Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpalli procesin e përzgjedhjes së inspektorëve financiarë publikë të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik.
Urdhri i ministres së Financave, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se afati i aplikimit të kandidatëve për t’u përzgjedhur në listën e inspektorëve financiarë publikë është 40 ditë nga data e hyrjes në fuqi e tij.
Aplikantët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin e qeverisë për procedurat e përzgjedhjes së inspektorëve financiarë publikë, si dhe të dorëzojnë në protokollin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet rrugës postare apo dorazi, dokumentacionin e kërkuar.
Subjekt i inspektimeve financiare publike janë njësitë publike dhe individët, për fondet publike që përdorin, që përfshijnë shoqëritë tregtare, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi eqeverisjes së përgjithshme, ose në të cilën një njësi e qeverisjes së përgjithshme zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep pronarit të drejtën e kontrollit.
Çdo njësi apo individ vetëm për fondet që përfiton nga buxheti i shtetit apo fondet në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare, si dhe fondet publike të Bashkimit Europian dhe të donatorëve të tjerë.
Dokumentacioni për aplikantët:
a) kërkesë me shkrim;
b) fotokopje të kartës së identitetit;
c) adresën e vendbanimit, vendit të punës dhe pikave të kontaktit;
ç) kopje të diplomës, listës së notave dhe një përmbledhje të edukimit, kualifikimeve dhe eksperiencës së punës;
d) një fotografi të përmasave 4 x 6;
dh) kopje të licencave dhe/ose të certifikatave profesionale në fusha dhe profesione të rregulluara me ligj;
e) dëshmi dhe certifikata të trajnimeve dhe kualifikimeve pasuniversitare;
ë) vërtetim nga qendra e punës për funksionin që kryen dhe lejimin, në rast angazhimi, kur aplikanti është punonjës i administratës publike;
f) numrin unik të identifikimit të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, si dhe një kopje të ekstraktit historik, në rast se aplikanti është punonjës jashtë administratës publike;
g) një dokument që vërteton se aplikanti ka plotësuar detyrimet fiskale dhe ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, të lëshuar nga administrata tatimore për tre muajt e fundit në rast se aplikanti është punonjës jashtë administratës publike;
gj) vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore, në rast se aplikanti është punonjës jashtë administratës publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.