Flet Ani Dino, Drejtore Menaxheriale pranë Sinteza Co
Çdo lehtësi që mund t’i jepet sektorit të teknologjisë së informacionit shihet si pozitiv nga lojtarët e tregut, veçse nisma e fundit duket se e ka shumë të kufizuar impaktin. Për drejtoren menaxheriale, Ani Dino, te Sinteza Co, një kompani që operon në këtë fushë prej vitesh në sektor, ndoshta stimuli duhet të ishte shtrirë më tej. Ajo nënvizon se, pikërisht këto lehtësi mund ta kthejnë Shqipërinë në një vend interesant për Investime të Huaja Direkte në këtë fushë, duke ndikuar direkt në ekonomi. Dino nënvizon se ndërhyrja duhet menduar që nga baza e piramidës që nis nga bankat e shkollës dhe kurrikulat që ju ofrohen studentëve që specializohen në degët që lidhen direkt me IT. Përtej gjithë këtyre, potenciali vlerësohet se është i madh,
Në çfarë faze ndodhet sot sektori i IT në Shqipëri?
Duhet të bëjmë diferencim midis Ofertës dhe Kërkesës IT në Shqipëri. Në një kohë që ka operatorë mjaft seriozë në treg, të cilët janë në bashkërendim të plotë me nevojat dhe trendet më të reja botërore të zhvillimeve në IT, kërkesa në Shqipëri nuk është në nivele të kënaqshme (krahasuar me tregjet e rajonit, pasi me ato europiane jemi shumë larg). Kompanitë e vogla dhe të mesme, por edhe ato të mëdha, nuk e shohin ende IT si një sektor/departament strategjik të kompanisë, i cili mund t’u sigurojë atyre avantazh konkurrues në treg dhe prandaj investimet në këtë fushë janë sporadike, ad-hoc dhe shpesh të bëra keq për të minimizuar shpenzimet që lidhen me to.
Nga ana tjetër, edhe në nivel publik (shtetëror) investimet në IT lënë për të dëshiruar, pasi jemi vendi me shpenzimet më të ulëta për frymë në IT në Europë e rajon. Pavarësisht se ndërgjegjësimi i të dy sektorëve (privat dhe publik) ka ardhur duke u rritur në këtë drejtim, tregu vendas aktual mbetet ende i vogël dhw larg potencialeve dhe nevojave të kohës – gjë që e bën konkurrencën mjaft agresive dhe tregun jo shumë tërheqës (edhe për brandet globale të IT)
Qeveria vendosi që të bënte lehtësim në paketën e fundit fiskale duke ulur tatimfitimin në 5% për kompanitë që prodhojnë apo zhvillojnë software. A është e mjaftueshme kjo për të nxitur zhvillimin e një sektori?
Mendoj se çdo nismë për të ulur tatimfitimin dhe për të lehtësuar barrën fiskale për bizneset është pozitive në vetvete, pasi ka shanse më të mëdha për të gjeneruar punësim. Prandaj, nuk është e thënë që kjo të nxisë vetëm kompanitë e huaja. Gjithsesi, prodhimet dhe zhvillimet softuerike janë vetëm një degë e sektorit të IT në tërësi, prandaj kjo masë nuk ka se si të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë zhvillim të gjithë sektorit. Zhvillimi duhet të nisë që nga baza e piramidës, që janë profesionistët e specialistët IT – dhe këtu e kam fjalën tek sistemi i edukimit e kurrikulat e universiteteve. Nëse nuk kemi IT të cilët e kuptojnë rëndësinë e profesionit të tyre, atëherë kërkesat IT në vend do të mbeten në limitet e zgjidhjeve bazike. Pra, puna për të çuar kërkesën e tregut vendas në nivelet e dëshiruara e për t’i dhënë zhvillim sektorit IT duhet të shihet përtej uljes së tatimfitimit për zhvilluesit e software.
