Nisin punimet për zgjerimin e Hotel Tiranës

11/06/2019 1:15 PM 0 komente

Kompania GECI shpk që ka në administrim dhe pronësi hotel Tiranën, nisi këto ditë projektin për zgjerimin e tij me një objekt të ri rreth 30 kate.
Burimet nga kompania pohuan se, objekti do të ndërtohet brenda një periudhe pesë vjeçare, për shkak të vështirësive të punimeve në pjesën e nëntokës. Hoteli i ri do të administrohet nën emrin e Hotel Tiranës dhe jo nën një markë të njohur ndërkombëtare.

Hoteli i ri do të jetë bashkëngjitur në pjesën e pasme të 15 -katëshit sipas vendosjes si në foton bashkëngjitur në pjesën ballore të sheshit Skënderbe. Objekti i ri është konceptuar si shumëfunksional, por kryesisht hotel. Në katet e para të saj do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.

Burimet nga kompania pohuan se planet për zgjerimin e hotel Tiranës kanë qenë të hershme. Përvoja në menaxhimin e hotelit Tiranës dhe kërkesa në rritje për shërbime hotelerie e nxiten kompaninë Geci vite më parë të bëjë investimin e ri. Por që nga ajo kohë tregu i hotelerisë është zgjeruar ndjeshëm në Tiranë sidomos në segmentin e luksit. Vënia në funksion e Hotel Plaza, futja në treg e Hillton vitin e kaluar dhe zhvillimi i shumë kullave në Tiranë që do të ofrojnë shërbime hotelerie do të sjellë konkurrencës në dimensione të ashpra, teksa kërkesa është e orientuar drejt shërbimeve me 3-4 yje të hotelerisë.

Menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbi kapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën nëse investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet e luksit me pesë yje.

Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, e cila sjell një ofertë turistike në rritje, nga e cila nuk mund të përfitojnë edhe hotelet luksoze të Tiranës.

Qeveria para dy vitesh nxiti ndërtimin e hoteleve me 5 yje në emrat ndërkombëtare duke i përjashtuar ato nga taksat. Por aktorët të tregut e kanë konsideruar të pastudiuar këtë nismë, pasi nuk është bazuar në kërkesën që Shqipëria ka për shërbime hotelerie.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of