Ka nisur sot programi për vaksinimin kundër gripit falas për të gjithë edukatorët dhe arsimtarët në të gjithë vendin. Sasia e dozave është katërfishuar këtë vit.
“U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e rriskuara dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet e rriskuara dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatore dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Duke e konsideruar vaksinimin kundër gripit edhe një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën anti-Covid, Manastirliu tha se Shqipëria është në linjën e parë për ta patur vaksinën kundër Covid-19 sapo ajo të dalë, e cila do të jetë falas për të gjithë qytetarët.
“Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën anti-Covid. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën anti-Covid për grupet e rriskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta patur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”.
Prej muajit shtator ka nisur në të gjithë vendin vaksinimi kundër gripit falas i personelit shëndetësor dhe kategorive të tjera të rrezikuara, duke filluar nga fëmijët 0-5 vjeç, të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, edukatoret dhe arsimtarët, etj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 368 mijë doza vaksinash kundër gripit falas për qytetarët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.