Për të ndihmuar të gjithë që të punojnë në mënyrën më të mirë në shtëpi, ekipi i LinkedIn ka përpiluar një manual me këshilla për smart worker në këtë periudhë.
Ai u drejtohet prindërve që në këtë periudhë po punojnë nga shtëpia nën shoqërinë e fëmijëve, krijuar nga Marcello Albergoni, baba i një vajze dhe ekspert i çështjeve që lidhen me përparimin në karrierë në LinkedIn Italia.
Këshilla nga LinkedIn se si të punoni nga shtëpia në këtë periudhë me fëmijët pranë…
Flisni me fëmijët në mënyrë të hapur për atë që po ndodh dhe ndihmojini të kuptojnë se ju duhet të përqendroheni në punë. Shpjegojuni që ata duhet të përpiqen të mos ju shqetësojnë (me përjashtim të ndonjë rasti emergjent…) dhe t’ju jepni sigurinë se jeni ende aty për ta.
Krijoni një hapësirë në “këndin tuaj të punës në shtëpi” për fëmijët, në mënyrë që të qëndrojnë me ju ndërkohë që punoni, për shembull, gjatë një video-thirrje. Fëmija mund të luajë me ndonjë lodër aty pranë, të lexojë ndonjë libër apo të bëjë detyrat, nëse është në një moshë më të rritur.
Përpiquni të organizoni video-thirrje e mbledhje të rëndësishme gjatë orarit të gjumit të fëmijëve. Nëse fëmijët janë më të rritur për gjumin e drekës, caktoni çdo ditë, një kohë për “lojë të heshtur”, gjatë së cilës të lexojnë apo të luajnë në qetësi, dhe përdoreni këtë moment për video-thirrje që kërkojnë vëmendjen tuaj të plotë.
Shpjegojuni njerëzve me të cilët flisni në telefon ose në video-konferencë që fëmijët tuaj janë në shtëpi, kështu që mund të ketë zhurma në sfond apo ndërprerje. Disa njerëz madje mund t’i përshëndesin ndonjë nga fëmijët që mund të shfaqet në ekran.
Bëni pushime të shkurtra për të kaluar kohë cilësore me fëmijët gjatë ditëve të punës. Luani me ta lojën e tyre të preferuar, apo lexoni bashkë, në këtë mënyrë fëmijët nuk do të ndihen të lënë pas dore dhe nuk do të kalojnë një ditë të mërzitshme.
Nuk jeni vetëm! Shumë njerëz janë në të njëjtën situatë. Shfrytëzoni në maksimum rrjetin tuaj në LinkedIn për të luftuar ndjesinë e izolimit që mund të keni dhe përdorni instrumentet e ndryshme të disponueshme në platformë.
Në fund jini të sjellshëm dhe të kujdesshëm edhe me veten. Balancimi i ngarkesës së punës me vëmendjen që duhet t’u kushtoni fëmijëve mund të jetë e vështirë. Në këtë kontekst përpiquni të flisni dhe të ndani ide edhe me njerëzit në rrjetin tuaj në LinkedIn. Kjo mund ta bëjë përvojën disi më të thjeshtë.
Burimi: Forbes