Pas tetë vjet “heshtjeje”, tregut shqiptar të sigurimeve i është shtuar një kompani e re. Një hyrje që vjen në një periudhë jo fort të favorshme për ecurinë e tregut, por që shihet si sinjal pozitiv, i rëndësishëm në periudha krizash financiare.
Në mbledhjen e fundit, bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare njoftoi miratimin e dhënies së licencës për shoqërinë ANSIG sh.a, me kapital tërësisht shqiptar, që do të operojë në tregun e sigurimeve për klasat e Jo-Jetës.
Në dy vitet e fundit janë shënuar disa “lëvizje” në tregun e sigurimeve. Në shtator të vitit 2011, “Vienna Insurance Group” bleu edhe “Intersig”.
Në Shqipëri (ashtu siç ndodh edhe në tregun bankar) pjesa më e madhe e tregut të sigurimeve kontrollohet nga shoqëri të huaja. Sipas AMF-së në vazhdimësi ka pasur shfaqje të interesit nga aktorë të huaj për këtë treg, i cili duket se ka ende potenciale të pashfrytëzuara.
Futja në treg e kompanisë ANSIG ndodhi në një kohë kur tregu i sigurimeve po shënon vlera negative (referuar shifrave të 4-mujorit të parë të vitit 2012). Të ardhurat nga primet e shkruara bruto u llogaritën në 8.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 56.48% dhe ato të sigurimit të detyrueshëm, 43.52% të tregut. Tregu shqiptar i sigurimeve të Jo-Jetës ndahet ndërmjet shoqërive të sigurimit: “Sigal Uniqa Group Austria”, “Sigma Vienna Insurance Group”, INSIG, “Atlantik”, “Interalbanian”, “Albsig”, “Intersig” dhe “Eurosig”, e pas kësaj edhe me një tjetër shoqëri, ANSIG.
Në treg, sinjale pozitive
Flet Enkeleda Shehi, kryetare, AMF
Licencimi i shoqërisë së re të sigurimit, ANSIG, i shton tregut të sigurimeve në Shqipëri edhe një shoqëri të re, duke e çuar në 11 numrin e operatorëve në treg. Licencimet e fundit në këtë treg datojnë që në vitin 2004. Shoqëritë e sigurimit, që ushtrojnë aktualisht veprimtari sigurimi janë licencuar para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9267, datë 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime” dhe rrjedhimisht licencimi i shoqërisë së re ANSIG sh.a., përfaqëson shoqërinë e parë të sigurimit të licencuar me kuadrin rregullator në fuqi.
Licencimi i shoqërisë ANSIG nga bordi i AMF vjen pas një procesi të gjatë, gati njëvjeçar shqyrtimi dhe diskutimi me shoqërinë aplikuese për përputhshmërinë me kërkesat ligjore. Në përputhje me ligjin, në nëntor 2011, bordi i AMF miratoi licencimin paraprak të shoqërisë ANSIG, që konsistonte në përmbushjen e kërkesave për konturimin e biznesit të sigurimit.
Faza e dytë dhe përfundimtare e licencimit ishte e lidhur me krijimin dhe regjistrimin e shoqërisë, kontraktimin e stafit drejtues, derdhjen e shumës së kapitalit themeltar dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për fillimin e aktivitetit.
Çfarë do të thotë për tregun e sigurimeve, por edhe për konsumatorin shqiptar futja e një shoqërie të re?
Futja e një operatori të ri në tregun e sigurimeve, sidomos në një moment të vështirë që po kalon ekonomia e vendit, është një sinjal tepër pozitiv. Ky sinjal duhet të interpretohet në disa drejtime. Së pari konfirmon zhvillimin e vazhdueshëm të tregut dhe faktin që tregu i sigurimeve është tërheqës për investitorë të rinj. Kështu tregut të sigurimeve i injektohen menjëherë edhe 370 milionë lekë kapitale, që do të thotë kapacitet shtesë për nënshkrimin e rreziqeve në tregun vendas. Efektet pozitive shtrihen dhe në aspektin e hapjes së vendeve të reja të punës, pasi shoqëria e re do ketë përfaqësi në qytetet kryesore të vendit. Të gjitha këto janë sinjale pozitive për këtë segment të tregut financiar, dinamika e zhvillimit të të cilit ka bërë që të jetë vazhdimisht në fokusin e investitorëve strategjikë.
Si pritet të ndikojë te konkurrenca, për sa i përket përmirësimit të shërbimit, si dhe besimit të konsumatorit në tërësi?
Nisur nga specifika që ka biznesi i sigurimeve, pritet që futja e operatorit të ri do të rrisë më tepër presionin ndaj tregut për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit. Konkurrenca cilësore është gjithnjë në interes të konsumatorit, por jo vetëm kaq; për AMF, një treg konkurrent me një numër të mjaftueshëm operatorësh, do të thotë më tepër hapësirë dhe fleksibilitet për ushtrimin e mekanizmave mbikëqyrëse dhe kjo përkthehet direkt në favor të mbrojtjes së konsumatorit.
Çfarë sinjalesh duhet të presim në vazhdimësi për sa i përket tregut të sigurimit, ku do të fokusohet roli i AMF-së në përmirësimin e tregut?
AMF, në thelb të punës së saj, ka gjithnjë mbrojtjen e konsumatorit. Realizimi i këtij objektivi duhet parë si një proces i vazhdueshëm i punës së AMF dhe dikton një sërë objektivash konkretë, që për vitin 2012, AMF i ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme. Konkretisht fokusi është te rritja e cilësisë dhe efektivitetit të procesit mbikëqyrës, përmirësimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor e rregullativ, forcimi i pavarësisë dhe transparencës së AMF-së, rregullimi efektiv i tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik, etj. Të gjitha këto objektiva zbërthehen në një sërë projektesh dhe zhvillimesh që AMF ka në proces dhe që do komunikojë në vazhdimësi për ecurinë e tyre.
Të dhëna për shoqëritë e Jo-Jetës (licencimet, origjina e kapitalit)
Efekti
Nisur nga specifika që ka biznesi i sigurimeve pritet që futja e operatorit të ri do të rrisë më tepër presionin ndaj tregut për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.