Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim para disa muajsh ka marrë në shqyrtim gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe strategjinë e saj në marrëdhëniet me të. Bordi i Drejtorëve të saj në dokumentin, të cilin jemi munduar ta analizojmë më poshtë, i bën një kqyrje të thellë faktorëve pozitivë e negativë që mund të ndikojnë në politikën e investimeve në ekonominë tone të BERZH-it. Përparime në reformaQë në fillim, dokumenti vlerëson arritjet e shënuara. Ndonëse është nisur nga një bazë fillestare e nivelit të ulët, Shqipëria, sipas tij, ka bërë progres të rëndësishëm në të gjitha fushat që nga viti 1997. Nga viti 1998 në 2001, ekonomia është rritur me ritme vjetore 7-8%. Pas një ngadalësimi të përkohshëm më 2002, të shkaktuar nga kriza energjetike dhe përmbytjet e vjeshtës, rritja reale e PPB-së në vitin 2003 u kthye në nivelin 6% në shkallë vjetore. Privatizimi në shkallë të vogël praktikisht ka përfunduar dhe sektori privat siguron 80% të vendeve të punës. Inflacioni është i ulët, kursi i këmbimit valutor është i qëndrueshëm dhe rezervat valutore po mbahen në një nivel të kënaqshëm, prej rreth katër muajsh importi. Deficiti fiskal mbetet i lartë, në rreth 5.6% të PBB (duke përjashtuar grantet) në fund të vitit 2003, por ka pësuar ulje vitin e kaluar si rezultat i një rritjeje të rëndësishme të të ardhurave nëpërmjet efektivitetit më të madh të punës së administratave tatimore e doganore. Gjatë dy vjetëve të fundit, gjithashtu, janë shënuar përparime në reformat strukturore, dialogun midis qeverisë dhe bashkësisë së biznesit, komercializimin e shërbimeve publike dhe janë bërë hapa serioze drejt rigjallërimit të privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha. Pse ky nivel investimeshPavarësisht nga këto, BERZH vlerëson se Shqipëria vazhdon të vuajë nga probleme të tilla, si niveli i lartë i korrupsionit e kriminalitetit të organizuar, fuqizimi i pamjaftueshëm i sundimit të ligjit dhe aftësi të dobëta administrative e institucionale. Megjithë rritjen e shpejtë ekonomike të këtyre viteve të fundit, të ardhurat për frymë me rreth 1,800 USD në vit mbeten ndër më të ulëtat në Europë. Niveli i varfërisë mbetet i lartë, veçanërisht në zonat rurale, dhe rreth një e katërta e popullsisë mbetet nën nivelin e varfërisë, të përcaktuar zyrtarisht në dy dollarë amerikanë në ditë. Mbetet shqetësim mbulimi i borxhit publik. Borxhi i jashtëm është relativisht i vogël me 23% të PBB, por ai i brendshëm është i lartë 38%. Pavarësisht nga privatizimi i bankës më të madhe e të fundit me pronësi shtetërore, Bankës së Kursimeve, niveli kumulativ i investimeve të huaja të drejtpërdrejta prej 1 miliard e 128 milion dollarësh (330 USD për frymë) deri në fund të vitit 2003 ishte ndër më të ulëtit në rajon. Ndër problemet kryesore që pengojnë një veprimtari më të zgjeruar të investitorëve potencialë në ekonominë shqiptare, dokumenti i BERZH përmend ato ligjore. Ndonëse kuadri ligjor njeh një sektor të pavarur gjyqësor, theksohet në dokument, mangësi të mëdha, që kanë të bëjnë me trainimin dhe pagat e ulëta të gjykatësve e kanë kthyer korrupsionin në një fenomen të shpeshtë dhe kanë krijuar një mungesë besueshmërie nga ana e bashkësisë së biznesit. Ligjet tregtare shqiptare kanë nevojë për një përputhje me standardet ndëkombëtare. Si një pengesë për investimet e huaja e vendase kanë shërbyer gjithnjë paqartësitë e regjimit ligjor ndaj transaksioneve të sigurta dhe mungesat në legjislacionin lidhur me tregjet financiare. Këta faktorë shoqërohen nga gjendja e dobët e sistemit gjyqësor dhe mungesa e respektimit të sundimit të ligjit në vend. Ligjet tregtare në Shqipëri, sipas BERZH, vështirë se mund të cilësohen si të përshtatshme për të mbështetur investimet dhe veprimtarinë tjetër tregtare: