Në çfarë mënyre po ndikon koha e lirë në përdorimin e internetit. Filmat dhe jo çmimet e grurit, po e sjellin botën e varfër gjithnjë e më pranë online
Rreth tre vjet më parë, kryetari i Madhogarh-it, një fshat piktoresk në zemër të Rajasthan, shkoi tek Indra Sharma, një zonjë rreth të dyzetave e cila punonte si babysitter, për t’i kërkuar nëse mund të merrte pjesë në një seminar që do të zhvillohej aty. “Seminari ishte diçka që kishte lidhje me internetin”, kujton sot znj. Sharma, shkruan The Economist. Fillimisht, kur pranoi të merrte pjesë, ajo nuk e bëri këtë sepse kishte ndonjë interes të veçantë në drejtim të internetit, por pëlqente idenë se nga ky seminar, ajo do të mësonte diçka të re.
Asaj dhe një numri shumë të vogël grash që ishin të pranishme në këtë seminar, iu dhurua nga një smartphone dhe iu mësuan disa prej gjërave kryesore në lidhje me përdorimin e tij. Më pas, atyre iu mësua edhe sesi të përdornin aplikacione të ndryshme si WhatsApp, Facebook, YouTube, apo se si të bënin foto. Siç e specifikuam edhe më sipër, kjo ndodhi tre vjet më parë, në shtator të 2016-s, kur askush nuk kishte smartphone në fshatrat nga të cilat ishin zonjat pjesëmarrëse në seminar.
“Sot, situata ka ndryshuar dhe pothuajse të gjithë e zotërojnë një të tillë”, thotë znj. Sharma nga Madhogarhi. Nëse do të vizitoni fshatin tonë, ju do të shikoni njerëz të moshave të ndryshme, përfshirë këtu edhe të moshuar, të cilët ecin duke ndjekur një prej serialeve më të famshme indiane, Mahabharatin. Disa të tjerë i përdorin smartphone për të luajtur lojëra të ndryshme.
Sipas rregullatorit të telekomunikacionit të Indisë, abonimet për shërbimet mobile-broadband nga fundi i vitit 2016 deri në fund të vitit 2018, shënuan rritje nga 218 milionë në 500 milionë abonentë. Çmimi për një prej modeleve më të thjeshtë të smartphone-ve është rreth 3.500 rupi (50 dollarë amerikanë), gjithsesi i lartë për xhepin e një fshatari indian. E megjithatë, të gjithë janë përfshirë nga ky trend dhe askujt nuk i intereson sesa i lartë është çmimi i tij, shprehet znj. Sharma.
Për ata persona të cilët nuk do të mundnin ta blinin një smartphone kundrejt çmimit të mësipërm, kompania Jio ofron aparate celularë, të cilët kanë disa prej aplikacioneve më të fundit, por që nuk kanë ekranet me prekje, kundrejt çmimit 1,500 rupi. Kompania Jio, e mbështetur nga Grupi Reliance, përveç aparateve ka subvencionuar edhe transmetimin e të dhënave. Konkurrenca ndërmjet saj dhe ofruesve të tjerë ka bërë që çmimi për një paketë të të dhënave mobile të bjerë me 94%, gjë që është shoqëruar edhe me një rritje të konsumatorëve. Indianët tani marrin rreth tre herë më shumë informacion nga celularët e tyre në krahasim me amerikanët. Me shumë mundësi, shumë shpejt, ata do të shndërrohen në konsumatorët më të mëdhenj në botë të të dhënave të telefonisë mobile.
Numri dhe shpejtësia me të cilën u rrit numri i përdoruesve të smartphone-ve në Indi, i detyrohet kryesisht luftës së çmimeve që shkaktoi Reliance Jio. Por trendi global që ajo mbart nuk ka lidhje me këtë gjë. Në vitin 2018, përqindja e popullsisë globale që përdorin internetin u rrit mbi gjysmën, sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, agjenci e Kombeve të Bashkuara. Gjysma e dytë e internetit nuk do të kalojë online me të njëjtën shpejtësi sa edhe gjysma e parë në fillim të viteve 2000. Edhe nëse 710 milionë përdoruesit e rinj të internetit pritet të kalojnë online në shtatë vitet e ardhshme, kjo shifër është vetëm gjysma e numrit të tyre që kaluan online në shtatë vitet e fundit, por gjithsesi edhe kjo shifër konsiderohet e lartë. Mundësitë që një fëmijë i lindur në ditët e sotme, nuk do të ketë një celular në kohën kur të bëhet adoleshent, janë të pakta.
Por përdoruesit e internetit diku tjetër, të cilët tashmë i tejkalojnë lehtësisht ata në botën e zhvilluar dhe në Kinë, përbëjnë vetëm 39% të popullsive të vendeve të tyre. Janë pikërisht këto vende nga të cilat do të vijë miliardi i ardhshëm i përdoruesve online dhe pas këtij, edhe miliardi tjetër e kështu me radhë.
