Libri shqip ka nevojë të stimulohet dhe mënyra më e mirë është që të hiqen taksat në këtë sektor dhe t’i jepet ndihma që meriton komunitetit, si pjesë e një politike për të nxitur leximin.
Nga Deada Hyka
Trajtimi fiskal i librit ka qenë gjithnjë një temë debati mes botuesve dhe ligjvënësve, por kësaj here, ajo çfarë po shndërrohet si shqetësim në komunitetin e tyre është taksa e vendosur për librin shqip, të botuar në Kosovë.
Nga një komunikim me kreun e Shoqatës së Librit në Kosovë, Edon Zeneli, bëhet e ditur se libri shqip ka nevojë të stimulohet dhe mënyra më e mirë është që të hiqen taksat në këtë sektor dhe t’i jepet ndihma që meriton komunitetit, si pjesë e një politike për të nxitur leximin.
Edhe kreu i shtëpisë botuese “Pema”, z. Zeneli, nuk ndalet vetëm këtu, përkundrazi, përcjell shqetësimin e taksës së vendosur së fundmi. Prej 1 janarit 2020, thotë ai, libri që botohet në Kosovë duhet të paguajë 6% taksë (TVSH) për të hyrë në Shqipëri.
“Pa i llogaritur shpenzimet doganore. Nuk e di kujt i shërben kjo, por është e qartë që, më së paku, unifikimit e integrimit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Kjo bie ndesh me çdo logjikë e etikë, por shkel edhe parimet e marrëveshjeve mes dy ministrive për të lehtësuar qarkullimin e librit shqip, gjë që favorizon librat e botuar në Shqipëri, të cilët dominojnë tregun edhe në Kosovë, se për Shqipëri të mos flasim”.
Në një bisedë me kreun e Shoqatës Shqiptare të Botuesve, z. Petrit Ymeri, ai thotë se në vend, ky shqetësim është përcjellë nga Shoqata në autoritetet ligjvënëse, por nuk u është dhënë një përgjigje apo zgjidhje.
Ai shton se, që kur është bërë TVSH e librit 6%, në Shqipëri, situata është përmirësuar për botuesin shqiptar. Më parë ka qenë 20%. Duhet kuptuar sipas tij, që TVSH është një taksë rregullatore që ndihmon biznesin dhe nga kjo praktikë janë dëmtuar pak vetëm libraritë e vogla, të cilave u janë shtuar edhe shpenzimet e fiskalizimit. Një gjë që kemi kërkuar të ndryshohet është tatimi mbi honorarin, pra tatimi mbi të ardhurat mbi krijimtarinë të ulet nga 15% në 6%.
I pyetur në lidhje me situatën e shqetësimeve të përcjella nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, sipas z. Ymeri, vendosja e taksës së librit në Kosovë, është praktikë legjislative me të gjitha shtetet dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë, duhet lobuar mes Ministrive përkatëse.
Ndasi mes shqipfolësve?
Libri i botuar në Kosovë mungon në bibliotekat e Shqipërisë thotë më tej kreu i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, z. Zeneli.
Lexuesi në Shqipëri, sipas tij, përpos Panairit të Librit ku paraqiten botuesit e Kosovës, e ka të vështirë të gjejë librin e botuar në Kosovë.
“Është krejt e kundërta për lexuesin e Kosovës në raport me librin e botuar në Shqipëri. Për shembull, së fundmi është publikuar lista e librave që Ministria e Arsimit (e Shqipërisë), e sugjeruar për blerje e furnizim të bibliotekave shkollore anembanë Shqipërisë. A e dini sa janë botime nga Kosova? Zero.
Po t’i studiojmë listat e tenderëve publikë në Kosovë për furnizimin e bibliotekave publike, të qyteteve dhe ato shkollore, libri i botuar në Shqipëri mbizotëron ndjeshëm” – shprehet z. Zeneli Ai citon edhe një ndodhi të tre viteve më parë, Zyra e Kryeministrit bleu rreth 300,000 euro libra, ku botime të Kosovës ishin as 10%.
“Çfarë mësojmë nga kjo? Mirë që shumica e librave që botohen në Kosovë edhe ashtu bashkëpunëtorë kanë përkthyes e redaktorë nga Shqipëria, por duhet edhe të shtypin e të pajisen me ISBN-të e Shqipërisë që të vlejnë diçka”, – përfundon z. Zeneli.
Trajtimi fiskal i librit shqip
Që nga koha kur Shqipëria vendosi për herë të parë një ligj për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në vitin 1995, mazhorancat e ndryshme parlamentare kanë qenë gjithmonë mbështetëse të lehtësimit sa më të madh të mundshëm të botuesve dhe librarëve nga taksat, thonë burime nga botuesit shqiptarë.
