(ndërkohë një tjetër dështon në përkthimin e “librit më misterioz në botë”
Çdo ditë, qindra miliona përdorues përdorin përkthyesit online që shfrytëzojnë bazat e Inteligjencës Artificiale…
Inteligjenca Artificiale dhe përkthyesit online
Një dyshim, një hezitim. Disa klikime dhe, papritmas, gjithçka bëhet më e qartë. Çdo ditë, qindra miliona përdorues përdorin përkthyesit online në të gjithë botën. Këta përkthyes shfrytëzojnë bazat e “machine learning” dhe Inteligjencës Artificiale për të përmirësuar përkthimin, falë mësimit automatik. Algoritmet mësojnë nga gjuha e njeriut dhe synojnë të korrigjojnë defektet dhe të kapërcejnë pengesën e përkthimit fjalë për fjalë.
Sipas një studimi të Departamentit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Alberta-s, në Kanada, hapi tjetër do të jetë identifikimi i gjuhës së koduar, ose përcaktimi i gjuhës burimore të një dokumenti të kodifikuar, duke e zëvendësuar me një kod alfabetik. Metoda më eficiente e zhvilluar deri më tani ka saktësi 97% në 380 gjuhë në të gjithë botën. Përpjekjet për të përdorur Inteligjencën Artificiale për të përkthyer dhe për të deshifruar dorëshkrime pak a shumë të koduara janë të përditshme.
Inteligjenca Artificiale (nuk e) ka përkthyer “librin më misterioz në botë”
Analistët e kanë cilësuar si “libri më misterioz në botë”. Dorëshkrimi Voynich është një kod i ilustruar që daton në shekullin XV, i shkruar me një sistem shkrimi që nuk është deshifruar ende. Gjuha e përdorur në tekst nuk i përket asnjë sistemi të njohur alfabetik / gjuhësor. Ajo përmban ilustrime me bimë të paidentifikuara, diagrama astrologjike, kështjella dhe dragonj, si dhe një pjesë ku shfaqen femra lakuriq në pishina. Duket një hartë e një parku antik ujor, por studiuesit mendojnë se mund të jetë një dokument me karakter mjekësor.
Kopja e vetme e librit, që ka marrë emrin e tregtarit të librave Wilfrid Voynich, ruhet të Bibliotekën Beinecke Rare Book & Manuscript në Universitetin e Yale, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë tregtari u përpoq ta përkthejë dorëshkrimin, por pa sukses, ashtu si dhe studiues të tjerë, ndër të cilët edhe Alan Turing, babai i Inteligjencës Artificiale. Të fundit që po përpiqen ta përkthejnë janë kërkuesit e Universitetit të Alberta-s, në Kanada, duke përdorur një algoritëm.
Përse IA nuk e ka përkthyer “librin më misterioz në botë?”
Rezultati? Mund të cilësohet dështim. Dhe, kryesisht për një arsye: algoritmi i kërkuesve kanadezë ka identifikuar gjuhën hebraike në dorëshkrimin Voynich. Por sistemi është indoktrinuar me një sasi të madhe të dhënash gjuhësore nga gjuhët që janë aktualisht në përdorim dhe i stërvitur të njohë gjuhën hebraike aty ku ajo shfaqet. Sipas shtypit amerikan, dorëshkrimi Voynich është shkruar në gjuhën hebraike në shekullin XV, pasi libri duket se daton në periudhën mes viteve 1403 – 1492. Kjo është arsyeja pse e bën të vështirë në sytë e një algoritmi, i mësuar të njohë gjuhën hebraike që është sot në përdorim.
Një Inteligjencë Artificiale ka përkthyer 800 faqe në 12 orë
Ndërkohë që një Inteligjencë Artificiale ka dështuar në përkthimin e “librit më misterioz në botë”, një tjetër Inteligjencë Artificiale ka befasuar ekspertët dhe përkthyesit. Quantmetry dhe start-up gjerman DeepL kanë përfunduar përkthimin e një libri prej 800 faqesh në 12 orë, duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Lajmi u bë publik disa javë më parë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Taipei, Tajvan. Një përkthyesi do t’i ishin dashur mesatarisht 5 – 6 muaj për ta përkthyer librin në fjalë.
Kush ishte Wilfrid Voynich
Wilfrid Voynich është një polak revolucionar, antikuar dhe bibliofil. Voynich drejtonte një nga kompanitë më të mëdha të librave në botë. Një ndër objektet më të famshme në zotërim të Voynich ishte një dorëshkrim misterioz, të cilin e bleu në vitin 1912 në Villa Mondragone në Itali, por publikut iu prezantua për herë të parë në vitin 1915. Dorëshkrimi është shkruar në karbon, gjë që tregon se materialet janë prodhuar mes viteve 1404 – 1438, edhe pse ai mund të jetë shkruar shumë më vonë. Voynich e pati në zotërim këtë dorëshkrim deri në fund të jetës, i cili ka marrë emrin e tij.
Burimi: Corriere della Sera