Prapa kuintave, Gjermania pohon qetësisht influencën e saj në Bruksel
Thuhet shpesh se Bashkimi Europian ka tentuar gjatë të fshehë si dobësinë franceze, ashtu edhe forcën gjermane. Ai e ka ekzagjeruar rendjen e paturpshme të Francës pas interesave të saj kombëtare dhe ka lejuar Gjermaninë të pretendojë se nuk kishte asnjë interes të tillë. Por kriza e euros e ka zhvendosur fuqinë vendosmërisht drejt Gjermanisë së Angela Merkel, duke “shpërbërë” iluzionin. Alokimi i fundit i pozicioneve kryesore të punës mund ta ketë vrarë atë.
Kjo nuk është e dukshme në pamje të parë. Asnjë gjerman nuk ka siguruar një post të rëndësishëm (përveç Martin Schulz, i cili mban detyrën e presidentit të Parlamentit Europian). Së fundmi, Jean-Claude Juncker, presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian, u shpërndau detyra të ndryshme individëve të emëruar nga qeveritë e tyre nacionale. Gjermani Günther Oettinger u vu në krye të “ekonomisë dixhitale dhe shoqërisë”: një portofol fare i papërfillshëm për një burrë nga anëtari më i madh dhe më i pasur i klubit (edhe pse, natyrisht, z. Juncker këmbëngul se komisionerët i lënë pasaportat e tyre në derë). Puna e z. Oettinger do të mbikëqyret gjithashtu nga një zëvendëspresident Andrus Ansip, nga Estonia e vogël.
Por ndikimi gjerman mund të zbulohet në forma më të “fshehta”. Shembulli më i mirë është komisioneri i Ekonomisë dhe Çështjeve Financiare. Që kur shpërtheu, kriza e euros i ka takuar këtij personi të veprojë si një roje fiskale, duke iu kundërvënë vendeve të Eurozonës, të cilat nuk arrijnë të respektojnë angazhimet e tyre buxhetore. Puna është kryer me entuziazëm nga dy finlandezë të ashpër që kanë mbajtur postin që nga viti 2010, duke vepruar, thotë një zyrtar, “si gjermanë surrogatë”.
Këtë vit, qeveria franceze, e cila i kundërshton masat shtrënguese, ka lobuar shumë për të siguruar postin për Pierr Moskoviçi, i cili shërbeu si ministër i Financave të Francës mes viteve 2012 dhe 2014. Zonja Merkel ishte e tronditur nga ideja e ngarkimit me përgjegjësi të “dhelprës për të vëzhguar pulat”. Por, pas shumë përpjekjesh, z. Moskoviçi e mori këtë detyrë, vetëm për të zbuluar se puna e tij do të mbikëqyret nga dy nënkryetarë agresivë, duke përfshirë një prej paraardhësve të tij finlandezë, Jyrki Katainen.
Z. Moskoviçi shkon mirë me z. Juncker, dhe mbetet vetëm për t’u parë nëse struktura e re do të funksionojë. Por ai do të duhet të tregohet dinak në qoftë se kërkon të veprojë në mënyrë të pavarur. Prova e parë do të vijë nga vetë vendi i tij, teksa z. Juncker tha Franca do të dështojë të përmbushë objektivat e deficitit të buxhetit, mbi të cilat kishte rënë dakord me komisionin.
Z. Juncker, i cili është kritikuar shumë, e bëri të qartë së fundmi se ai do të jetë njeriu i tij. Emërimet e tij përmbanin disa surpriza. Duke u zotuar për ta “shkundur mirë situatën”, ai zbuloi një strukturë të re që gati eliminon imagjinatën se 28 komisionerët (dhe vendet) janë të barabartë.
Shtatë zëvendëspresidentëve u janë akorduar role të ndërlidhura për të siguruar koordinimin e politikave: Një, Frans Timmermans i Holandës, do të jetë një ndër ‘primus pares’ (i pari mes të barabartëve), i ngarkuar edhe për të siguruar që komisioni nuk përzihet në çështjet e qeverive kombëtare. Jo të gjitha ndryshimet e z. Juncker do t’i pëlqejnë zonjës Merkel.
