Edhe pse janë bërë disa hapa para në funksion të transparencës sërish procesi i konsultimit i palëve (shtet-privat)mbetet i kufizuar.
Ky është konstatimi që ka bërë Këshilli i Investimeve në një dokument që zbardhi të plotë së fundmi dhe që lidhet me gjetjet dhe rekomandimet për procesin e konsultimit publik mes institucioneve dhe biznesit përpara vendimmarrjeve të rëndësishme.
“Cilësia e dialogut publik-privat dhe ndikimi i tij në procesin e vendimmarrjes mbeten të kufizuara, pavarësisht përmirësimit në disa aspekte të monitorimit si edhe përmirësimit të indikatorëve mbi vlerësimin e procesit të konsultimit publik6. Kjo vjen kryesisht për shkak të mangësive në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe institucionale. Jo të gjitha projekt aktet që i nënshtrohen procedurave të konsultimit publik në regjistrin elektronik, janë njoftuar apo publikuar (p.sh., paketa fiskale 2022)” thuhet në dokumentin e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve.
Po kështu theksohet se procesi i njoftimit dhe konsultimit publik nuk ka përfituar në mënyrë thelbësore nga regjistri elektronik si një nga instrumentet e dialogut të strukturuar publik-privat.
“Hapësirat për optimizimin e përdorimit të regjistrit elektronik si instrument dhe konsultimin publik si proces mbeten të mëdha. Edhe pse ka ndërgjegjësim nga palët për kuadrin ligjor, kontributi i komunitetit të biznesit në regjistrin elektronik mbetet i ulët, ndërkohë që ofrimi i komenteve dhe ekspertizës teknike ende bëhet kryesisht përmes postës apo takimeve të drejtpërdrejta” thuhet në publikim.
I njëjti del në përfundimin se mungesa e promovimit të standardizuar të procedurës së njoftimit dhe konsultimit publik kufizon besimin në ndërveprimin transparent ndërmjet palëve.
Në këtë kontekst është rekomanduar që të ketë një rritje të vullnetit të organit publik, angazhimit dhe ndërgjegjësimit të administratës publike për rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit transparent të konsultimit publik gjatë përgatitjes së projekt-akteve.
Nga ana tjetër dokumenti nënvizon se edhe pse ka patur përparim, shoqatat/dhomat e tregtisë duhet të rrisin kapacitetet dhe aftësitë e tyre dhe të punojnë për një standard më të lartë ndërveprimi në proceset e konsultimit të politikave publike të vendit.
“Dhomat e tregtisë/shoqatat e biznesit dhe grupet e interesit duhet të përmirësojnë mekanizmat e presionit pozitiv ndaj institucioneve për më shumë llogaridhënie lidhur me procedurat e konsultimit publik dhe treguesit e performances së tyre. Hapësirat për optimizimin e përdorimit të regjistrit elektronik si instrument dhe konsultimin publik si proces mbeten të mëdha” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.