Rritja e shpejtë e normave të interesit gjatë këtij viti pritet që të rrisë gradualisht kostot për pagesa borxhi të subjekteve huamarrëse.
Rreziku më i afërt prek atë pjesë të borxhit që është marrë me një normë të ndryshueshme interesi, që zakonisht përbëhet nga indeks reference dhe një marzh fiks sipër këtij indeksi.
Huamarrësi më i madh në ekonomi është vetë qeveria shqiptare, që do të jetë qysh këtë vit e prekur nga kjo rritje e normave. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në mesin e këtij viti një pjesë e konsiderueshme e borxhit publik, sidomos atij të jashtëm, rezultonte me interes variabël. Borxhi i jashtëm me interesa të ndryshueshëm kishte një vlerë totale prej 2.28 miliardë Eurosh ose pothuajse 40% të totalit të borxhit të jashtëm publik.
Borxhi me interesa të ndryshueshëm i takon kryesisht kredive të marra ose të garantuara nga qeveria shqiptare nga subjekte të huaja. Indeksi referues ndryshon në varësi të monedhës së huasë, por në shumicën e rasteve ky tregues është Euribori për kreditë në Euro dhe Libori për ato në dollar amerikanë. Për këtë trgues rritja në muajt e parë të këtij viti është e dukshme. Për shembull, Euribori 12 mujor në mesin e muajit gusht arriti në 1.16%, nga -0.5% që ishte në fund të vitit 2021.
Ndërkohë, borxhi me interesa fikse i takon kryesisht emetimeve të Eurobondeve. Eurobondet janë obligacione afatgjata (emetimi i fundit i nëntorit 2021 kishte maturitet 10 vjeçar) dhe për to qeveria shqiptare paguan kuponin fiks të përcaktuar në emetim, çka do të thotë se në afatin e shkurtër ato nuk ndikohen nga rritja e normave të interesit.
Për sa i takon borxhit të brendshëm, instrumentet me interesa variabël kanë një peshë specifike mjaft të ulët. Në fund të muajit qershor ato kishin një vlerë totale prej 10 miliardë lekësh ose sa rreth 1.5% e totali të borxhit të brendshëm. Borxhi i brendshëm me interesa të ndryshueshme ka një peshë të vogël, sepse prej vitesh Ministria e Financave ka hequr dorë nga emetimi i instrumenteve me interes të ndryshueshëm. Ky komponent prek kryesisht kreditë e garantuara nga qeveria shqiptare në favor të kompanive publike apo private.
Në portofolin me financim të brendshëm, rreziku kryesor nga rritja e normave të interesit, në fakt, vjen nga borxhi me maturim afatshkurtër. Sipas Ministrisë së Financave, vlera e borxhit të marrë nëpërmjet Bonove të Thesarit kishte vlerën e 199 miliardë Lekëve. Kjo shumë përbën afërsisht 29% të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. E gjitha kjo vlerë duhet rifinancuar brenda një viti kalendarik, përkatësisht çdo vit për Bonot 12 mujore, dy herë në vit për ato 6-mujore dhe katër herë në vit për ato 3-mujore. Duke qenë se normat e interesit janë në rritje të dukshme, sot çdo instrument i maturuar duhet rifinancuar me një yield më të lartë. Kjo do të rrisë gradualisht shpenzimet për interesa dhe në tërësi koston e shërbimit të borxhit të brendshëm.
Duke llogaritur së bashku borxhin e brendshëm dhe të jashtëm me interesa të ndryshueshëm, si edhe borxhin e brendshëm afatshkurtër, me maturim deri në një vit, rezulton se afërsisht një e treta e stokut të borxhit publik është e ekspozuar ndaj rritjes së normave të interesit.
Në mesin e këtij viti, Shqipëria kishte një borxh publik në vlerën e 1.39 trilionë Lekëve. Sipas Ministrisë së Financave kjo shumë është e barazvlefshme me 69.1% të PBB-së së parashikuar për të gjithë vitin 2022./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.