Më në fund keni arritur të vini ca para mënjanë, për t’i përdorur për ndonjë shpenzim të papritur, blerje të mundshme etj. Nuk e dini se çfarë ju ofrojnë bankat?
Jeni shumë të zënë dhe nuk keni kohë për të rendur nga njëra bankë te tjetra? Atëherë, ne ju vijmë në ndihmë
Nga Elona Bedalli
Tregu bankar është i mbushur me oferta, përqindje të ndryshme interesi dhe afate. Madje ka edhe banka që ju bëjnë dhurata kur depozitoni shuma të caktuara parash.
Por, në fillim, duhet të qartësoni disa gjëra. Për çfarë periudhe kohore do t’i mbyllni paratë tuaja? Parimi është sa më gjatë t’i lini paratë në bankë, aq më e lartë është përqindja e interesit, përfitimi.
Nëse do të keni nevojë të tërhiqni ndonjë shumë, bëni kujdes, pasi në rast se do t’i tërhiqni paratë përpara afatit, ju do të humbisni interesat. Për të mos prishur kontratën me bankën, depozitën,
ndoshta mund të lini një pjesë të parave në një llogari rrjedhëse, në mënyrë që të keni akses të menjëhershëm.
Cila është monedha që ju leverdis më shumë? Normat e interesit në lekë për depozitat me afat janë natyrisht më të larta se sa në euro apo dollarë. Shifrat ndryshojnë, në varësi të shumës që do të depozitoni dhe afatit të maturimit.
Si e llogarisin bankat interesin
Bankat kanë një formulë të përcaktuar për të llogaritur normën e interesit që është: shuma e depozitës * normën e interesit * numrin e ditëve, e gjitha kjo pjesëtuar për 365 ditë.
Po ju sugjerojmë disa pyetje, të cilat mund t’ua bëni punonjësve të bankës kur do të shkoni për të depozituar kursimet tuaja.
Sa ditë kalendarike viti, llogarit banka për interesin? Pjesa më e madhe e bankave llogarit 365 (366), por ka disa që llogarisin 360.
A do t’ju njohë banka me interesin e çdo muaji, apo vetëm me atë të totalit të periudhës për të cilën do të mbyllni paratë tuaja? Bankat kanë procedura të ndryshme.
Për shembull, në rastin e depozitave njëvjeçare, disa të bëjnë të ditur përfitimin sipas muajve nga interesat, kur është i ndryshueshëm e disa të tjera vetëm atë vjetor.
A ju njofton banka për çdo ndryshim të mundshëm të interesave?
Punonjësit e bankave sqarojnë se klienti vihet në dijeni për çdo ndryshim. Madje në rast se ai, për motive të ndryshme, nuk paraqitet në bankë ditën kur përfundon maturimi, interesat kalohen në llogari rrjedhëse dhe kontrata rinovohet automatikisht.
Zgjidh ofertën që bën për ty
Në treg, bankat ofrojnë depozita standarde dhe speciale. Ndryshimi qëndron te normat e interesit, që në rastin e dytë janë më të favorshme. Ne zgjodhëm 7 banka, për t’ju njohur me ofertat që ato kishin.
Deklaruam se kishim në dispozicion 500,000 lekë (ose 3,500 euro) dhe dëshironim që t’i depozitonim me afat 12-mujor.
Alpha Bank: Kjo bankë na prezantoi me një ofertë, depozitë me afate kohore progresive, që nënkuptonte se normat e interesit rriteshin çdo muaj dhe që mund të transferoheshin automatikisht në llogari.
Për shumën 500,000 lekë (me afat 12-mujor) norma e interesit luhatet nga 3.0% në 14.4% dhe shuma e përfituar llogaritej nga 1,125 lekë deri në 5,437 lekë. Në total, vlera e interesit për shumën e depozituar llogaritej në 30,656 lekë.
E njëjta logjikë ndiqet edhe nëse dëshironi që të depozitoni kursimet në euro. Për rreth 3,000 euro, për afatin njëvjeçar, shuma që do të përfitoni llogaritet në rreth 104 euro. Interesat nga muaji i parë në të 12-in variojnë nga 1.5% në 17.1%.
Një muaj pas vendosjes së depozitës, ju mund të tërhiqni interesin pa rrezikuar asgjë dhe pa komision.
Tirana Bank: Kjo bankë na ofroi dy opsione për të përfituar nga paratë e depozituara, që interesat t’i merrnim në fund të periudhës 12-mujore ose çdo muaj. Në rastin e parë, për shumën 500,000 lekë, banka llogarit normë interesi në 5.7%.
Në fund të maturimit, ju do të merrni rreth 25,650 lekë. Nëse dëshironi që të ardhurat nga interesi t’i merrni çdo muaj, banka ofron depozitën “Të ardhura mujore”, për të njëjtën shumë interesi llogaritet në 5.8% dhe përfitimi mujor llogaritet në 2,175 lekë.
