“Një dele për vetëm 18 £”: si eksportet e gjësë së gjallë po dëmtojnë fermerët rumunë

07/02/2020 10:03 PM 0 komente

Mungesa e mjediseve të përpunimit të mishit në Rumani do të thotë që bagëtitë duhet të dërgohen në tregjet ndërkombëtare, me një kosto të lartë si për barinjtë, ashtu edhe për mirëqenien.

Gheorghe Dănulețiu, i njohur gjithashtu si Ghiță Ciobanul (bariu Ghiță), ka më shumë se 500 000 ndjekës në Facebook, pasi ai doli në një fushatë reklamuese, e cila u bë virale. E megjithatë, ai vazhdon të bëjë ende jetën modeste të një bariu të zakonshëm, shkruan “The Guardian”. Duke u kujdesur për 1 500 krerë delesh në Rumaninë Perëndimore, jeta e Dănulețiut ndryshon sipas stinëve të vitit.

Gjatë pranverës, ai fle më pak se katër orë gjatë natës, ndërsa gjatë dimrit ai i zbret delet e tij nga malet për t’i kullotur në luginat e poshtme, një udhëtim ky që zgjat tre deri në katër javë.
“Unë u bëra bari, pasi edhe im atë ka qenë i tillë (ai ka pasur diku tek 100 krerë dele) dhe ai ma trashëgoi mua një gjë të tillë, por edhe unë vetë i dua kafshët”, shprehet Dănulețiu.

Sidoqoftë, si të gjithë barinjtë e tjerë rumunë me kope të vogla dhe të mesme, Dănulețiu është duke luftuar në një treg që po mbizotërohet nga disa eksportues të kafshëve të gjalla, fermerë të mëdhenj dhe hipermarkete.
“Tregtia e deleve në ditët e sotme nuk mund të quhet tregti sepse ne e shesim një dele për vetëm 100 lei rumune (rreth 18 £). Me një kosto të tillë, unë nuk arrij dot t’u jap rroga të mira punëtorëve të mi dhe si rrjedhojë mbetem pa punëtorë. Të rinjtë sidomos nuk pranojnë kurrë të punojnë me rroga shumë të ulëta, dhe nga dita në ditë ata po binden se gjithçka po shkon drejt tatëpjetës. Kam përshtypjen se e gjithë kjo është një qasje e gabuar politike, e cila po ndikon në shkatërrimin e këtij sektori”, vazhdoi më tej Dănulețiu.

Eksporti i gjësë së gjallë është shndërruar në një industri vendimtare për Rumaninë. Por në nëntor, e gjithë bota pa tmerr me sy, teksa më shumë se 14 000 dele u mbytën në portin e Detit të Zi të Midias, gjatë transportit të tyre për në Arabinë Saudite.

Deri në atë moment shumë pak njerëz ishin në dijeni të shkallës së tregtisë të eksportit të gjësë së gjallë.
Në fakt në vitin 2018, Rumania eksportoi bagëti me vlerë rreth 357 milionë euro (305 milionë paund), duke u shndërruar kështu në eksportuesin më të madh të bagëtive në Europë dhe në eksportuesin e dhjetë më të madh të bagëtive në botë. Marrëveshja aktuale daton që nga rënia e regjimit të Nicolae Ceaușescu në fund të viteve 1980, kur kompanitë e Lindjes së Mesme filluan të marrin përsipër tregun e eksportit të gjësë së gjallë në Rumani.
Deri në vitet 2000, eksportet e gjësë së gjallë, kryesisht shkonin drejt tregjeve të Europës Jugore, si Greqia dhe Kroacia, por në vitet 2010, Jordania, Libia, Libani dhe Izraeli u shndërruan gjithashtu në tregje shumë të rëndësishme.

Rumania ka mungesë të theksuar thertoresh dhe fabrikash për të përpunuar mishin. Edhe pse ajo ka marrë subvencione në vlerë totale rreth 26 miliardë euro që nga hyrja e saj në BE në 2007, ato janë përdorur kryesisht në drejtim të prodhimit dhe jo në ndërtimin e sistemeve të përpunimit të mishit, për të cilat vendi ka nevojë urgjente.
Pra, pavarësisht numrit të lartë të bagëtive që ajo eksporton, Rumanisë i duhet të importojë mish dhe produkte të tjera të përpunuara të mishit.