Së bashku me rritjen e tyre, ata do të ndryshojnë edhe karakterin e internetit. Shumica e personave që bëjnë pjesë në atë që njihet si “gjysma e dytë e përdoruesve të internetit” nuk flasin as anglisht dhe as gjuhën mandarin. Ata kanë shumë pak ose aspak përvojë në mediat e tjera dixhitale. Pothuajse të gjithë prej tyre do ta përdorin internetin në telefonat e tyre celularë.
Ekonomia e kohës së lirë e botës së varfër
Hotstar, i prezantuar nga Rupert Murdoch e Star India në vitin 2015, u shndërrua në aplikacionin më të përdorur në Indi, sepse parashikoi që ekrani i dytë që do të përdorej më shumë në familjet indiane do të ishte ai i një smartphone. Hedhja në treg e hardware-ëve më të mirë dhe njëkohësisht më të lirë, ka ndikuar pjesërisht në rritjen në fjalë. Por njerëzit në botën e varfër nuk po kalojnë online, sepse një procesor më i mirë apo një kamera me cilësi më të lartë janë të rëndësishme për ta.
Ajo çka u intereson më shumë atyre është që të qëndrojnë në kontakt me njëri-tjetrin, të argëtohen dhe të shprehin veten, pavarësisht nga të ardhurat që kanë apo vendi i tyre i origjinës. Sipas Ajit Mohan, shefit të ri të Facebook në Indi dhe njëkohësisht ish-shefi i Hotstar-it, janë shërbimet e ofruara dhe lehtësisht të përdorshme në telefonat celularë, ato që ndikojnë në rritjen e kërkesës. Për shumë njerëz, telefoni celular ofron mundësi të shumta që njerëzit të merren me diçka që u pëlqen në kohën e lirë. Sipas Payal Arora, një profesor në Universitetin Erasmus në Roterdam, interneti është ekonomia e kohës së lirë e botës së varfër.
Agjenci të ndryshme, organe ndërkombëtare dhe kompani të mëdha të teknologjisë i thanë jo vetëm vetes, por edhe financuesve të tyre, se njerëzit e botës së varfër kishin domosdoshmërisht nevojë për një lidhje interneti për të dalë nga mjerimi. Ata theksuan këtu, për shembull, që fermerët mund të ishin më në dijeni të ndryshimeve klimatike apo të çmimit me të cilin tregtohej gruri; nënat mund të merrnin informacione të ndryshme mbi shëndetin e tyre, apo nxënësit mund të mësonin më shumë duke u regjistruar në kurse të ndryshme online, apo duke parë enciklopedi të ndryshme, në mungesë të teksteve shkollore.
Sipas znj. Arora, autore e librit “Miliardi i ardhshëm i përdoruesve”, e cila merret prej vitesh me çështjen e internetit dhe ndikimit të tij në vendet në zhvillim, “interneti përdoret më shpesh për të luajtur me lojëra të ndryshme dhe për të kaluar kohën e lirë, sesa për të gjetur punë apo për të gjeneruar prej tij të ardhura”. Kjo sjellje është evidentuar në shtete të ndryshme. Kështu, për shembull, kur Brazili hapi mijëra internet-kafe, përdorimi i internetit u rrit me 60% më shumë në lagjet e varfra, por ai përdorej kryesisht për të shkëmbyer mesazhe, për të luajtur lojëra të ndryshme online dhe për të parë filma. I të njëjtit mendim është edhe antropologu Juliano Spyer, i cili studion përdorimin e internetit në shtetin e Brazilit.
Ai zbuloi se arsyeja pse njerëzit e varfër në shtetin verilindor të Bahias paguajnë për të pasur internet është se ata duan që të komunikojnë me njerëz të tjerë dhe nuk e shohin atë aspak si një formë nga e cila mund të përfitojnë shumë me tepër se kaq. Një studim më i gjerë në lidhje me përdorimin e internetit në vendet e varfra, i kryer nga Caribou Digital, një firmë konsulence, arriti në përfundimin se banorët e vendeve të varfra, si p.sh. në Zambia e përdorin atë kryesisht për argëtim, për të parë video apo për të folur me miqtë. Sipas një sondazhi tjetër të kryer nga Pew Research Center në Afrikën Sub-Sahariane, 85% të të anketuarve u shprehën se ata e përdorin internetin për të qëndruar në kontakt me miqtë dhe familjen. Vetëm 17% thanë se e përdorin atë për të marrë pjesë në kurse të ndryshme profesionale online.
Edhe në Indi, interneti përdoret kryesisht për argëtim. Sipas studiuesve të ndryshëm, varfëria dhe niveli i ulët i edukimit në vendet në zhvillim nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në përdorimin e internetit kryesisht për argëtim. Nuk duhet të harrojmë se disa prej aplikacioneve të viteve të fundit, të cilat kanë shënuar numrin më të lartë të përdoruesve, kanë qenë të dizenjuara për të kaluar kohën e lirë. Këtu mund të përmendim për shembull, Fortnite, WhatsApp, Instagram, Snapchat, TouTube, TikTok, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.