Një mal me probleme për prodhuesit shqiptarë

30/11/2019 10:06 PM 0 komente

Sfidat me të cilat përballen çdo ditë bizneset prodhuese në Shqipëri nuk janë të pakta. Bizneset prodhuese kanë një kontribut të gjerë në punësim, por edhe në vlerën e shtuar që i japin ekonomisë. Ato vuajnë konkurrencën rajonale për të kapur tregjet, në një kohë kur produktet “Made in Albania” shiten 30% më lirë se vlera reale. Emigracioni po godet eficencën e bizneseve, me mungesën e stafeve të kualifikuara, në të njëjtën kohë rrezikon edhe konsumin. Çfarë kërkojnë prodhuesit nga shteti?

 

Nga Ledina Loga

Bizneset prodhuese shqiptare po bëjnë një rrugëtim të vështirë mbijetese, mes vështirësisë për të krijuar një emër të mirë për produktet “Made in Albania” dhe konkurrencës që ju vjen nga importi. Një pjesë e tyre kërkojnë që qeveria të punojë për eliminimin e barrierave doganore, çka do të mundësonte tregje të reja për biznesin prodhues shqiptar. Në Konventën e Parë të Prodhuesve Shqiptarë, përfaqësues nga sektorë të ndryshëm folën për sfidat e bizneseve prodhuese gjatë dy sesioneve, ku u diskutua mbi konkurrueshmërinë dhe se si ndryshimet teknologjike po prekin sektorë të ndryshëm në vend.

Për ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, konkurrueshmëria duhet të mbështetet së pari në zhvillimet teknologjike, së dyti në përmirësimin e zinxhirit të vlerës së shtuar dhe, së treti, në stafin e kualifikuar, i cili në Shqipëri paraqet sfida për ta sjellë sipas nevojave që ka biznesi. Për këtë të fundit, deklaroi ministrja, po punohet për unifikimin e diplomave profesionale me vendet e rajonit. Por ky nuk është problemi i vetëm i prodhimit shqiptar. Sokol Kraja, kryetar i bordit i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë u shpreh se një kompani shqiptare, që të eksportojë, sot përballet me shumë vështirësi, duke iu referuar barrierave tarifore dhe jo tarifore që kufizojnë tregtimin e prodhimeve “Made in Albania” në tregjet rajonale apo dhe më gjerë.

“Ekonomia shqiptare ka një bilanc tregtar negativ. Në strukturën e eksporteve që bën ekonomia shqiptare, mbi 60% e zënë eksportet e naftës krudo, më pas renditen mineralet dhe fasoneria” – tha ai. Megjithatë sipas ministres Denaj, të dyja palët (qeveria dhe bizneset) kanë detyra për të bërë, për ta çuar prodhimin shqiptar jo vetëm në tregjet rajonale, por edhe më gjerë.

 

Lufta për tregje

Për Sokol Krajën, kryetar i Bashkimit të Prodhuesve, industria shqiptare mbështetet në industri të lehta, sikurse është ajo agroushqimore. Megjithatë produktet “Made in Albania” po vuajnë prej mungesës së besueshmërisë. Kjo i ka detyruar prodhuesit që t’i shesin produktet shqiptare 30% më lirë. Kraja shprehet se sot, produktet shqiptare e kanë të vështirë që të tregtohen jashtë vendit. Një nga kërkesat kryesore që kanë ata si prodhues është krijimi i tregjeve të përbashkëta, veçanërisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Luftërat sot bëhen për tregje dhe për tregti të lirë. Ne nuk dalim dot jashtë 28 mijë km katrorë. Rritja e konkurrueshmërisë kërkon që të kenë: treg, cilësi, shërbim dhe çmim konkurrues. Kërkojmë të bashkohemi me Kosovën dhe me Maqedoninë. Fatura shqiptare e TVSH-së të njihet në Kosovë dhe të mos vuajmë më prej ndalesave të gjata në doganë” – u shpreh ai. Sipas Krajës, tregu duhet të jetë të paktën 5 milionë banorë. Një treg me një bazë të gjerë konsumatore do të rriste mundësinë e zgjerimit të industrisë prodhuesve në vend, bizneset do të kishin mundësi të përfitonin nga ekonomia e shkallës.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, nëse do t’i nënshtroheshin një marrëveshje të tregtisë së lirë, përbëjnë një treg 6.7 milionë konsumatorë. Me presionet e ndryshimeve demografike, të një popullsie në tkurrje, bashkimet doganore do të mundësonin lehtësi në tregtimin e produkteve.

