Shtesa konservuese e kapitalit të bankave tregtare do të rritet me 0.5 pikë përqindje duke filluar nga viti i ardhshëm.
Në fund të muajit mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi zyrtarisht të rrisë nga 1% në 1.5% njërën nga shtesat makroprudenciale të kapitalit që prek të gjitha bankat në vend. Niveli prej 1% i kësaj shtese kishte hyrë në fuqi në fillim të vitit 2021.
Shtesat markoprudenciale të kapitalit i shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 1% ku kufi ka arritur në 13%. Duke filluar nga 1 janari 2022 niveli dysheme i këtij raporti për të gjitha bankat do të rritet në 13.5%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% çdo vit, deri në vitin 2024.
Por, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Këtu përfshihen pesë bankat më të mëdha në vend: Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen, Banka Intesa Sanpaolo, dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera, ndërsa Intesa Sanpaolo dhe OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera. Këto nivele do të qëndrojnë në fuqi edhe për vitin 2022, me përjashtim të BKT, që do të ketë një shtesë të mëtejshme prej 0.5 pikë përqindje. Kjo nënkupton se BKT vitin e ardhshëm duhet të ketë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit të paktën në nivelin 15%, Credins dhe Raiffeisen në nivelin 14.5%, ndërsa Intesa dhe OTP Albania të paktën 14%. Megjithatë, përtej detyrimit rregullator, faktikisht shumica e bankave janë edhe sot sipër kërkesave minimale rregullatore. Në fund të vitit 2020, raporti mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar ishte 18.6%, në nivele pothuajse të njëjta me një vit më parë. Gjithashtu, për të ruajtur kapitalizimin e bankave, Banka e Shqipërisë ka vendosur përkohësisht pezullimin e shpërndarjes së fitimit të vitit 2020 dhe të fitimeve që do të krijohen gjatë këtij viti.
Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019 dhe ato do të aplikohen gradualisht deri ën vitin 2024. Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen. Nga ana tjetër, këto kërkesa mund të kenë ndikim frenues në vendimmarrjen e bankave të veçanta për të rritur kreditimin, por ndoshta mund të ndikojnë edhe çmimin e kredidhënies. Përballë trysninë për të rritur periodikisht kapitalizimin e tyre, bankat mund të priren të rritin marzhet, për të siguruar një përfitueshmëri më të lartë./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.