Nga Les Nemethy, CEO, Euro-Phoenix M&A Advisors, ish-bankier në Bankën Botërore
Ndërkohë që vëmendja e ekonomistëve dhe analistëve financiarë është zhytur në krizën bankare, po shpërfillen re të tjera në horizont.
Unë e konsideroj falimentimin sovran në tregjet në zhvillim, si një nga këto rreziqe.
Ka disa vende në këtë listë kritike. Ky artikull trajton Pakistanin, një shtet me 230 milionë banorë, i pesti më i populluari në botë.
Artikulli diskuton mundësinë e falimentimit dhe kolapsit në Pakistan dhe ndikimin e mundshëm të tij.
(a) Rreziku i falimentimit dhe kolapsit në Pakistan
Yield-et e bonove pakistaneze janë në nivele problematike. Rezervat e forta valutore po pakësohen me shpejtësi (në rreth tre javë importe). PBB-ja ka ngecur në vend gjatë pesë viteve të fundit.
Vendi duhet të paguajë 22 miliardë dollarë borxh vitin e ardhshëm dhe 80 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme.
Monedha rupee është zhvlerësuar me 60% gjatë vitit të kaluar, ndërsa inflacioni së fundmi ka arritur në intervalin 23-46%, në varësi të matjeve të përdorura.
Agjencitë e vlerësimit të kredive po e ulin vazhdimisht Pakistanin në listë (Fitch sapo e uli vlerësimin në nivelin CCC, që nënkupton se “falimentimi është një mundësi reale”).
Thatësirat dhe valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Reshjet rekord kohët e fundit, shkaktuan përmbytje në një të tretën e vendit, duke i shtyrë 8-9 milionë njerëz më tepër, nën kufirin e varfërisë.
Mungesa e ushqimit dhe rritja e çmimeve kanë rezultuar në turma që plaçkisin restorantet dhe kamionët që transportojnë mallra ushqimore.
Situata politike është e rëndë. Imran Khan, populist i ardhur nga jashtë sferës politike, ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet këtë verë, dhe është vënë përballë establishmentit politik dhe ushtrisë, mbështetjen e të cilëve duhet ta fitojë për të qeverisur.
Periudha e tij e mëparshme si kryeministër u karakterizua nga ndjenja të antiamerikanizmit dhe prishje të marrëdhënieve me ushtrinë.
Ai ka shprehur haptazi shqetësimin se zgjedhjet e ardhshme do të manipulohen kundër tij dhe se mund të mos i pranojë rezultatet. Khan fajëson kryeministrin e tanishëm për një atentat ndaj tij, që e ka lënë ende me një plagë në këmbë.
Pakistani ka rreth 126 miliardë dollarë borxh të jashtëm. Nëse nuk arrin të shlyejë borxhin, probabiliteti i një plani shpëtimi nga FMN-ja (si versioni i Sri Lankës), është më pak i sigurt, për disa arsye:
• Pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet, do të ketë akuza për mungesë legjitimiteti politik, duke i bërë negociatat me FMN-në më të vështira, veçanërisht në nxitjen e reformave të vështira politike, si energjia dhe rritja e taksave.
Pakistani ka një traditë të grevave që gjunjëzojnë ekonominë.
• FMN-ja i ka kërkuar Pakistanit që të lidhet me kreditorët (p.sh., me Kinën) dhe të marrë kredi të reja, duke treguar se ngurron të veprojë si huadhënës i mundësisë së fundit për Pakistanin.
• Rinxitja e rritjes në Pakistan pengohet nga mungesa e madhe e investimit në kapitalin njerëzor. Pakistani renditet në vend të 141-të nga 174 shtete në Indeksin e Zhvillimit të
Kapitalit Njerëzor.
Ka një shkallë analfabetizmi mbi 45%. Që nga viti 2019, vetëm 62% e fëmijëve të moshës së shkollës fillore, ishin të regjistruar në shkollë. Një largim masiv i trurit po e privon vendin nga talentet më të mira.
• Pas 22 programeve të huadhënies për Pakistanin, dhe akuzave për financimin e një shteti terrorist, FMN-ja ka arsye që ngurron në financimin e Pakistanit.
Një mision i fundit i FMN-së në Pakistan, në shkurt 2023, nuk arriti dot në një marrëveshje për zhbllokimin e 1.1 miliardë dollarëve nga një program i FMN-së në vitin 2019, pjesërisht për shkak se Pakistani ngulmon në politikat e tij tatimore regresive (rritja e taksës së shitjeve, në vend të vendosjes së tatimit mbi pronën).
Mundësia e kolapsit rritet, për shkak se Pakistani është ndër vendet më të cenuara në botë ndaj ndryshimeve klimatike, ndërkohë që i mungon kapitali në institucione për t’u marrë me problemin.
Goditjet e mëtejshme klimatike mund të shpejtojnë rënien.
Nëse nuk do të arrijë të shlyejë borxhet, pa një paketë shpëtimi nga FMN-ja, një spirale drejt vdekjes ekonomike mund të rezultojë në një shtet të dështuar. Madje, edhe me një paketë shpëtimi, rënia mund të jetë shumë e fortë për t’u ndalur.
(b) Ndikimi i falimentimit ose kolapsit ekonomik
Falimentimi do të krijonte recesion. Rritja e çmimeve të energjisë dhe taksave, kusht i mundshëm i një pakete nga FMN-ja, do ta bënte recesionin edhe më të ashpër.
Zhvlerësimi i monedhës do të çonte në një inflacion më të lartë. Shtrëngimi i politikës monetare për të mbrojtur monedhën rupee, mund të çojë në një valë falimentimesh. Njerëzit e zakonshëm ka të ngjarë të vuajnë edhe më shumë se tani.
Falimentimi mund të ketë efekt të valëzuar te kreditorët e Pakistanit, veçanërisht në Kinë. Mosshlyerja e borxhit mund të krijojë perceptimin e një rreziku më të lartë në kreditimin e tregjeve në zhvillim, duke kontribuar në rritjen e normave të interesit dhe vështirësi në financimin e bonove qeveritare në të gjitha tregjet në zhvillim.
Ndoshta skenari më i tmerrshëm është se në rastin e mosbindjes civile ose një lufte civile, mund të vihet në rrezik edhe fati i uzinave bërthamore të Pakistanit.
Pakistani mund të jetë vendi më i paqëndrueshëm nga të gjitha shtetet që zotërojnë armë bërthamore.
Më lejoni të përfundoj me disa fjalë optimiste. Siç thotë shprehja, shpresoni për më të mirën dhe përgatituni për më të keqen. Ka disa skenarë optimistë për Pakistanin.
Banka Goldman Sachs, për shembull, parashikoi se në dhjetor 2022, Pakistani nuk do të falimentonte dhe se deri në vitin 2075, do të ishte ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, me kusht që të krijoheshin “politikat dhe institucionet e duhura”, që për mendimin tim, është një kusht i vështirë në rastin e Pakistanit.