 

Kostot “mbysin” mundësitë për zgjerim

Mario Bracci, drejtues i Titan Group, një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të çimentos në vend, mendon se rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare lidhet ngushtë me kostot në mënyrë që kompanitë shqiptare të jenë konkurrente në tregjet ndërkombëtare. Për fat të keq, sipas Mario Bracci-t, fabrikat shqiptare kanë pak mundësi për të përfituar, ndonëse aktualisht, janë të fokusuar në rritjen e produktivitetit dhe eficencës.

Një ndër kostot kryesore që ndikon në biznesin e Titan Group janë ato të karburanteve, me peshë 60% të totalit të kostove. Sipas Mario Bracci-t, kostot e karburanteve janë rritur me të paktën 15% në vitet e fundit, të ndikuara nga taksat lokale. Por nëse taksat do të kishin shkuar në një linjë me konkurrentët e industrisë shqiptare, pa dyshim që do të ishin më konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Bracci shtoi më tej se këto kosto ndikojnë deri në 50% në prodhimin e produkteve “Made in Albania” dhe deri diku, shkurtimi i tyre është i pamundur, pasi ka edhe taksa indirekte. Braçi përmendi si një ndër konkurrentët kryesorë të Shqipërisë në këtë sektor Italinë, e cila nuk i ka këto taksa që prekin prodhimin. Industria propozon uljen e taksave për prodhimin.

Bracci shtoi se, edhe pse reduktimi i taksave, që prek direkt prodhimin vendas, do të ndikonte në buxhetin e shtetit, taksat mund të aplikohen drejtpërdrejt në produktin final, apo edhe tek importet, duke mos prekur prodhimin. Një tjetër element që mund të rrisë prodhimin vendas, sipas tij, është zëvendësimi i karburanteve, me ato që njihen “alternative fuel”, me anë të procesimit të mbetjeve urbane. Pjesa më e madhe e mbetjeve urbane shkojnë në landfill-e, por një mundësi është edhe përdorimi i tyre nga industria e çimentos. Ai theksoi se industria prodhuese ka potencial të madh për të rritur prodhimin dhe kontributin në ekonomi, por për këtë duhet të ketë më shumë nxitës fiskalë. Një tjetër vështirësi që pengon zgjerimin e eksporteve të sektorit janë kufizimet për shkak të parametrave të Portit të Durrësit. Për të rritur sasitë që kompanitë shqiptare eksportojnë duhen kryer investime të mëdha në infrastrukturën portuale për thellimin e portit.

 

Investimet e sipërmarrësve shqiptarë me risk

Luan Leka, një nga sipërmarrësit më të hershëm, artikuloi një shqetësim, që mbase shumë e mendojnë por pak e artikulojnë me zë të lartë, rrezikun që kanë investimet në Shqipëri. Sipas Lekës, investimet në Shqipëri rrezikohen nga tregu i dobët ku sipërmarrësit detyrohen të punojnë. Po çfarë mund të bëhet për uljen e riskut në investime. Për industrinë e përpunimit të qumështit, mishit dhe pijeve, konkurrenca vërshon në treg nga produktet e rajonit, të cilat, sipas Lekës, trajtohen pa taksa.

