Nga Baku, lista e re e UNESCO-s. Identifikimi, mbrojtja dhe përcjellja te brezat e ardhshëm e pasurisë kulturore dhe natyrore nga e gjithë bota janë ndër misionet kryesore të UNESCO-s
Çdo vit, Organizata e Kombeve të Bashkuara, vendos se cilat site do të hyjnë në pasurinë botërore. Sesioni i 43-të i World Heritage Committee i UNESCO-s u zhvillua në Azerbajxhan, në Baku. 10 ditë mbledhjesh dhe takimesh gjatë të cilave anëtarët e Komitetit dhe ekspertët diskutuan se cilat zona dhe monumente do të ruajnë, duke hartuar më pas një listë të re.
Qyteti i vjetër, me rrugët e tij të ngushta, Pallati i Shirvanshah, Maiden Tower, që daton në shekullin XII, janë të gjithë sitet e klasifikuara si Pasuri Botërore e UNESCO-s. Ju do të pyesni se cilat janë kriteret që merren në analizë për të hyrë në këtë listë të famshme?
VENDET E REJA TË MBROJTURA NGA UNESCO
Më shumë se 2.500 delegatë, anëtarë të Komisionit dhe ekspertë morën pjesë në mbledhjen e përvitshme, për të vendosur se cilat site do të mbrojnë. Sipas Mechtild Rössler, drejtuese e World Heritage Centre, Konventa e Trashëgimisë Botërore është një akt ligjor, i nënshkruar nga 193 vende. “Kështu që vetë vendi mund të paraqesë sitin që do të analizohet gjatë sesionit. Në disa raste, komunitetet lokale, OJF, shoqatat apo shoqëria civile bëhen nxitje për propozimin e një vendi. Kriteri më i rëndësishëm është që një vend duhet të ketë vërtet një vlerë universale të jashtëzakonshme”.
Këtë vit, sitet e reja të përfshira në listë janë 29 nga 37. Vlerë e shtuar: karakteristika kulturore të veçanta dhe vlera mjedisore. (https://whc.unesco.org/en/newproperties/)
Ndër to është zona e Babilonisë së lashtë në Irak, që ishte një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë dhe kryeqytet i perandorisë neo-babilonase. Përfshirja në këtë listë ka avantazhe të konsiderueshme: përfitime turistike, famë, por edhe detyrime për shtetet, përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve.
“Duhet të ndjekim gjithë procedurat e diktuara nga komuniteti ndërkombëtar për të përmirësuar gjendjen e një monumenti apo një zonë, për t’i mbrojtur më shumë ato. Po ashtu edhe qeveria, vetë shteti, ministrat, cilido vend që kandidon për sitet e veta, duhet të garantojnë se bëjnë më të mirën për të ruajtur pasurinë që dëshirojnë të përfshihet në këtë listë” – thekson Abulfas Garayev, ministër i Kulturës i Republikës së Azerbajxhanit.
SITE UNIKE DHE SITE NË RREZIK
Ky është një studim i kujdesshëm për ekspertët, që duhet të vlerësojnë se cilat janë zonat dhe monumentet që duhet të mbrojnë. Pascall Taruvinga është aktualisht Drejtor i Pasurisë së Ishullit Robben Island në Afrikën e Jugut. Ai, bashkë me kolegët e tij, ka zbuluar Gobustán në Detin Kaspik. Një pasuri natyrore, me 6000 gravura, që janë cilësuar si pasuri e njerëzimit. Një nga sfidat është mbrojtja e kësaj zone nga ndryshimet klimatike.
“Duke qenë një ishull, duhet të marrim në konsideratë ndikimin e ndryshimeve klimatike. Natyrisht kemi një sistem ekologjik në mbështetje të punës në ishull. Çdo ndryshim gradual mund të ndikojë në të gjithë habitatin dhe natyrisht në jetën e kafshëve të egra në ishull. Ne duhet të punojmë shumë për mbrojtjen, gjë që është shumë e kushtueshme”.
NGA BAKU NË SANAA, NGA IRAKU NË AFRIKËN E JUGUT: PASURITË PËR T’U MBROJTUR
Ndryshimet klimatike, planet për modernizimin e një zone apo luftërat… si këtu në Sanaa, kryeqyteti i Jemenit. Të gjithë këta faktorë mund të jenë vendimtare për të hyrë në listën e pasurisë në rrezik. Këtë vit, Komiteti i UNESCO-s analizoi 53 site që rrezikohen në të gjithë botën. (https://whc.unesco.org/en/danger/).
Përfshirja në këtë listë mund të jetë një fije shprese për një vend, trashëgimi kulturore. Lista është përfshirë në Konventat e Trashëgimisë Botërore. Ky është një instrument për të ndihmuar këto vende për të marrë më shumë fonde ndërkombëtare, për t’i dhënë vetëdije më të madhe për kërcënimet që u kanosen këtyre siteve.
Është një ndihmë dhe mbështetje për pasurinë që duhet mbrojtur dhe jo një listë e zezë. Eugene Jo, koordinator i programit “ICCROM” nënvizon se ekziston një program specifik i quajtur “First Aid” (Ndihma e Parë) për pasurinë kulturore në rrezik. Kjo u jep mundësinë drejtuesve të siteve të kuptojnë se si të veprojnë menjëherë, si duhet të sillen përballë çdo lloj kërcënimi kur ndodh.
Aktualisht në Listën Botërore të Trashëgimisë së Botërore përfshihen më shumë se një mijë site. Mbledhja e ardhshme e Komitetit të Pasurisë Botërore do të zhvillohet në vitin 2020 në Fuzhou, Kinë.
Burimi: Euronews