Dhe sërish pamja e gjerë që shfaqet është një Gjermani miqësore. Komisioni ka një anim më shumë liberal të dukshëm se sa paraardhësit e tij të fundit, me nordikët, në krye të portofolave të tillë të rëndësishëm si tregtia dhe konkurrenca.
Ndër të tjera, vendimi për të vënë Jonathan Hill, komisionerin britanik, në krye të shërbimeve financiare, i ka zemëruar bankierët entuziastë në Parlamentin Europian. Por, kjo do të frenonte eliminimin e ngadaltë të reaksioneve zinxhirë të Eurozonës, dhe duhet të forcojë pozitën e atyre që dëshirojnë “strehim” me BE dhe jo ndarjen prej saj në qeverinë britanike. Të dy skenarët do t’i pëlqenin zonjës Merkel.
Gjermanët kanë ecur mirë edhe në vende të tjera. Në Samitin e BE-së më 30 gusht, Donald Tusk, Kryeministri i Polonisë dhe një aleat i fortë i znj. Merkel, u emërua si president i Këshillit Europian. (Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, por jo frëngjisht). Emërimi, në të njëjtin takim, e Federica Mogherini-t, ministrja e Jashtme pa përvojë e Italisë, si përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme nuk përbën asnjë kërcënim real për interesat gjermane.
Zonja Merkel ndihmoi organizimin e zgjedhjes së Luis de Guindos, ministri i Reformimit të Financave dhe Reduktimit të Deficitit, si kryetar i Eurogrupit, ku takohen ministrat e Financave nga vendet e euros.
Ndoshta më efektivisht, gjermanët kanë fituar një kuptim më të mirë të profilit të ulët, përveç pozicioneve të larta në të cilat specializohet Brukseli. Brenda Parlamentit Europian gjithnjë e më agresiv, sekretari i përgjithshëm, Klaus Welle, një njeri i cili ka pasion kostumet e shtrenjta, është shfaqur si një figurë e fuqishme.
Ashtu si Martin Selmajr, shefi i skemës së stafit të zotit Juncker, ai i përket partisë Christian Democratic Union (CDU) të zonjës Merkel. Sipas disa llogarive, një nga detyrat më të vështira për ekipin e z. Juncker ishte të siguronte që anëtarëve të CDU ose aleatëve të tij do t’i jepnin një numër të mjaftueshëm postesh.
Zonja Merkel shpesh është ndihmuar nga hapat e gabuar të vendeve të tjera të mëdha të Europës. Figura aspak popullore e François Hollande në Francë ka përshpejtuar rënien e ndikimit francez në Bruksel, edhe pse ajo ka filluar shumë kohë përpara se ai të merrte detyrën. Britania, që drejtohet nga një Kryeministër euroskeptik, partia e të cilit luan me idenë e largimit nga BE, është një zë edhe më i dobët. Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka shpenzuar sasi të mëdha të kapitalit politik (dhe ka irrituar shumë kolegë) për të siguruar postin e Mogherini-t, jo me ndonjë avantazh të dukshëm për italianët.
Zgjidhni betejat tuaja
Jo çdo betejë do të fitohet brenda një burokracie komplekse prej 28 vendesh dhe të gjithë tipe të ‘okultit’ institucional. Por, diplomacia gjermane në Europë udhëhiqet nga një shqetësim parësor: të ruajë linjën fiskale përkundrejt thirrjeve për një qasje më të gjerë. Pëshpëritjet e opozitës ndaj tij po rriten në gjithë kontinentin. Nëse Franca apo Italia bëhen ndonjëherë serioze në lidhje me reformat strukturore, bilanci i opinionit mund të kthehet kundër zonjës Merkel. Por, pas zhvillimeve të javëve të fundit, ajo do ta gjejë më së fundi makinerinë e Brukselit më miqësore se kurrë.