“Ndër vite jemi munduar të zhvillojmë procesin e punës nëpërmjet linjave moderne të prodhimit dhe automatizimit të proceseve. Kompanitë shqiptare për të jetuar, detyrohen të përballen me kosto të larta që një treg i vogël dhe i varfër si Shqipëria nuk i justifikon dhe nuk i bën eficente këto investime”- tha Leka. Bizneset shqiptare duhet të përgatiten që të dalin në tregjet europiane dhe rajonale. Leka vuri në dukje edhe pengesat që hasin produktet shqiptare për të shkuar në tregjet rajonale. “Për të kapërcyer këto rrethana penguese, biznesi duhet të zhvillohet, por ka disa ndryshime në sistemin ligjor, të cilat duhet të ndërmerren nga shteti”- u shpreh Leka, i cili renditi disa prej tyre.

“Së pari brand-i ‘Made in Albania’ nuk është i besueshëm për shkak të sigurisë ushqimore. Flasim për një përpjekje prej 15 vitesh për të përafruar legjislacionin dhe nuk është arritur asgjë. Duhet të fusim në fuqi ligjet europiane siç janë. Kjo është një mënyrë për të qenë të besueshëm.
Së dyti, duhet të trajtojmë një sistem të besueshëm inspektimi. Dua të jap një shembull të thjeshtë në industritë e prodhimeve shtazore, të cilët nuk kanë të drejtë që të eksportojnë asnjë gramë produkt me origjinë shtazore, dhe kjo po iu ndodh edhe kompanive me certifikime europiane. Arsyeja kryesore është se sistemi i ynë i eksportimit nuk funksionon” – shpjegoi Leka.

Kompanitë shqiptare të përpunimit të mishit paguajnë taksa për importin e lëndëve të para, ndërkohë që produktet importuese hyjnë në Shqipëri pa taksa. Rritja e aftësive konkurruese të kompanive shqiptare pa dyshim që është një proces kompleks.
Ndër të tjera, për industrinë agroushqimore mbetet shqetësim rimbursimi i TVSH-së, bujqësore apo blegtorale, pasi agropërpunuesit duhet të shesin me një regjim prej 20% në shitje, por blejnë te fermerët me TVSH 6%. Diferenca prej 14% përkthehet në kosto për agropërpunuesit. Sipas Luan Lekës, këtu duhet të veprojë shteti për të modifikuar këtë ligj.

 

Mungesa e fuqisë punëtore, produktivitet i ulët për kompanitë shqiptare

Reshat Mansaku, drejtues i kompanisë Zodiac, e fokusuar me përpunimin dhe tregtimin e metaleve, u shpreh se Shqipëria ka probleme serioze, të cilat rëndojnë biznesin. Sipas tij, edhe pse vitin që shkoi qeveria mori një nismë për të bërë rregullimin administrativ, për të përmirësuar procedurën, sot ende kërkohet leje për të eksportuar. Mansaku thotë se kjo leje eksporti nuk ekziston në asnjë vend tjetër të botës.

“Nismat ligjore te ne vazhdojmë të merren të pastudiuara, jo të nisura nga interesat më të mira të ekonomisë. Në këtë kuadër, nismat ligjore duhet të mos merren pa konsultim të qenësishëm me biznesin. Përfaqësuesit e qeverisë thonë gjithmonë që i kanë konsultuar. Por bizneset pyeten në fund pasi është marrë vendimi. Unë do të thosha se ne duhet të këmbëngulim që ligji për konsultime publike duhet të ndryshojë. Besoj se është një çështje që e vuajmë të gjithë ne” – u shpreh ai. Mansaku u ndal edhe te nevoja që kanë bizneset shqiptare që të eksportojnë, pasi vetëm kështu ekonomitë e vogla si Shqipëria mund të përfitojnë nga ekonomia e shkallës. Shqipëria, sipas tij, ka tarifat portuale më të shtrenjtat në Europë.
Kostot për transportimin e një kontejneri janë dy-tre herë më shtrenjtë. “Nuk kemi një port me infrastrukturën e nevojshme. Flitet shumë pak për një gjë kaq të rëndësishme” – tha ai.

