Padyshim që Emmanuel Macron ka kaluar një verë të mirë. Në korrik, me këmbënguljen e tij, liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian zgjodhën Ursula von der Leyen, asokohe ministrja gjermane e Mbrojtjes, në postin e Presidentes së re të Komisionit Europian.
Christine Lagarde, liderja franceze e FMN-së, u zgjodh për të udhëhequr Bankën Qendrore Europiane; Charles Michel, Kryeministri belg dhe aleat i z. Macron, mori presidencën e Këshillit Europian dhe Josep Borrell, ministri i Jashtëm i Spanjës, do të jetë përfaqësuesi i radhës i BE-së për çështjet e jashtme.
Pasi mori konfirmimin edhe në Parlamentin Europian, më 10 shtator, znj. Von Der Leyen prezantoi komisionerët në ndërtesën e Berlaymont në Bruksel. Kjo ishte një tjetër ditë e mirë për Presidentin francez. Sipas propozimit të znj. Von Der Leyen, Parlamenti Europian do të fillojë seancat e konfirmimit më vonë këtë muaj dhe duhet të miratojë grupin e ri të Komisionit, përpara se ai të nisë detyrën më 1 nëntor.
Ky Komision i ri do të jetë më hierarkik se ai i fundit, shkruan The Economist. Në mënyrë të drejtpërdrejtë hierarkike, poshtë saj është një ekip i përbërë nga “tre zëvendëspresidentë”, të cilët do të jenë në krye të tre fushave shumë të rëndësishme, të cilat znj. Von Der Leyen është shprehur se do të jenë përparësitë e saj. Margrethe Vestager do të drejtojë Europën “në sfidën e saj për t’iu përshtatur epokës dixhitale”, duke mbajtur postin e komisioneres së konkurrencës. Frans Timmermans, një social-demokrat holandez, do të jetë në krye të “marrëveshjes së re të gjelbër” të Europës, duke përshpejtuar progresin e BE-së drejt neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050. Ndërsa kristiano-demokrati, Valdis Dombrovskis, do të jetë përgjegjës për çështjet ekonomike dhe financiare.
Zgjedhja e tre personaliteteve të mësipërme pasqyron zhvendosjen afatgjatë drejt një komisioni më politik dhe më aktiv. Ata vijnë nga tre grupet më të mëdha politike në Parlamentin e ri, prandaj znj. Von der Leyen do të duhet të ruajë qetësinë dhe të mos krijojë debate, në mënyrë që të sigurojë shumicën për propozimet e saj (ajo gjithashtu mund të mbështetet te Partia e Gjelbër, si pasojë e nismave të saj në përmirësimin e klimës).
Znj. Vestager dhe Timmermans ishin të dy “kandidatët kryesorë” në zgjedhjet europiane, duke forcuar legjitimitetin demokratik të ekipit. Përfshirja e z. Dombrovskis rrit shqetësimet mbi frikën e statusit të “klasit të dytë”. Me znj. Von Der Leyen, treshja e komisionerëve do të formojnë strukturën e brendshme drejtuese të ekzekutivit të BE-së, me një unazë të jashtme prej pesë nënkryetarësh të rregullt (tre nga Europa Lindore dhe dy nga Europa Jugore, duke siguruar kështu një ekuilibër gjeografik), dhe përveç tyre edhe 18 anëtarët e tjerë të mbetur të komisionit.
Në mesin e zëvendëspresidentëve dhe komisionerëve të tjerë ka edhe shumë emra të tjerë të njohur. Një prej tyre është Paolo Gentiloni, ish-kryeministri i majtë nga qendra e Italisë, është bërë komisioner për çështjet ekonomike me përgjegjësi për rregullat fiskale, një formë që znj. Von Der Leyen e ka zgjedhur për t’i dhënë mundësi Europës dhe Italisë që të zgjidhin mosmarrëveshjen mbi buxhetin. Sidoqoftë, kjo lëvizje mund të shqetësojë gjermanët apo anëtarët e Europës së Veriut të së ashtuquajturës Lidhja e Hanseatikut të Ri. Sylvie Goulard, ish-ministre franceze e Mbrojtjes dhe aleate e ngushtë me z. Macron, merr përgjegjësinë për tregun e vetëm dhe mbrojtjen.
Ajo do të mbikëqyrë krijimin e një strategjie europiane për rregullimin e Inteligjencës Artificiale dhe së bashku me znj. Vestager, do të çojë përpara një Akt të Shërbimeve Dixhitale në tregtinë elektronike. Irlandezi Phil Hogan, aktualisht komisioner i Bujqësisë, do të marrë përsipër portofolin e tregtisë, duke përfshirë përgjegjësinë për negocimin e çdo marrëveshje me një Britani pas-Brexit. I dyshimtë është emërimi i Laszlo Trocsanyi si komisioner për zgjerimin, sepse si një aleat i Presidentit autoritar të Hungarisë, Viktor Orban, ai nuk është aspak i zgjedhuri i duhur, për të dhënë gjykim të drejtë mbi sundimin e ligjit për vendet që priten t’i bashkohen BE-së.
Z. Margaritis Schinas, komisioneri grek dhe një ish-zëdhënës kryesor i komisionit, është emëruar zëvendëspresident për emigracionin. Më e rëndësishme sesa të gjitha emërimet e mësipërme, është fakti që ekipi i znj. Von Der Leyen do të angazhohet për ta bërë Europën një aktor më autonom në një botë të paparashikueshme, ose për të zgjatur “sovranitetin europian”, ashtu siç njihet sipas gjuhës zyrtare të Eurozonës. Znj. Vestager dhe znj. Goulard dëshirojnë të përdorin aftësinë e tyre për të zhvilluar një mënyrë të veçantë europiane për të menaxhuar teknologjinë e re dhe për të gjetur një ekuilibër midis tregjeve të hapura dhe strategjisë industriale ndërhyrëse në përgjigjen ndaj gjigandëve të rinj nga Kina dhe Silicon Valley.