Ligji i TVSH-së është ndryshuar shumë herë që nga ajo kohë, por libri ka vijuar të mbetet pjesë e nenit 53 të ligjit, në mallrat dhe shërbimet e përjashtuara nga TVSH. Kjo duket se ka ndryshuar nga 1 janari 2019 kur u miratua një ligj i ri, i cili synonte të reduktonte barrën fiskale për librin, solli në praktikë vendosjen e TVSH-së, duke krijuar pasiguri fiskale për botuesit dhe librarët.
Ligji i ri, i cili hyri në fuqi zyrtarisht nga 1 janari 2019, sanksionon që libri hiqet nga lista e mallrave të përjashtuar të renditura në nenin 53 dhe të vendoset në nenin 49, ku renditet lista e mallrave me TVSH të reduktuar në masën 6%.
Shoqata e Botuesve të Shqipërisë, një organizatë që përfaqëson disa nga shtëpitë botuese kryesore në Tiranë, ka kërkuar që nga viti 2006, përveç shitjes së librit, TVSH zero të zbatohet edhe për furnizimet e kryera në funksion të prodhimit të librit, si shtypshkrimi, energjia elektrike, etj. Shqetësimi kryesor i botuesve, deri më sot, ka qenë detyrimi për të paguar 20% TVSH në shtypshkronjë sa herë që botohet një libër. Në kushtet e tirazheve të ulëta, shtypshkronja është një kosto relativisht e lartë për botuesit, e cila, sipas burimeve në treg, varion nga 20 deri në 30% të çmimit të shitjes së librit.
Sipas botuesve, ligji i ri nuk ishte një reduktim në masën 6% të TVSH-së të furnizimeve për librin, por një vendosje e TVSH-së 6% mbi shitjen e librit, ndërkohë që TVSH-ja për furnizimet mbeti 20%. Sipas variantit final të ndryshimit ligjor të botuar nga Kuvendi, TVSH për “furnizimin e librave” është 6%, ndërsa në listën e mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga neni 53 i ligjit, fjalët “dhe i librave”, hiqen.
TVSH për furnizimet e librit ka vijuar të jetë 20% dhe TVSH në shitje e librit do të jetë 6%. Sipas skemës, subjekti, llogarit 6% TVSH-në në shitjen e librave, ndërkohë që zbret 20% TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të shitjes së librave
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nuk është kosto për subjektin tregtar, pasi ai e zbret TVSH-në e paguar në blerje, madje zbritja e TVSH-së është e plotë (20%), pavarësisht se TVSH-ja në shitje është me shkallë të reduktuar (në rastin e librave, 6%. Kjo do të thotë se shtypshkronjat do të vijojnë të mbajnë TVSH 20% për botuesit, të cilët nga ana e tyre, do t’i faturojnë 6% TVSH librarëve dhe këto të fundit, blerësve.
Ndonëse 20% duket më i lartë se 6% në tregun e librit, kjo përkthehet në një situatë ku kostoja totale e taksave ulet pak, ndërkohë që barra administrative e shtëpive botuese dhe librarive shtohet shumëfish.
Praktika europiane dhe botërore
Me Direktivën e 6 të TVSH-së, Bashkimi Europian miratoi një bazë uniforme për vlerësimin e mallrave dhe shërbimeve. Shtetet Anëtare janë të autorizuara të kenë ulje të normave të TVSH-së për furnizimet, produktet ose shërbimet që kanë qëllim social ose kulturor, por këto norma duhet të jenë të paktën 5%.
U lejuan përjashtime në disa Shtete Anëtare që kishin tashmë norma zero, ose tepër të ulëta (nën 5%) më 1 janar 1991. Normat zero përdoren në Belgjikë, Danimarkë, Irlandë, Finlandë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar për gjëra të ndryshme, duke përfshirë furnizimet e librave të shtypur, broshurave, gazetave, periodikëve, katalogëve dhe produkteve të ngjashme. TVSH me normë zero për librat e shtypur mund të gjendet edhe në vende të tjera të botës, si Meksikë, Ukrainë, Indi, Korenë e Jugut, Tajlandë, Malajzi, në shumicën e vendeve të Amerikës së Jugut dhe në disa vende afrikane.
TVSH-ja me normë zero për librat e shtypur dhe elektronikë, broshurat, gazetat, etj., duhet të jetë me interes të madh për shtetet anëtare në mënyrë që të mbështesin shkrimtarët dhe gazetarët. Brenda Bashkimit Europian, vetëm Danimarka dhe Bullgaria aplikojnë TVSH të plotë, ndërsa Britania e Madhe dhe Irlanda janë vendet e vetme që aplikojnë një normë zero. Në Amerikën Latine, Kili është i vetmi vend që aplikon TVSH të plotë, ndërsa në të gjithë kontinentin është aplikimi i normës zero.