Situata bëhet sa komike, aq edhe tragjike kur një biznes vuan nga ndërprerjet e energjisë, e cila është e pafalshme sot. “Ndërkohë që energjinë e paguajmë shumë shtrenjtë. Ne kemi lëndë djegëse naftën me çmime më të larta se vendet e zhvilluara, ndërkohë të gjithë vendet e rajonit e kanë më të ulët se ne”- tha Mansaku. Përpos gjithë problemeve të mësipërme, një fenomen tjetër po bëhet gjithnjë e më shqetësues për Shqipërinë. “Ne kemi pasur fuqi punëtore me kostot më të përshtatshme, ndonëse nuk ka qenë një avantazh i madh për Shqipërinë, pasi nuk ka profesionistë çka shkakton produktivitet të ulët” – u shpreh Mansaku.

Emigracioni është një fenomen që nuk mund të ndalohet, por duhet të mendojmë për politika që t’i bëjnë njerëzit e interesuar për të qëndruar këtu.
Mansaku hedh edhe propozimin që të plotësohet fuqia punëtore nga emigrantë që mund të zgjedhin Shqipërinë për të punuar. “Duke qenë se nuk e ndaluam dot largimin e krahut të punës, është koha të mendojmë si do ta rregullojmë kuadrin ligjor që të mendojmë të marrim punëtorë nga jashtë. Duhet të mendohet që të krijohet një infrastrukturë, e cila ta bëjë të mundur këtë lëvizje” – ishte propozimi i tij.

 

Ligjet që nxjerrin jashtë loje biznesin, rasti i qeseve

Vullnet Haka, kryetar i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, si dhe drejtues i kompanisë së riciklimit Everest, mendon se sfidat e biznesit në Shqipëri mbeten bazike. Ato prekin të gjithë aktivitetin ekonomik të vendit, por veçanërisht atë prodhues.

“Organizatat tona të biznesit duhet të dinë se çfarë ndryshimesh ligjore parashikon qeveria të bëjë dhe jo të njoftohen në momentin e fundit. Ne si biznese duhet të njoftohemi paraprakisht dhe të bëhemi pjesë e studimeve të Ministrive. Është e papranueshme që në këto studime, si në rastet e plastikës, të mos bëhemi pjesë dhe ne të mos angazhojmë ekspertë nga ana jonë”- tha Vullnet Haka, duke sjellë si shembull rastin më të fundit ku Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar një projektligj ku parashikon që deri më 2020 të ndalojë prodhimin, tregtimin dhe përdorimin e qeses. Nëse ky projektligj do të miratohet, do të prekë të gjithë zinxhirin e industrisë së plastikës, nga ricikluesit te konvertuesit e saj. Kjo industri, sipas Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, përllogarit një vlerë investimi prej 200 milionë eurosh dhe mbi 30 mijë të punësuar direkt dhe indirekt.

Sipas prodhuesve të qeseve plastike, hartimi i këtij projektligji, që sipas Ministrisë së Mjedisit bëhet për të ulur ndotjen në mjedis, nuk është konsultuar me grupet e interesit. Më pak se një vit më parë, pjesa më e madhe e këtyre kompanive iu nënshtruan ndryshimeve teknologjike, duke përmirësuar proceset e tyre prodhuese, për shkak se Qeveria miratoi një ligj ku përcaktonte parametrat e reja të prodhimit të qeseve. Për të plotësuar kushtet e reja, bizneset kryen investime të mëtejshme, ku një pjesë morën edhe kredi. Miratimi i këtij ligji pritet që t’i vërë drynin 34 kompanive prodhuese, por efekti do të jetë edhe më i gjerë për shkak se kompanitë ricikluese të plastikës janë furnitorët kryesorë të lëndës së parë.

