Burimet e “më fal”
Është kemi diskutuar shumë nga rreziqet që na kërcënojnë: pandemia, problemet e zinxhirit të furnizimit dhe mbajtja e stafit. Por dua të ngre një shqetësim më personal: mundësinë që do të më duhet të kërkoj falje publike.
Kudo ku shikoja gjatë 12 muajve të fundit, kam vënë re se shefat po turpëroheshin. Mendimi se më duhet të premtoj se do të përpiqem të jem një njeri më i mirë, më bën të ndihem i neveritshëm, shkruan Thë Economist në rubrikën “Bartleby”.
Më lejoni të jem i qartë. Unë nuk jam kundër kërkimit të faljes, kur ka arsye. Sjellja e pahijshme duhet të nxirret në dritë dhe të hetohet, sado të dëmshme të jenë pasojat. Por ka disa shkaqe pse stuhitë e zjarrit janë bërë më të zakonshme. Teknologjia regjistron çdo veprim tonin. Punonjësit janë bërë aktivistë. Është më e vështirë të shmangësh polemikat në Kinë.
Fillojmë nga teknologjia. Pothuajse gjithçka që bëjmë tani si shefa ekzekutivë, lë një gjurmë dixhitale që mund të dëmtojë reputacionin tonë në të ardhmen. Vendimi i fundit nga Vishal Garg për të shkarkuar 900 anëtarë të stafit në Better.com përmes Zoom, ishte një ide e tmerrshme, dhe jo vetëm për ta. Mesazhet private mund të bëhen publike.
Chris Kempczinski, shefi i McDonald’s, kërkoi falje në nëntor pasi një kërkesë për lirinë e informacionit zbuloi përmbajtjen e mesazheve me shkrim që ai i kishte dërguar kryebashkiakut të Çikagos në lidhje me dy të shtëna me armë zjarri në qytet. (As nuk po e përmend korrespondencën personale të paraardhësit të tij.)
Ngado ka zemërim. Shefi i Sweetgreen, një zinxhir ushqimor I përqendruar te sallata, shkaktoi një reagim të ashpër në fillim të vitit, kur shkroi se shtrimet në spital nga Covid-19, ngrinin pikëpyetje për nivelin e obezitetit në Amerikë. Ai përfundoi duke kërkuar falje për pandjeshmërinë e tij (ose, siç duan ta quajnë disa njerëz, përdorimin e të dhënave) dhe e përshkroi këtë si një mundësi për të “nxjerrë mësim në të ardhmen”.
Stafi i punës po sillet ndryshe nga më parë. Sipas një sondazhi me 7,000 punonjës, të mbajtur nga firma Edelman, tani, me sa duket, punonjësit mendojnë se kanë më shumë rëndësi se klientët për suksesin afatgjatë të organizatave të tyre. Sikur kjo të mos mjaftonte, gjashtë në dhjetë punonjës, thonë se e zgjedhin vendin e punës bazuar në bindjet e tyre. Kufiri ndarës midis kompanisë dhe kryqëzatës, është zbehur.
Nëse punëtorët shohin diçka që nuk u pëlqen, ata kanë më shumë gjasa t’ia tregojnë këtë gjithë botës. Mendoni për ngjarjet që ndodhën vetëm vitin e kaluar.
Një grup punonjësish në Netflix, organizuan një dorëheqje në masë në vjeshtë, në protestë të një shfaqjeje speciale nga Dave Chapelle, të cilin ata e konsideronin transfobik. (Meqë ra fjala, kjo u përballua mjaft mirë nga kompania: shefi ekzekutiv Ted Sarandos, kërkoi falje për dështimin në mbrojtjen e vlerave morale, por nuk u tërhoq nga liria artistike.)
Tim Cook u ankua për faktin se Apple, një kompani dikur e njohur për fshehtësinë e saj, është bërë shumë e hapur, dhe këtë e shprehu në një memorandum që u zbulua menjëherë nga mediat.
Bankierët në Goldman Sachs, një grup njerëzish që punojnë posaçërisht për të vënë në provë kufijtë e ndjeshmërisë njerëzore, qarkulluan një PowerPoint ku u ankuan për ngarkesën e punës. Një menaxher i Meta-s, me ankesat e tij, i bëri dëm të madh reputacionit të kompanisë.
Ashtu si shumë kompani të tjera, ne po mundohemi të gjejmë mënyra se si mund të shtrëngojmë rrjedhën e informacionit nga brenda: për shembull, punonjësit mund të duhet të kërkojnë leje për të krijuar kanale të reja Slack.
Por ka një kufi se sa larg mund të shkojmë. Në prill, Basecamp, një kompani softuerësh, e ndaloi diskutimin e çështjeve shoqërore dhe politike në platformat e saj. “Ne nuk jemi një kompani me ndikim social”, shkroi një nga themeluesit. “Ndikimi ynë përmbahet në atë çka bëjmë dhe si e bëjmë”. Një e treta e punonjësve të firmës dhanë dorëheqjen, duke detyruar një tjetër kërkesë për falje.
Kina është një zonë problematike, veçanërisht për kompanitë shumëkombëshe amerikane që përpiqen të lundrojnë në ujërat e trazuara gjeopolitike. Në fund të dhjetorit, Intel shkaktoi zhurmë në mediat sociale në Kinë, pasi u dërgoi një letër furnitorëve, duke u kërkuar të mos përdorin komponentë nga Xinjiang për gjysmëpërçuesit. Firma kërkoi falje dhe e bëri të qartë se po përpiqej të qëndronte në përputhje me ligjet e SHBA-së, jo të vepronte sipas qejfit.
Në nëntor, Jamie Dimon shprehu keqardhjen për shakanë që bëri se banka JPMorgan Chase do të zgjaste më shumë se Partia Komuniste kineze. Një nga dy deklaratat e shefit të bankës për këtë gabim, përfshinte fjalët: “Nuk është kurrë e drejtë të bësh shaka ose të nënçmosh një grup njerëzish, qoftë një shtet, një udhëheqje, apo një pjesë të një shoqërie dhe kulture”.
Pra, për të pasur sa më pak kërkesa për falje këtë vit, mbani mend këtë: asgjë që themi apo bëjmë, nuk është private. Përqafoni të mërzitshmen. Mos e kritikoni Kinën, por veproni sikur të ishit duke jetuar atje. Dhe për hir të Zotit, mos ma bëni publik këtë memorandum.