Ashtu si shumica e barinjve të deleve dhe të dhive në Rumani, edhe Dănulețiu nuk ka mundësi tjetër përveçse t’i shesë kafshët e tij në qendrat private të grumbullimit, kundrejt vlerës qesharake prej vetëm 18 £ për kokë.
“Ndërsa firmat e eksportit i shesin këto kafshë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut rreth 10 herë më shumë se çmimi prej 18 £ që ua blejnë barinjve rumunë, megjithëse “çmimet e bagëtive ndryshojnë njësoj si çmimet e aksioneve””, shprehet një biznesmen libanez në një nga eksportuesit më të mëdhenj bujqësorë në Rumani. Barinjtë dhe fermerët po përballen me një situatë shumë të vështirë, vazhdon ai më tej.

Pavarësisht historikut dhe rrënjëve të thella të barinjve në Rumani, kafshë të tilla si qengjat konsumohen vetëm për Pashkë. Për më tepër, shumica e deleve janë të një race të përzier, ku një pjesë mbahen vetëm për qumësht, dhe rrjedhimisht mishi i tyre është më pak i preferuar në tregun europian. Sigurimi i lehtësirave të nevojshme për barinjtë apo fermerët në vendet e origjinës, mbetet një pikë shumë e rëndësishme”, thotë Gabriel Paun nga Animals International.

Z. Paun, zyrat e të cilit janë edhe në Rumani, është marrë me hetimin e eksportit të gjësë së gjallë nga Rumania në vendet e Lindjes së Mesme, dhe ai tregon shembuj konkretë për mënyrat e tmerrshme me të cilat këto kafshë të gjalla transportohen në këto vende me temperatura tejet të larta dhe që më pas theren në kushte aspak brenda normave.
Dhjetorin e kaluar, Bashkimi Europian bëri thirrje për një përditësim të legjislacionit aktual për transportin e kafshëve në distanca të gjata, si dhe diskutoi në lidhje me qëndrueshmërinë e transportit të gjësë së gjallë kundrejt tregtisë së mishit.

Rregulloret aktuale të BE-së që datojnë nga 2005-a i bëjnë përgjegjëse vendet e BE-së për kafshët e eksportuara vetëm brenda territorit të BE-së, dhe jo deri sa ato të arrijnë në destinacionin e tyre përfundimtar. Qeveria rumune ka thirrur një komision bujqësor për të hartuar një ligj të ri në lidhje me eksportet e gjësë së gjallë, gjë që do ta bënte Rumaninë përgjegjëse për gjendjen e kafshëve jo vetëm deri në pikën e eksportit, por gjatë gjithë rrugëtimit të kafshëve për në destinacionin e tyre përfundimtar.

Nëse miratohet, ky ligj do të ishte i pari për BE-në. Ligji i ri gjithashtu do ta bënte të detyrueshëm faktin që
anijet që merren me transportimin e bagëtive të kishin një veteriner në bord. Duke marrë shembull nga korniza ligjore për thertoret në Mbretërinë e Bashkuar, disa anëtarë të komisionit sugjeruan kamera vëzhguese (CCTV) për monitorimin e kafshëve gjatë gjithë rrugëtimit të tyre, deri sa ato të arrijnë në destinacionin përfundimtar.
Për fermerët, të cilët po përballen me kushte shumë të vështira, me paga të ulëta, si edhe me korrupsionin në lidhje me subvencionet e BE-së dhe me problematikat e shumta në lidhje me pronësinë e tokës, ndryshimet e lartpërmendura mund të ndikojnë që ata të vazhdojnë punën në fermat e tyre dhe të mos i braktisin ato duke emigruar në vende të tjera.

“Elitat ekonomike dhe politike që ndjekin interesat e tyre egoiste, dalëngadalë po arrijnë të shkatërrojnë një thesar kombëtar”, shprehet në mënyrë shumë pesimiste bariu Dănulețiu.
“Unë jam patriot dhe si i tillë do të vazhdoj të qëndroj këtu me shpresën se diçka do të ndryshojë për më mirë në këtë vend. Por nëse jo, atëherë unë dhe shumë të tjerë si puna ime jemi të detyruar të emigrojmë në Londër, nuk do të na mbetej rrugë tjetër”, përfundon ai.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of