Për bizneset e sektorit, vendimi është i padrejtë, duke qenë se problemi i ndotjes nuk zgjidhet, sipas tyre, me ndalimin e prodhimit të qeses, por me Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve në Burim. Jorgji Basho, administrator i një prej kompanive kryesore prodhuese në vend, PolyPack, thotë se problemi i ndotjes së qeseve qëndron te menaxhimi i integruar i mbetjeve në burim. Sipas tij, aktualisht në 70% të fshatrave në Shqipëri nuk ka një kosh ku të hidhen mbeturinat, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve përfundojnë në përrua dhe këtu, sipas tij, nuk ka faj prodhuesi. Ai shton se në ditët e sotme, fshatrat prodhojnë mbetje njësoj si zonat urbane. Asgjë nuk zgjidhet përveç dëmit ekonomik që i bën kësaj sipërmarrje.
Vullnet Haka, kryetar i Konvertuesve të Plastikës, thotë se është e papranueshme që brenda një viti, qeveria të dalë me dy propozime për prodhimin e qeseve plastike.

“Këto janë të rëndësishme për të krijuar një klimë mbështetëse, që ne si biznese të zhvillojmë më tej investimet tona. Çfarë mund të bëjnë sipërmarrësit, çfarë mundësie kanë bizneset për të bërë planifikim për ecurinë e aktivitetit dhe jo më për të shkuar drejt teknologjisë 4.0. Po vihemi në një situatë tërësisht negative të pamundur për të bërë biznes” – tha në fund Vullnet Haka. Aktorët e industrisë së plastikës thonë se nëse nuk arrijnë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët do të shkojnë në protestë dhe sigurisht nëse projektligji miratohet, do të kërkojnë dëmshpërblim për investimet që kanë bërë, për një biznes në përputhje në ligjin. Ata do të kërkojnë të marrin mbrapsht edhe vlerën e investimeve, si dhe fitimin e munguar nga sipërmarrjet. Petrit Xheli, drejtues i kompanisë prodhuese të qeseve Xhelips, që prej 1995-s, tha pak javë më parë për “Monitor” se duhet që të njoftohen të paktën 7 vite para dhe sipërmarrësit të ndalin investimet.

 

Energjia, element kryesor në kosto

Zef Shtjefni, drejtues i kompanisë së tullave Mili’s Brick, thotë se kompania e tyre mbulon afërsisht 30% të kërkesës në vend dhe 40% të eksporteve. Ndonëse në fillimet e industrisë së qeramikës në Shqipëri kishte nga një fabrikë thuajse në çdo qytet, ku sigurisht aplikohej një teknologji e vjetër në prodhim, në treg mbijetuan vetëm tre fabrika. “Përmirësuam teknologjinë se ndryshe nuk do të rezistonin në treg”- u shpreh Zef Shtjefni.
Industria shqiptare e qeramikës eksporton kryesisht në Kosovë dhe në Mal të Zi, dhe pak në Maqedoni. Një nga sfidat kryesore të kësaj industrie është ikja e fuqisë punëtore, ku bizneset po përballen me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore. “Kjo po i ndodh edhe Shqipërisë në mënyrë masive. 20 gra do t’i zëvendësojmë me dy robotë” – tha Shtjefni.

“Megjithatë duke u ndalur në problemet reale, çmimi i energjisë elektrike na masakron në kostot e prodhimit. 70 milionë lekë paguam faturën në një muaj. Prodhuesit shqiptarë të energjisë janë shtuar dhe nuk ka vend për çmime të larta” – shtoi Shtjefni. Edhe për Dionis Teqjën, drejtues i Teqja Interantional, energjia vijon të jetë një prej elementeve kryesore në kostot e prodhimit. Aktualisht, sipas Teqjes, kompania që ai drejton ka mundësi të kryejë inovacion në përdorimin e teknologjisë. Linja 500 kv, sipas tij, është e papërfillshme dhe mbulon një pjesë të menaxhimit të kostove. Industria e qeramikës po përballet me rënien e konsumit në vend, për shkak të rënies së kërkesës. Shtjefni shpjegon se futja e polisterolit në ndërtime është një prej faktorëve, pasi po përdoret si produkt zëvendësues duke rritur edhe rrezikun.

