Edhe 5 ditë i kanë mbetur kohë të mandatuarit për kryeministër, Albin Kurti për krijimin e qeverisë së Kosovës. Kreu i VV-së saktësisht ka afat deri të martën e javës së ardhshme, 4 shkurt të arrijë marrëveshje me LDK-në, kur duhet ta paraqet para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë, ose në të kundërtën mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit Hashim Thaçit se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdojnë të mos sprapsen nga qëndrimet e tyre për pozitën e kryeparlamentarit, tashmë ka filluar numërimi i orëve mbrapsht për liderin e LVV-së Albin Kurtin.
Kurti, si mandatar për kryeministër, ka vetëm edhe 5 ditë për ta paraqitur përbërjen e kabinetit qeveritar para Kuvendit të Kosovës.
Të martën përfundon afati kushtetues që ka mandatari për kryeministër Albin Kurti ta formojë qeverinë e re të Kosovës ose në të kundërtën mbetet në diskrecionin e presidentit të vendit Hashim Thaçit se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re.
E teksa ditët po kalojnë VV dhe LDK vazhdojnë të mos kenë një marrëveshje bashkëqeverisëse, pasi që cak i dallimeve të tyre vazhdon të jetë pozita e kryeparlamentarit të Kosovës. Kësisoj, në takimin e fundit të Albin Kurtit dhe të Isa Mustafës dy liderët konfirmuan qëndrimet e tyre të palëkundura, por asnjëri nga ta nuk ngriti flamurin e kuq për dështimin e negociatave.
LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të Kuvendit ta mbajë deri në ditën kur Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021, derisa Vetëvendosja mbetet e bindur se kjo pozitë nuk negociohet.
Ndërkohë të mërkurën shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, bëri edhe një herë thirrje për formimin sa më shpejtë të qeverisë së re, me qëllim që sa më parë të plotësohen reformat e përcaktuara nga BE-ja.
Edhe pas takimit i së martes në prani të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, nuk rezultoi me një marrëveshje.
Përfaqësuesit nga shtetet e QUIN-it thanë se “më shumë kemi dëgjuar sa që kemi folur”.
Të gjithë pohuan se ata ishin aty vetëm për t’u informuar për procesin e diskutimeve, e jo për të dhënë këshilla për bërjen e Qeverisë.
Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar para mediave se i qëndrojnë ofertës që ia kanë bërë LVV-së.
“Mbesim të hapur në qoftë se LVV-ja si parti e parë i pranon kërkesat tona. Jemi të gatshëm që në çdo kohë të lidhim marrëveshje”, tha Mustafa.
E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se LDK është duke u treguar këmbëngulëse me versionin e propozuar nga ta, që për të pamundëson një marrëveshje për bashkëqeverisje.
“LDK po shkon me opsionin ‘merre ose lëre’ që do të thotë lëre. Nuk ka marrëveshje me LDK-në sepse ata po shkojnë me versionin e tyre”, është shprehur Kurti.
E kërkesa e LDK-së, që është bërë “mollë sherri” është pozita e Galuk Konjufcës, kryeparlamentar.
Në ofertën e LDK-së kanë kërkuar që ta ketë kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar.
Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Mbetet të shihet në 5 ditët e ardhshme nëse Konjufca do të largohet nga pozita e kryekuvendarit që t’i hapë rrugë bërjes së Kurtit kryeministër, apo ëndrra e këtij të fundit për t’u bërë kryetar qeverie do të shuhet, të paktën në këtë mandat./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.