9”, filmi më i fundit i serive “Fast and Furious”, i cili u shfaq më 25 qershor, grumbulloi 70 milionë dollarë, duke shënuar fundjavën më të mirë të hapjes së një filmi që nga viti 2019. Një sërë filmash blockbuster të vonuar, nga Spiderman te James Bond, do t’i joshin audiencat të kthehen gjatë gjithë vitit.
Por jo të gjithë do të kthehen, falë një zgjedhje formatesh që ishte “e paimagjinueshme” para pandemisë, vëren Robert Fishman nga firma kërkimore, Moffett Nathanson. Më parë, filmat kalonin rreth 90 ditë në kinema përpara se të dilnin në DVD ose të transmetoheshin. Covid-19 e theu këtë “dritare teatrale” dhe lista e publikimeve të këtij viti tregon se ajo është thyer njëherë e mirë.
Universal Pictures ka mundësinë ta vendosë filmin “F9” online vetëm 31 ditë pas shfaqjes kinematografike të tij. Filmi i ri “Boss Baby” do mund të shikohet falas në Peacock, platforma transmetuese motër e Universal Pictures, pasi u shfaq në kinema më 2 korrik. Paramount do të mundësojë filmin “Paw Patrol: the Movie” në shërbimin e saj Paramount + muajin e ardhshëm, në të njëjtën ditë kur filmi do të dalë edhe në kinema. Warner Bros ka thënë se të gjithë filmat e tij këtë vit do të transmetohen njëkohësisht edhe në shërbimin e tij Max HBO.
Pesë studiot e mëdha të Hollivudit duket se do të publikojnë rreth 40% më pak filma ekskluzivisht në kinema, sesa para pandemisë, mendon z. Fishman. Nëse studiot do të kishin zbatuar këtë qasje të re në vitin 2019, 17% e faturave të box-office në Amerikë do të ishin gllabëruar nga transmetimet. Për studiot që dëshirojnë të promovojnë platformat e tyre online, ky mund të jetë një çmim që ia vlen barra qiranë. Por për kinematë është një humbje e madhe.
“Ne jemi në një laborator eksperimentimi me box-office”, thotë Paul Dergarabedian, nga firma kërkimore Comscore. Disney, studio më e madhe kinematografike, po eksperimenton më shumë se të tjerat. Muajin e kaluar, kompania dërgoi filmin “Luca”, një animacion i Pixar, drejtpërdrejt për transmetim në platformën Disney +. Në shtator, studio do t’i japë filmit me superheronj, “Shang-Chi”, një periudhë 45-ditore në kinema.
Prova tjetër e madhe ishte më 9 korrik, kur filmi “Black Widow” do të shfaqet njëkohësisht në kinema dhe në Disney + (për një tarifë shtesë), një risi kjo për një film nga Marvel. Audiencat do të jenë në buzë të ndenjëseve. Drejtuesit e studios kinematografike, edhe më tepër.