 

Burokracitë shqetësojnë prodhuesit

Një tjetër problematikë që Shtjefni shtron është përpjekja për të forcuar shtetin nëpërmjet burokracive. “Për të marrë një licencë duhet më shumë kohë. Shihet si fenomen dobësimi i ndërtimit. Po na mbajnë të gjallë eksportet drejt Kosovës, ndryshe do ta kishim të vështirë”- tha Zef Shtjefni.
“U tha se është ulur korrupsioni, por Bashkia e Tiranës ka rritur taksat, kështu nuk ke para të paguash korrupsion, edhe pse duket të pranojmë se zhbllokimi i lejeve të ndërtimit ka qenë pozitiv për industrinë tonë”- tha ai. Një problem tjetër janë doganat. “Me vendet fqinje, doganat duhen zhdukur. Të paktën me Kosovën. Nuk ka pasur asnjë rezultat, edhe pse janë zhvilluar shumë takime. Kjo sepse nuk ka pasur vullnet të palëve për të hequr doganën. Është paaftësia e administratës që nuk po hiqet trau”- tha Shtjefni.

 

Punë ka, por s’ka profesionistë

Zef Shtjefni propozon se për të zgjidhur problemin e kuadrit profesional duhen hapur shkolla profesionale. Sipas tij, laboratori i inxhinierisë është kthyer në muze dhe asnjë student nuk vjen në terren për të parë anën praktike. “Dy inxhinierë elektrikë që punësova nuk dinin asgjë. Ne kemi 80% të nxënësve që ndjekin arsimin e përgjithshëm, duke nxjerrë juristë dhe ekonomisë me shumicë…”

 

Prodhojmë me kosto dy herë më të larta se rajoni

Stefan Pinguli, drejtues i Stefani & Co, prodhues i Birrës Stela u shpreh se në këtë periudhë që ne pretendojmë të shkojmë në Europë duhet të jemi të kujdesshëm që të respektojmë kolonat e demokracisë, transparenca dhe gjithëpërfshirja. “Duhet të mendojmë për eksportet, të cilat krahasuar me importet janë në raporte kritike. Birrat shqiptare prodhohen me kosto dy herë më të lartë se birrat në Ballkan dhe më tej. Ende nuk kemi rregulluar raportet me TVSH dhe akcizën.

Bizneset nuk kanë mundësi në rimbursim, të cilat përllogariten sa 30% e TVSH-së apo akcizës. Ligjet mbeten të paqarta. Prodhimi birrës në 70% të saj është kosto që vjen nga importi, sikurse është edhe kostoja për sigurimin e shisheve plastike. Jemi në nivelet 30-35% të kostove të vetë produktit. Ne kemi kosto të pullave dhe DSHA-ve për të nxjerrë në pah akcizën e shtetit jo vetëm që janë të larta, sidomos shtetit, por ka nevojë edhe për punonjës të kualifikuar.

Këto pasoja i paguajmë ne. Ne parapaguajmë akcizën për mallin që ende nuk e kemi shitur. Së katërti kostot e energjisë, të cilat po ndikohen nga elementi populist. Përveçse më të shtrenjtë, bizneset prodhuese shqiptare paguajnë energjinë që e përdorin me shumicë më shtrenjtë se energjia që përdoret me pakicë. Kërkojmë të aderohemi në rajon apo BE, por duhet të ruhemi nga fenomenet e dumping-ut, të cilat rrezikojnë prodhuesit e vegjël dhe të mesëm” – shpjegoi Stefan Pingili.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of