Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, industria e transportit detar përbën rreth 3% të emetimeve globale të gazeve serrë të prodhuara nga njeriu.
Vitin e kaluar, kompania norvegjeze e lundrimit Hurtigruten vendosi një objektiv ambicioz: Deri në fund të dekadës, do të fillonte të lundronte me një anije kroçerë me emetime zero.
Ekipi pa se objektivat klimatikë të disa kompanive ishin “shumë larg në kohë dhe shumë të paqarta, – thotë Hedda Felin, CEO i Hurtigruten Norway. – Ne donim t’i bënim gjërat ndryshe”. Ata kuptuan sfidat e mëdha klimatike me të cilat përballet industria e transportit detar, e cila është përgjegjëse për rreth 3% të emetimeve totale.
Pas një studimi të detajuar të asaj që mund të ishte teknologjikisht e mundur, ata vendosën një objektiv konkret për ndërtimin e anijes brenda vitit 2030.
Duke qenë se ndërtimi do të duhet të nisë brenda vitit 2027, kanë mbetur vetëm pak vite për të realizuar dhe për të testuar disa elemente që nuk janë përdorur kurrë më parë. Me shumë gjasa do të jetë e para anije kroçerë në botë me emetime zero.
Në bord, sipas projektit të zbuluar nga kompania, tre “wing rigs”, ose vela të projektuara posaçërisht, mund të kapin si energjinë e erës dhe atë diellore. Velat mund të palosen, në mënyrë që anija të kalojë poshtë urave, duke ndjekur të njëjtin kurs të kompanisë për më shumë se një shekull.
Kur kushtet e erës apo diellit janë të favorshme, ato ngrihen automatikisht, duke u shtrirë deri në 49 metra lartësi. (Në verë, nën diellin e mesnatës në Norvegji, panelet diellore mund të gjenerojnë energji të vazhdueshme).
Energjia e erës dhe ajo diellore do të ndihmojë në rikarikimin e baterive të mëdha që mund të lidhen me energjinë e rinovueshme kur anija të ndalë në disa porte.
Duke qenë se anija lundron përgjatë brigjeve të Norvegjisë me ndalesa të shpeshta, mund të përdoren bateritë. Në një udhëtim transoqeanik, bateritë duhet të jenë aq të mëdha sa nuk do të kishte kuptim. Bateritë që do të përdorë kompania nuk ekzistojnë ende.
Hurtigruten po bashkëpunon me disa partnerë, mes të cilëve një zhvillues baterish për të realizuar gjithçka. Anija, e gjatë 135 metra, është projektuar që të kursejë sa më shumë energji të jetë e mundur.
Forma është e thjeshtë për ta bërë atë aerodinamike. Edhe “Lubrifikimi i ajrit”, një sistem që mbulon pjesën e poshtme të anijes me flluska të vogla, do ta ndihmojë gjithashtu në reduktimin e fërkimit.
Një sistem i përmirësuar i helikave pritet të ndihmojë në kursimin e 5-10% të energjisë së anijes. Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë në ndryshimin e kursit për të arritur efikasitet maksimal.
Një aplikacion do t’u japë vizitorëve informacion të përdorimit të tyre të energjisë, duke i nxitur të kursejnë më shumë.
Disa nga këto funksione janë në përdorim te disa anije të tjera, por “ne donim t’i çonim në një nivel tjetër dhe t’i përmirësonim” – tha Gerry Larsson-Fedde, zv.president i operacioneve detare të kompanisë.
Larsson-Fedde thekson se projekti i Hurtigruten Norway do të ketë një motor rezervë për arsye sigurie, por do të funksionojë me karburante ekologjike, si amoniaku, metanoli apo biokarburante.
Gjatë dy viteve të ardhshme, kompania do të punojë me partnerë për kërkimin dhe zhvillimin dhe do të testojë nëse gjithçka do të funksionojë siç pritet.
Më pas do të fillojë ndërtimi i anijes. Kompania po punon ndërkohë me autoritetet rregullatore për të marrë miratimin për disa nga teknologjitë e reja që po përfshin. Me kalimin e kohës, ata planifikojnë përmirësimin e shtatë anijeve të tjera, për të krijuar një flotë me emetime zero.
Ata gjithashtu shpresojnë të nxisin kompani të tjera të lëvizin më shpejt. “Ne varemi nga oqeani dhe mjedisi. Ky është produkti ynë – oqeane të pastër, porte të pastër, furnitorë lokalë – thotë Felin. Duam të jemi lider në qëndrueshmëri, pasi besojmë se industria jonë është shumë e ngadaltë dhe jo mjaftueshëm ambicioze”.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), organi i OKB-së që rregullon transportin global, industria e transportit detar përbën rreth 3% të emetimeve globale të gazeve serrë të prodhuara nga njeriu.
Në vitin 2018, IMO prezantoi objektivin për të reduktuar emetimet e gazeve serrë të industrisë me të paktën gjysmën deri në vitin 2050.
/ Fast Company