Nëse dëshironi, interesi mujor do të derdhet në llogarinë tuaj. Banka ju ofron falas edhe kartë debiti Visa Electron, me të cilën mund të tërhiqni interesat e depozitës suaj.
Union Bank: Kjo bankë ofronte për shumën që ne kishim në dispozicion depozitë standarde dhe speciale. Për shumën 500,000 lekë, me afat maturimi 12 muaj, norma e interesit llogaritet në 6.4% për lekë.
Për ekuivalenten e kësaj shume në euro (rreth 3,500) norma e interesit llogaritet në 3.5%. Punonjësja e bankës na njohu edhe me vlerat e një depozite speciale me afat 12-mujor.
Për shumën 500,000 lekë për këtë periudhë, interesi llogaritej në 6.8% dhe në fund të maturimit përfitimi llogaritej në 35,210 lekë, ndërsa për shumën ekuivalente në euro (3,500) interesi është 3.9% dhe përfitimi pas 14 muajve llogaritej në 141 euro.
Siç na u shpjegua, fondi mund të tërhiqej përpara maturimit kundrejt interesit të llogarisë rrjedhëse.
Credins Bank: Në këtë bankë, interesat për depozitat ishin standarde. Për shumën 500,000 lekë, interesi 12-mujor llogaritej në 6.2% dhe në fund të maturimit, shuma që përfitohej ishte 27,900 lekë.
Për ekuivalenten në euro (3,500), po për të njëjtën periudhë, norma e interesit llogaritej në 3.3% dhe përfitimi do të ishte 103.9 euro. Interesat mund t’i përfitoni vetëm në përfundim të maturimit,
në rast se do t’ju duhej të tërhiqnit një shumë të caktuar, atëherë do të humbisni gjithë interesat e asaj periudhe, edhe nëse kjo gjë ndodh pas 6 muajve nga depozitimi. Kapitali juaj nuk cenohet.
Veneto Banka: Nëse do të depozitonit shumën prej 500,000 lekësh për një afat 12-mujor, norma e interesit është 6.9% dhe në fund të kësaj periudhe, ju do të përfitoni vlerën e përafërt 31,050 lekë.
Këtë shumë mund ta përfitoni vetëm në fund të maturimit.
Për shumën ekuivalente në euro (3,500) norma e interesit llogaritet në 3.7% dhe vlera që do të përfitoni pas 12 muajve është 116 euro.
Intesa Sanpaolo: Kjo bankë ofron depozita standarde. Për shumën 500,000 lekë, norma e interesit llogaritet në 5.9% dhe në fund të maturimit, do të merrni 26,550 lekë.
Në rast se do të depozitoni 3,000 euro, atëherë në fund të periudhës 12-mujore do të përfitoni interes në vlerën 85.05 euro. Nëse e tërhiqni shumën përpara këtij afati (apo çfarëdolloj shume) ju do të humbisni interesin.
Raiffeisen Bank: Në këtë bankë, për depozitimin e shumës 500,000 lekë norma e interesit është 4.9% dhe në përfundim të periudhës 12-mujore, përfitimi juaj llogaritet në 22,000 lekë.
Për depozitimin e shumës 3,500 euro, banka llogarit normë interesi 2.75% dhe përfitimi juaj do të jetë 87.8 euro.
Banka ofron edhe depozitë me norma të përshkallëzuara interesi që variojnë për monedhën lekë (nga muaji 1 deri në 12) nga 2% deri në 9% dhe në monedhën euro, nga 1.5% deri në 3.5%.
Sugjerim
Pothuajse të gjitha bankat na sugjeruan që kursimet t’i depozitojmë në lekë, pasi normat e interesit janë më të larta dhe përfitimi ynë në fund të maturimit do të ishte i tillë.
Sipas punonjësve, këto norma pritet të ndryshojnë me uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, por nuk ishin në gjendje të na thoshin me saktësi se kur mund të reflektohej kjo në treg.
Nëse dëshironi të kurseni një shumë të caktuar çdo muaj, atëherë më e vlefshme do të ishte një llogari me akses në çdo kohë. Ju mund të depozitoni, por edhe të tërhiqni sa herë që dëshironi dhe kur të dëshironi.
Normat e interesit për këto llogari kursimi janë më të ulëta se sa ato të depozitave me afat.
Kujdes: Për çdo depozitë, banka llogarit 10% të shumës së interesit të përfituar, si tatim mbi të ardhurat, që shkon në favor të shtetit.
Bankat e zbresin këtë shumë në momentin që bëjnë përllogaritjen e shumës që ju do të përfitoni, për periudhën që ju do të depozitoni paratë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
where can i buy genuine viagra
Një depozitë për ju – Revista Monitor
informacion shume i vlefshem,ju lumte.Por mungon informacioni mbi komisionet bankare qe te behet nje perllogaritje e sakte’