Kur bëhet fjalë për përshtatshmërinë e një hoteli me një qytet të caktuar, vështirë se mund të gjendet një kombinim më i përsosur se Hotelet Marriott dhe Madridi dinamik. Kjo markë do të hapë një hotel të ri në kryeqytetin spanjoll në javën e tretë të prillit. Më poshtë do të gjeni disa detaje nga dizajni i jashtëzakonshëm i hotelit.
“Është thjesht një qytet i bukur që marshon sipas ritmit të tij dhe ka stilin e vet” – tha për Madridin hotelieri Ian Schrager, vizionari i The Edition. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për markën e hotelit, e njohur për skemat e saj dramatike të dizajnit dhe tendencat për t’iu afruar stilit të jetës së natës.
Edicioni i Madridit ndodhet në zonën Plaza de la Descalzas, vetëm pak më larg nga sheshi Plaza Mayor i qytetit, ku vizitorët mirëpriten në hapësirën bashkëkohore nga një portë hyrëse e stilit barok të shekullit të 18-të.
Holli është zemra e hotelit, duke imituar vendet e grumbullimit të shesheve që ndodhen pranë tij. Aty, vizitorët mund të gjejnë Lobby Bar, Punch Room dhe Jerónimo, të drejtuar nga kuzhinieri Enrique Olvera nga Pujol i Mexico City.
Për sa i përket dizajnit, gjëja më e veҫantë që ndodhet në të dalë të hollit është shkalla e madhe në formë spirale, bardhësia e valëzuar e së cilës bie në kontrast me mjedisin e errët përreth të veshur me dru, duke kombinuar sërish estetikën e botës së vjetër dhe asaj të re.
Ky dizajn vendos modelin për 200 dhomat e hotelit, megjithëse secila prej tyre është zbukuruar me një skemë ngjyrash të bardha, me mobilie elegante dhe me kokat e dekoruara të krevateve që të sjellin ndër mend hyrjen e stilit barok të hotelit.
Ndjeshmëria e dizajnit të vjetër që bashkohet me të renë u ideua nga arkitekti i famshëm britanik John Pawson, i njohur për punën e tij në artin minimalist, dhe nga stilisti që ndodhet në Paris, François Champsaur, i vlerësuar për stilin e tij më lozonjar.
Shkrirja e këtyre dy vizioneve është e dukshme në të gjithë hotelin, veçanërisht kur elementët arkitekturorë klasikë – për shembull, korridori i harkuar me dysheme parketi – bashkohen me ngjyrat e forta dhe me ndriçimin rozë të frymëzuar nga à la Luis Barragán.
“Me Edicionin e Madridit, doja të krijoja një vend me një intensitet të barabartë, por të ndryshëm – hapësira të qeta ku mund të tërhiqesh, por edhe një mjedis të ngarkuar me jetën dhe identitetin e vet”, tha Pawson në një deklaratë.
Në tarracën e hotelit mund të gjeni gjithashtu restorantin Oroya, i cili drejtohet nga kuzhinieri peruan Diego Muñoz, ndërsa në katin e nëndheshëm ndodhet një klub nate magjepsës, i cili do të hapet më vonë gjatë këtij viti.
Hoteli ofron gjithashtu një pishinë të hapur, një palestër dhe një spa.
Edicioni i Madridit është aktualisht në fazën e tij paraprake, ndërsa hapja e plotë për publikun është planifikuar për javën e tretë të prillit. Çmimet fillojnë nga afërsisht 780 dollarë për një natë. / Travel & Leisure