Shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe anëtarët e Parlamentit Europian, arritën të enjten një marrëveshje për të dyfishuar prodhimin e burimeve të rinovueshme në të gjithë bllokun, deri në fund të dekadës.
Sipas marrëveshjes së përkohshme të arritur rreth orës 07:00 CET pas negociatave brenda natës, pjesa e energjisë së rinovueshme në konsumin e përgjithshëm të energjisë së BE-së do të duhet të jetë 42.5% deri në vitin 2030, me një shtesë “të dëshiruar” 2.5% në një përpjekje për të arritur 45%.
Në vitin 2021, energjia e rinovueshme përfaqësonte 21.8% të energjisë së konsumuar në BE, sipas Eurostat.
Objektivi i ri i vendosur në Direktivën e Energjisë së Rinovueshme ( Renewable Energy Directive, RED) është nën nivelin 45% të kërkuar nga eurodeputetët, por mbi nivelin 40% të preferuar të shteteve anëtare dhe rrit objektivin aktual në energji me pak më shumë se 10 pikë përqindjeje.
Eurodeputeti francez Pascal Canfin (Renew), i cili kryeson Komitetin e Mjedisit të Parlamentit, tha se negociatorët “krijuan rregulla që janë të paprecedentë në botë, për të na dhënë mjetet për ta fituar betejën për klimën”.
Ai tha gjithashtu se marrëveshja rregullon më mirë përdorimin e biomasës, “edhe nëse Parlamenti do të donte të shkonte më tej”, dhe se ajo gjithashtu njeh “rolin specifik të energjisë bërthamore, e cila nuk është as e gjelbër dhe as fosile”.
Kjo e fundit shihet si një fitore e madhe për Francën, e cila kishte lobuar në mënyrë agresive javët e fundit, që hidrogjeni me energji bërthamore të konsiderohej me shkallë të ulët karboni, një veprim i kundërshtuar ashpër nga vende, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Luksemburgun.
Kështu, teksti vendos objektiva të reja të hidrogjenit të rinovueshëm për transportin dhe industrinë. Për këtë të fundit, objektivi është vendosur në 42% për vitin 2030 dhe 60% deri në 2035, por mund të ulet në 20% nëse “pjesa e hidrogjenit nga lëndët djegëse fosile të konsumuara në shtetet anëtare, nuk është më shumë se 23% në 2030 dhe 20% deri në vitin 2035”.
Për bioenergjinë – përdorimin e materialit organik si pemët, bimët dhe mbetjet bujqësore dhe urbane për të gjeneruar energji elektrike – marrëveshja “forcon kriteret e qëndrueshmërisë”, për të zvogëluar rrezikun e prodhimit të paqëndrueshëm të bioenergjisë.
Eurodeputeti gjerman Markus Pieper (EPP), raportuesi i parlamentit për RED, tha se biomasa “mbetet 100% e rinovueshme”. Ai e përshkroi të gjithë marrëveshjen si “një ditë të mirë për tranzicionin energjetik të Europës”.
Por OJQ-ja holandeze Fern, e quajti rezultatin mbi biomasën “të pafat”. Martin Pigeon, drejteuesi i fushatës së organizatës për Pyjet dhe Klimën argumentoi se “për shkak se do të vazhdojë të shpërblejë kompanitë e energjisë që djegin miliona pemë, burimin kryesor të karbonit në tokë, RED do të vazhdojë të përkeqësojë klimën dhe krizën e biodiversitetit, duke dëmtuar shëndetin e njerëzve dhe duke minuar në mënyrë aktive ambiciet klimatike të BE-së, në kurriz të taksapaguesve.”
Për të arritur objektivat e vendosura, RED planifikon të përshpejtojë procedurat e lejeve për projektet e energjisë së rinovueshme, që shihen si të nevojshme për të larguar varësinë e bllokut nga karburantet fosile të importuara nga jashtë, për t’u bërë i pavarur nga energjia dhe për të arritur neutralitetin ndaj karbonit, deri në planin e mesit të shekullit.
Shtetet anëtare do të caktojnë “zona të përshpejtimit të burimeve të rinovueshme” (renewables acceleration areas), për të lejuar një proces të thjeshtuar dhe të shpejtë të dhënies së lejeve për projektet e energjisë së rinovueshme. Këto do të konsiderohen gjithashtu si “interes publik mbizotërues” (overriding public interest), duke lehtësuar më tej barrën rregullatore mbi to dhe duke kufizuar arsyet e kundërshtimeve ligjore.
Shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, përshëndeti marrëveshjen politike, duke shkruar në Twitter se “do të na ndihmojë të përparojmë drejt neutralitetit të klimës, të forcojmë sigurinë tonë energjetike dhe të rrisim konkurrencën tonë”.
Rregullat e reja, të cilat janë pjesë e paketës Fit for 55, të paraqitur në verën e 2021 për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë dhe për të ulur emetimet e BE-së, me 55% deri në vitin 2030, tani duhet të miratohen zyrtarisht nga shtetet anëtare dhe nga i gjithë Parlamenti Europian. / Euronews