Në kohën që ju jeni duke lexuar këtë artikull, mbi 60,000 anije mallrash ndodhen në det të hapur, të ngarkuara me iPhone nga Kina, fustane nga Bangladeshi, mish lope nga Argjentina, naftë nga Gjiri Persik dhe shumë të tjera. Industria mburret se është përgjegjëse për “90% të gjithçkaje”, shkruan The Economist.
Me të vërtetë, anijet e saj janë sistemi qarkullues i tregtisë globale dhe 1.2 milionë detarët tregtarë janë gjaku që e mban atë gjallë. Këto anije u japin mundësi kombeve ta shndërrojnë përparësinë e tyre në pasuri. Nëse ato do të ndaleshin, një pjesë e mirë e njerëzimit së shpejti do të vdiste nga uria ose nga i ftohti.
Gjatë pandemisë COVID-19, detarët tregtarë kanë vazhduar punën. Por ata kanë ngecur në bord. Në një javë normale, rreth 50,000 veta përfundojnë kontratat dhe janë të lirë. Virusi e ka ulur atë numër në pothuajse zero. Mbi 250,000 marinarë janë bllokuar në det, edhe pse ka kaluar të paktën një muaj nga afati i kontratës, që zakonisht zgjat tre deri në nëntë muaj. Çdo ditë, numri total rritet, dhe një punë thelbësore fillon të duket më shumë si punë e detyruar.
Shumica e detarëve tregtarë vijnë nga vendet në zhvillim, sidomos India, Indonezia dhe Filipinet. Ata i fillojnë dhe mbarojnë kontratat e tyre në çfarëdo porti që përcakton orari i transportit. Firmat e administrimit të anijeve që organizojnë listat dhe kontratat për pronarët e anijeve, i çojnë dhe i marrin ata me fluturim. Por shumica e fluturimeve tregtare janë ndërprerë për disa muaj. Menaxherët do të kishin përdorur aeroplanët charter, por shumë vende refuzojnë hyrjen për shtetasit e huaj. Disa largojnë edhe vetë shtetasit e tyre. Detarët e kanë të ndaluar të zbarkojnë dhe ekuipazhit i ndalohet hyrja.
Kjo situatë është e padrejtë për marinarët, si ata në bord dhe ata në breg. Të parët nuk e dinë se kur do të kenë mundësi t’i shohin sërish familjet e tyre; të dytët nuk e dinë se kur do të kenë mundësi të fitojnë një pagë. Është gjithashtu një gjendje e rrezikshme. Lodhja e bën të vështirë përqendrimin dhe anijet e mallrave janë vende me presion të lartë dhe rrezik të lartë. Nëse marinarët detyrohen të punojnë pa pushim, rriten mundësitë për aksidente.
Në ditët e para të pandemisë, qeveritë ndoshta mund të shfajësoheshin për neglizhencën e tyre. Kishte shumë gjëra të tjera për t’u shqetësuar. Por izolimi është zvarritur dhe marinarët tani kanë çdo të drejtë të ndihen të zemëruar. Pasi qëndruan të mbyllur për muaj me radhë, duke mos parë askënd me sy përveç pilotit ose zyrtarit të portit, ata janë ndër personat që kanë më pak të ngjarë në botë për të përhapur virusin.
Ata e dinë se po shpërfillen thjesht sepse mund të shpërfillen. Drejtuesit e kamionëve, mallrat e të cilëve nuk mund të kalojnë kufijtë pa ta, u klasifikuan shpejt si punëtorë thelbësorë. Detarët, për fat të keq, mund të qëndrojnë në bord ndërkohë që ngarkesat e tyre ngarkohen dhe shkarkohen.
Më 16 qershor, një marrëveshje e industrisë që lejon zgjatjen e urgjencës në kontratat e punës skadoi. Nëse nuk fillojnë ndryshimet e ekuipazhit, kontratat e sigurimeve mund të humbasin – një dhimbje koke për të gjithë industrinë.
Zgjidhja e problemit
Por problemin duhet ta zgjidhin qeveritë, jo pronarët e anijeve dhe menaxherët. Muajin e kaluar, Organizata Ndërkombëtare Detare, një krah i OKB-së, publikoi një protokoll për ndryshime të sigurta të ekuipazhit gjatë pandemisë.
Pothuajse asnjë vend nuk ka arritur ta zbatojë atë. Hapi më i rëndësishëm është të klasifikohen detarët tregtarë si punëtorë të rëndësishëm, duke e bërë të mundur që të kalojnë kufijtë dhe të udhëtojnë nëpër porte gjatë karantinave. Portet dhe aeroportet kanë nevojë për ambiente të posaçme për kryerjen e testimeve dhe karantinimin e marinarëve. Në kohë të zakonshme, e gjithë kjo mund të duket punë e rëndë.
Por bota në periudhën e COVID-19, është tashmë një vend ku parukierët sterilizojnë gërshërët pas çdo klienti dhe zyrat instalojnë tavolina që mund të zhvendosen lehtë, për të ruajtur distancimin social. Edhe transporti duhet të përshtatet me këto realitete të reja. Duart e padukshme të tregtisë globale nuk duhen harruar. Kur mbarojnë punën, ata e meritojnë të shkojnë në shtëpi.
Globalizimi
Duart e padukshme të tregtisë globale nuk duhen harruar. Kur mbarojnë punën, ata e meritojnë të shkojnë në shtëpi.