Kosova edhe këtë vit nuk do të mund t’i plotësoj të gjitha kërkesat për grurë dhe miell. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë mbulimi i kërkesës do të jetë prej 67-70 për qind.
Në Kosovë tash e ditë ka filluar fushata e korrje-shirjeve të grurit.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se sivjet sipërfaqja e të mbjellave me grurë shënon një hapësirë prej gjithsej 67 mijë e 700 hektarë toke.
Krahasuar me vitin 2020, këtë vit sipërfaqja e të mbjellave grurore është për 5 mijë e 700 hektarë më e lartë,
Ndërkohë në vitin 2020, toka e mbjellur me kulturën e grurit përbënte gjithsej 62 hektar toke, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Leonora Arifi, shefe e Divizionit për Komunikim me Publikun në MBPZhR, ka treguar se deri më tani që jemi në prag të fillimit të realizimit të procesit të korrje-shirjeve, gjendja e grunajave në vend është e mirë dhe se orientimisht priten rendimente të kënaqshme dhe brenda mesatares që kemi si vend.
E rendimentet e grurit për këtë vit pritet të jenë mbi 4,000 deri 4,300 kilogram për hektar (kg/ha).
“Nga vizitat e realizuara në terren tek sipërfaqet e mbjella me kulturën e grurit, informacioneve të pranuara nga fermerët, si dhe nga drejtoritë Komunale për Bujqësi, rezulton se tani që jemi në prag të fillimit të realizimit të procesit të korrje-shirjeve gjendja e grunajave është e mirë dhe se orientimisht priten rendimente të kënaqshme dhe brenda mesatares që kemi si vend. Rendimentet për këtë vit pritet të jenë mbi 4,000-4,300 kg/ha”.
Ndërkaq, bazuar në sipërfaqet e mbjella me grurë dhe rendimentit mesatar që pritet të arrihet në nivel vendi, mbulimi i nevojave për sivjet do të jetë prej 67 – 70 për qind, me kushtin që e gjithë kjo sasi e prodhuar të konsumohet vetëm brenda vendit tonë, vlerësojnë nga ministria.
Ndryshe, nga gruri i mbjellë, Kosova deri viteve të fundit ka siguruar vetëm 30 deri 40 për qind të konsumit vendor, ndërsa pjesa tjetër mbulohej gjithmonë nga importi, që kryesisht vinte nga Serbia dhe vendet e rajonit.
Gjatë pesë viteve të fundit Kosova është shquar si vendi që vazhdimisht po i zvogëlon tokat e mbjella me drithëra. Kjo kishte ndodhur si pasojë edhe e kushteve klimatike, më konkretisht thatësisë në vend, po edhe nga politikat joadekuate për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, migrimi dhe çmimi jo i leverdishëm i grurit për fermerët.
Kështu sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë, në vitin 2017 sipërfaqja e mjellur me grurë në gjithë territorin e Kosovës kishte arritur në 80 mijë hektar, më 2018 kishte rënë në 74 mijë hektar, kurse më 2019, kishte pasur një rënie drastike në vetëm 50 mijë hektar.
Mirëpo, sërish gjatë dy viteve të fundit është vërejtur një ngritje deri në 17 mijë hektarë më shumë krahasuar me vitin 2019, saktësisht 62 mijë hektarë janë mbjellë më 2020, dhe mbi 67 mijë hektarë më 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.