Përvoja e Alibaba-s tregon se si marrëdhëniet midis Amerikës dhe Kinës janë përkeqësuar
Nëse doni të kuptoni se si ftohja e marrëdhënieve ndërmjet Amerikës dhe Kinës po ndikon në ndryshimin e biznesit global, një shembull i mirë, të cilit mund t’i referoheni është Alibaba, gjiganti i internetit, shkruan The Economist.
Kjo është firma më e suksesshme dhe më e vlerësuar në Kinë, vlera e së cilës shkon deri në 400 miliardë dollarë amerikanë. Gjatë pesë viteve të fundit, ajo ka qenë si një hibrid ndërmjet këtyre superfuqive, sepse aksionet e saj janë të listuara vetëm në Amerikë. Sipas Bloomberg, tani ajo po planifikon të vërë në qarkullim rreth 20 miliardë dollarë në Hong Kong.
Kjo lëvizje vjen menjëherë pas masave që mori Amerika kundër interesave kineze dhe ndikimit në rritje të tregjeve të kapitalit në Hong Kong. Ky është një tregues se firmat kineze po ndërmarrin masa për të ulur varësinë ndaj financimeve të Perëndimit. Bota dukej shumë ndryshe në vitin 2014, kur Alibaba filloi të operonte.
Edhe pse me seli në Hangzhou dhe me 91% të shitjeve të saj në Kinën Kontinentale, ajo zgjodhi të listojë aksionet e saj në bursën e Nju Jorkut, një prej qyteteve më të rëndësishme në botë për tregjet e kapitalit. Por bankat e Wall Street-it, e nënvlerësuan ofertën e saj. CEO i Alibaba-s, Jack Ma, tashmë shumë i njohur në Kinë, nderohej dhe respektohej edhe në Manhatan, sepse ai konsiderohej si një prej kapitalistëve të lirë, me të cilin amerikanët mund të bashkëpunonin në fushën e biznesit. Sot, rreth 174 firma të ndryshme kineze janë të regjistruara në Amerikë, me një vlerë totale të tregut prej 394 miliardë dollarësh, përfshirë gjigantët e tjerë të teknologjisë si Baidu dhe JD.com dhe Luckin Coffee, një prej prurjeve më të fundit. Sipas Alibaba-s, Amerika nuk është më aq mikpritëse sa në të kaluarën ndaj kompanive kineze.
Në vitin 2018, kompanisë kineze, Ant Financial iu ndalua për arsye sigurie blerja e rivalit të saj amerikan, MoneyGram. Në nëntor të vitit të kaluar, z. Ma nuk u prit aspak mirë në Amerikë, pasi u zbulua se ai ishte një anëtar i Partisë Komuniste, ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë manjatë të tjerë kinezë. (z. Ma pritet të japë dorëheqjen nga Alibaba gjatë këtij viti). Drejtuesit e Silicon Valley prej kohësh pëshpëritin se biznesi i shërbimeve cloud i Alibaba-s është një kërcënim ndaj interesave amerikane. Nëse Alibaba do të investojë në startup-e, ajo mund të rrezikojë të mos zbatojë ligjin e njohur si FIRRMA, sipas të cilit çdo blerje e huaj, duhet të jetë e pajisur me “teknologji të caktuara” në mënyrë që edhe të jenë lehtësisht të verifikueshme.
Edhe pse Alibaba nuk është sulmuar si homologia e saj Huawei, situata mbetet e tensionuar. Lufta tregtare midis Amerikës dhe Kinës tashmë është zgjeruar duke përfshirë tarifat, ekstradimin ligjor, kapitalin sipërmarrës dhe sistemin global të pagesave në dollarë. Nëse, për shembull, Kina do të bojkotonte Apple apo Boeing, Amerika mund t’i përgjigjej duke pezulluar tregtimin e aksioneve të firmave kineze dhe duke i ndaluar ata të rrisin kapitalin. Tregjet e mëdha, por të pamaturuara të Kinës Kontinentale, nuk mund të jenë një zëvendësues i Wall Street. Hong Kong, qendra offshore e Kinës, është larg të qenët i përkryer, sidomos si pasojë e mosrespektimit të sundimit të shtetit ligjor.
Megjithatë, ajo është shndërruar në një vend alternativ për kompanitë globale të Kinës, numri i së cilave është rritur shumë. Kjo është edhe një prej arsyeve se përse vitin e kaluar u gjeneruan më shumë para në bursën e Hong Kong-ut (37 miliardë dollarë amerikanë) sesa në Nasdaq apo në Bursën e Nju Jorkut. Fuqizimi i Hong Kongut është shoqëruar edhe nga një erozion i hegjemonisë perëndimore në financimet e shumta aziatike. Sot firmat në Wall Street nuk kanë po atë rëndësi që kanë pasur në të kaluarën. Vitin e kaluar, për shembull, 7 nga 20 nga aksionerët më të mëdhenj në Azi ishin kinezë.
Bankat kineze janë ndër huadhënësit më të mëdhenj në Azi. Amerika ende kontrollon sistemin e pagesave të dollarit, por në të ardhmen edhe kjo mund të ndryshojë gjithashtu. Pas listimit në Bursën e Hong Kongut, Alibaba mund të vazhdojë të rrisë kapitalin. Në fakt, ajo është duke u rritur shumë shpejt, ku gjatë vitit të kaluar shitjet u rritën me 51%. Edhe në rast të një largimi të firmave kineze, Nju Jorku do të vazhdojë të lulëzojë si një qendër financiare.
Shitësit me pakicë po i ndryshojnë burimet e furnizimit, në mënyrë që mallrat e shitura në Amerikë të mos prodhohen në Kinë. Bankat po ulin ekspozimin e tyre ndaj palëve që mund të përballen me sanksionet amerikane. Situata e tensionuar ka bërë që edhe firma gjigante si ajo e Alibaba-s të mendojnë për një plan rezervë. Kjo situatë është krejtësisht ndryshe nga vizioni që kishte z. Ma, në ceremoninë që u zhvillua në Bursën e Nju Jorkut në vitin 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.