Sqarimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
Ndryshimet në draftin e ligjit të integruar të mbetjeve, që po shqyrtohen në komisionin parlamentar, nuk e prekin industrinë e riciklimit të plastikës, sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, pasi nuk do të ndalojnë prodhimin dhe përdorimin e të gjithë llojeve të plastikës.
MTM sqaron se drafti për ndryshimin e menaxhuar të mbetjeve është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha procedurat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që i ka mundësuar bizneseve të përshtasin planet në bazë të kuadrit të ri.
Çfarë objektivash synon të arrijë MTM-ja me ridërgimin për miratim në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”?
Nisur nga programi i qeverisë për periudhën 2021-2025, ku një prej objektivave është reduktimi me synim zhdukjen e ambalazhit plastik njëpërdorimësh, u vlerësua që ligji i propozuar në vitin 2020, të vazhdonte diskutimin në komisione parlamentare, për t’u miratuar më pas në Parlament.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, referuar dhe objektivit të sipërpërmendur të përcaktuar në programin e qeverisë, 2021-2025, ka vlerësuar që pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e qeseve plastike, të vlerësojë mundësitë e ndalimit të përdorimit edhe të disa plastikeve të tjera njëpërdorimshme, çka do të sjellë rezultat të dukshëm në uljen e sasisë së mbetjeve të gjeneruara në nivel kombëtar.
Duke qenë se qeset plastike njëpërdorimshme nuk ripërdoren, nuk riciklohen apo rikuperohen, në këtë këndvështrim ndërhyrja e qeverisë zbut efektet negative në mjedis dhe shëndetin e njeriut dhe të kafshëve, të cilat vijnë nga përdorimi pa kriter i plastikës, veçanërisht i qeseve plastike, duke nxitur njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, në përgjithësi dhe në veçanti, zhvillimin e sektorit të turizmit dhe promovimin e përdorimit me efikasitet të burimeve natyrore.
Nëse menaxhimi i integruar i mbetjeve me ndarje në burim do të ishte implementuar në vendin tonë, në nivele siç është në vende të rajonit si Mali i Zi apo Kroacia, a do të ishin këto ndryshime ligjore të domosdoshme për t’u kryer?
Po, pasi reduktimi i plastikës njëpërdorimshe është një sfidë mbarëbotërore, e cila pavarësisht zbatimit të ndarjes së mbetjeve në burim, duhet zbatuar në çdo shtet, nëpërmjet vendosjes së masave në kuadrin ligjor.
A ka ministria juaj pritshmëri dhe siguri se këto ndryshime ligjore të propozuara do të zgjidhin shqetësimet ekzistuese për menaxhimin e mbetjeve në tërësi dhe me rrymën e mbetjeve të plastikës në veçanti?
Plastika është një prej ndotësve kryesorë të mjedisit në tërësi, e cila kërkon vite për t’u asgjësuar, nëse lihet në gjendje të lirë në natyrë. Përpara propozimit të këtij ligji, është kryer një studim, për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse, ku publiku është plotësisht dakord për ndalimin e tyre.
Ndryshimi i këtij ligji adreson shqetësimin kryesor në menaxhimin e mbetjeve, por sfidat e tjera në këtë fushë zgjidhen me zbatimin e masave të planifikuara në dokumentet kryesore, si strategjia dhe masterplani i mbetjeve.
A keni bërë kalkulime me ekspertë të ekonomisë se pasojat ekonomike që mund të sjellin këto masa, mund të rezultojnë disproporcionale me përfitimet mjedisore që mund të arrijmë?
Po është kryer Raporti i Vlerësimit të Ndikimit, ndryshe i quajtur RIA, sipas së cilës është bërë analizë e ndikimit ekonomik, social dhe mjedisor. Kjo nismë ligjore nuk merr përsipër të ndalojë gjithë plastikën, as të ndalojë të gjitha llojet e qeseve, por merr përsipër të ndalojë:
Qese plastike mbajtëse;
Qese të lehta plastike mbajtëse;
Qese shumë e lehtë plastike mbajtëse;
Qese plastike mbajtëse oxo-degradueshme ose oxo-biodegradueshme.
Bizneset që operojnë në këtë fushë, nuk prodhojnë vetëm këto lloje qesesh, por një gamë shumë të gjerë produktesh plastike. Nisma ligjore është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha hallkat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që u ka mundësuar bizneseve të përshtasin planet në bazë të kuadrit të ri.
Referuar relacionit që shoqëron projektligjin thuhet se: Këto ndryshime ligjore nuk përafrojnë asnjë rregullore apo direktivë të BE-së. A keni ju një koment për këtë, pasi vendi po përgatitet të hapë negociata për anëtarësim në BE?
Direktiva europiane ekziston për reduktimin e plastikës njëpërdorimshe, ku qeset plastike janë një prej produkteve të plastikës njëpërdorimshe.
Arsyeja pse nuk është vendosur përafrimi i direktivës europiane në relacionin e këtij ligji, lidhet me propozimin e draft-ligjit, të kryer në vitin 2019, kur direktiva europiane sapo ishte miratuar dhe kishte hyrë në fuqi për shtetet anëtare. Aktualisht Shqipëria është në përputhje të plotë me të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.