Çfarë lehtësish fiskale ose burokratike rekomandoni që mund të garantojnë zhvillim të zinxhirit të vlerës dhe rritje të kompanive që operojnë në IT dhe që mund të kthehen në eksportuese të shërbimeve?
Mendoj se ulja e tatimfitimit për të gjithë sektorin (jo vetëm atë të zhvillimeve software) por edhe e dividentit do të ishte diçka mjaft pozitive, pasi do të ndihmonte si kompanitë vendase ashtu edhe ato të huaja. Për të thithur Investime të Huaja Direkte duhet të jemi më tërheqës se vendet e rajonit dhe pasja e një krahu pune më të lirë, nuk mund të jetë një avantazh konkurrues i qëndrueshëm, pasi do të ishte një fatkeqësi në qoftë se investimet e huaja nuk do të sillnin zhvillim (p.sh. rritje të pagave) por vetëm shfrytëzim të një krahu të lirë pune. Pra, mendoj se barra e lartë fiskale është një minus i madh që kemi në krahasim me vendet e rajonit (p.sh. Mal i Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari etj.), sidomos në këtë sektor që është kaq strategjik për çdo vend. Mbase ulja e TVSH për produkte të caktuara IT (për teknologji të reja Eco Friendly për shembull) mund të nxiste kërkesën gjithashtu.
Si paraqitet situata e eksportit të shërbimeve nga zhvillimi i programeve tek Data Centers dhe Cloud Hosting e me radhë, në dijeninë tuaj, cilat janë sfidat që hasen sot?
Për sa i përket eksportit të shërbimeve dhe zhvillimeve të programeve, tregu shqiptar po bëhet gjithmonë e më tërheqës për modelin “outsourcing”, ku kryesojnë kërkesat dhe kontratat me kompanitë italiane. Kërkesa më e madhe vjen për gjuhë programimi të tilla si: JAVA, .NET Technologies, JS Node, Php/Mysql etj. Siç edhe e përmenda më lart, ulja e tatimfitimit për këtë sektor në masën 5% përbën një shtysë pozitive në këtë drejtim.
Ndërsa për sa i përket Data Center dhe Could Hosting, tregu ynë është ende duke hedhur hapat e parë në këtë aspekt dhe besimi nga kompanitë vendase për të hostuar të dhënat mungon. Ka përpjekje të mira nga kompanitë e mëdha të telekomunikacionit për të ofruar këtë shërbim, por këto përpjekje hasin mosbesimin e tregut. Mosbesim shfaq edhe tregu ndërkombëtar ndaj nesh në këtë aspekt, si pasojë jo vetëm e situatës makroekonomike, por edhe asaj të shërbimit të internetit. Në këtë fushë, mendoj se do të na nevojitet ende kohë për të fituar besim e për të parë dhe për të prekur rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
Cilat janë avantazhet që ka tregu shqiptar mbi të cilat mund të mbështetet rritja dhe zhvillimi?
Mendoj se fakti që jemi një popullsi që konsiderohet nga më të rejat në Europë është një plus i madh për ne, pasi kemi fuqi punëtore që potencialisht është mjaft e vlefshme në sektorin IT. E kam fjalën këtu për të gjithë ata të rinj që kanë lindur dhe janë rritur me akses në teknologji, e që kanë zhvilluar pasionin për të cilët në mos ende – shumë shpejt do të jenë jo vetëm një forcë e vlefshme pune në treg, por edhe në aspektin e sipërmarrjes (Start-up). Gjithashtu, njohja e gjuhëve të huaja nga të rinjtë (italisht, anglisht kryesisht) është një tjetër avantazh. Rinia e miredukuar është motori zhvillues i çdo vendi/kombi.
A kemi kapital të mjaftueshëm njerëzor që të përballojmë kërkesën që ka zhvillimi i këtij sektori?
Patjetër që po. E rëndësishme është që këtë kapital ta edukojmë mirë dhe ta motivojmë vazhdimisht, për të dhënë kontributin e tyre këtu në Shqipëri. Për të arritur këtë, mbase duhet një bashkëpunim më i koordinuar shtet-privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.