Kostot
Shumica dërrmuese e kostos së një libri në Shqipëri përbëhet nga shërbime që nuk i nënshtrohen Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si komisioni i librarit, zakonisht 25-30% e çmimit të shitjes, kostoja e përkthimit apo e së drejtës së autorit, e redaktimit apo korrektimit, 30-40% të tjera dhe në fund, kostoja e shtypshkrimit, e cila varion në 20-30% të çmimit të shitjes.
Për rrjedhojë, ndërsa botuesve me të vërtetë do t’u njihet TVSH e zbritshme mbi koston e botimit, atyre do t’u duhet gjithsesi të paguajnë TVSH në shitje. Në totalin e kostos së një libri, nëse shtypshkrimi me TVSH është sa 20% e çmimit të shitjes, TVSH e zbritshme është e barabartë me 4% të çmimit final të shitjes së librit dhe vendosja e TVSH-së në shitje në masën 6% nënkupton një rritje neto të barrës fiskale mbi librin në masën 2%.
Në rast se kostot e furnizimeve me TVSH për librin janë sa 30% të çmimit të shitjes, atëherë TVSH e vendosur mbi librin është e barabartë me TVSH-në e zbritshme. Vetëm në raste të rralla, kur kostoja e shtypshkrimit dhe furnizimeve të tjera me TVSH është më e lartë se 30%, për botuesit regjimi i ri fiskal sjell një ulje të vogël të barrës fiskale.
Rritja apo ulja e barrës fiskale në varësi të librit është vetëm një nga shumë problemet që ka krijuar sistemi i ri, sipas botuesve. Barra administrative për mbajtjen e saktë të librave të shitjeve e të blerjeve dhe llogaritjes së detyrimeve të TVSH-së në shitje e TVSH-së në zbritje në blerje janë një telash i ri për librarët dhe botuesit, të cilët jetojnë në një treg në përgjithësi të varfër dhe sidomos librarët, të cilët mbartin kostot më të larta, duke qenë kryesisht persona fizikë dhe biznese të vogla, në kufijtë e mbijetesës.
Barra fiskale
Rritja apo ulja e barrës fiskale në varësi të librit është vetëm një nga shumë problemet që ka krijuar sistemi i ri, sipas botuesve. Barra administrative për mbajtjen e saktë të librave të shitjeve e të blerjeve dhe llogaritjes së detyrimeve të TVSH-së në shitje e TVSH-së në zbritje në blerje janë një telash i ri për librarët dhe botuesit, të cilët jetojnë në një treg në përgjithësi të varfër dhe sidomos librarët, të cilët mbartin kostot më të larta, duke qenë kryesisht persona fizikë dhe biznese të vogla, në kufijtë e mbijetesës.
Problematika ndër vite
Botimi, shpërndarja dhe shitja e librit është konsideruar ndër vite një biznes i vështirë në Shqipëri, ku kostoja e librit është e lartë në krahasim me të ardhurat e pakta të popullsisë.
Shqetësimi tjetër i botuesve është edhe shpejtësia me të cilën ndryshimet ligjore hynë në fuq, ndonëse nuk priten ndryshime të tjera pas 2019-s.
Libri është një produkt që shitet rrallë dhe aktualisht në qarkullim gjenden libra që janë botuar mbi një dekadë më parë. Për botuesit është e paqartë se si duhet të veprojnë me librat për të cilat kanë paguar në të shkuarën TVSH në shtypshkronjë, por që shiten pas hyrjes në fuqi të TVSH-së në shitje.
“Ankesat” e përhershme të botuesve vijojnë të jenë: taksa më të ulëta në prodhim, si në tregun europian që është vetëm 5%, ose në disa vende zero, shtimi i librarive, përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes, bashkëpunim më të ngushtë me shkollat, fakultetet, që të mund të flasim për një industri të mirëfilltë të librit.
Sektori i tregut të librit, një fushë që nuk ka të bëjë me mbijetesën, por me argëtimin, shfaq tendenca rënëse për sa kohë që ka kriza apo pasiguri. Shpeshherë, sipas botuesve, sa herë ka ngjarje politike apo çështje të ngjashme, lexuesit priren të mos shpenzojnë në atë që konsiderohet “jo thelbësore”. Këtë fakt, e vuan libri dhe pandemia e dëshmoi këtë.
Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari. Ato janë të pakta në Tiranë, ende më rrallë (ose fare) në rrethe të tjera.
Botuesit thonë se libri, edhe pse për të investohet që të jetë cilësor, është lënë në mëshirë të fatit. Me librari që po rëndohen nga amortizimi, duke mos pasur mundësi të mbajnë shumë libra, lexuesi humbet çfarë ka tjetër dhe nuk di ku të drejtohet apo e humb interesin rrugës. Një fakt për këtë është fluksi i vizitorëve në Panair dhe shitjet e shumta gjatë ditëve të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.