ka paqartësi për falimentimet dhe për sigurimin e regjimit të transaksioneve; mangësi në legjislacionin bankar e të tregut të kapitaleve. Kurse Ligji mbi Koncesionet nuk është i kuptueshëm. Strategjia dhe problematika me projektetStrategjia e BERZH-it për periudhën e ardhshme do të përqendrohet në përpjekjet për zhvillimin e sektorit privat, të balancuar në mënyrë të kujdesshme me mbështetjen për infrastrukturën e rëndësishme publike. Përparësitë e reja: 1. Përfshirja më e madhe e BERZH-it në ndërmarrjet e privatizuara, me synim kryesor industrinë e agrobiznesin;2. Mbështetje e mëtejshme për privatizimet e ndërmarrjeve të mbetura, si Albtelekomi, INSIG etj.; 3. Mbështetja e sektorit financiar, si faktor kyç për zhvillimin e SME-ve; 4. Ndihma në rehabilitimin e infrastrukturës dhe integrimin e saj në rajon, si dhe të infrastrukturave bashkiake; 5. Financime për kapacitete të reja energjetike, mbështetje për rehabilitim dhe zgjerim të sistemit të transmetimit nëpërmjet integrimit rajonal. Në fund të dhjetorit 2003, Banka kishte një biznes të grumbulluar në vlerë prej 172.5 milion eurosh për një kosto totale projektesh prej 499 milionësh. Financimi i BERZH është përqendruar në infrastrukturë dhe telekomunikacion: 83% (Energjitika 36%, telekomunikacionet 34% dhe transporti 13%). Por për të punuar në financimet e projekteve në Shqipëri, BERZH ka hasur pengesa jo të vogla, që lidhen me: 1. Problemet me pronësinë e klientëve të bankave private; 2. Regjistra të pasaktë e që mungojnë, hipotekorë e kadastralë; 3. Mjedis i vështirë për të vepruar me shuma të mëdha; 4. Rrezik i lartë bankar ndaj SME-ve, pjesërisht si pasojë e krizës së piramidave dhe pjesërisht e rregullave shtrënguese të bankës qendrore; 5. Sundim i transaksioneve ekonomike të bazuara mbi paranë cash, që nuk lejon përdorimin e produkteve bankare dhe e bën më pak konkurruese aftësinë e BERZH-it në financim; 6. Bankat tregtare kërkojnë nivele të larta kolaterali, çka cenon mundësinë e shoqërive që të marrin hua nga burime formale. Po kështu, natyra relativisht e vogël dhe e orientuar ndaj tregut e shumë bizneseve vendore, mungesa e aftësive dhe përvojave administruese dhe standardet shpesh të papërshtatshme të biznesit e qeverisjes kanë penguar financimet e drejtpërdrejta të Bankës në drejtim të sektorit të korporatave lokale (jo-SME). Një shembull pengesashNë vitin 2000, BERZH dha 10 milion euro për rehabilitimin e segmentit rrugor Elbasan-Librazhd, pjesë e korridorit Lindje-Perëndim midis portit të Durrësit dhe kufirit me Maqedoninë. Zbatimi i projektit do të mbyllte rehabilitimin e korridorit Lindje-Perëndim dhe do të përmirësonte ndjeshëm komunikacionin me vendet fqinjë. Operacioni pësoi shtyrje shumë të mëdha në kohë, duke qenë se specifikimet dhe vlerësimet e kostos sipas projektit të parë nuk ishin të sakta, pjesërisht si pasojë e planit të hartuar keq e pjesërisht për shkak të kohës së gjatë që kaloi nga hartimi i planit deri te nënshkrimi i projektit, që solli kosto më të lartë të këtij projekti. Banka kërkoi përgatitjen e një plani të ri, më të detajuar dhe një tjetër vlerësim të kostos, e më pas, u nënshkrua marrëveshja për dhënien e një borxhi tjetër prej 17 milion eurosh në vitin 2002, që zëvendësonte borxhin e mëparshëm dhe mbulonte koston e rritur. Banka mendon se, në përgjithësi, projektet në Shqipëri mund të pësojnë shtyrje të mëdha në kohë si rezultat i: 1. mosnjohjes si duhet të politikës dhe rregullave të BERZH-it për prokurimet; 2. gabimeve në projektime; 3. problemeve me shpronësimet; 4. mbizotërimit të ekonomisë cash. Po kështu, si një “gjenerator” i sigurtë pengesash për investimin në sektorin privat përmendet gjendja e shkatërruar e pjesës më të madhe të infrastrukturës, që i rrit shumë koston biznesit. Një zhvillim i mëtejshëm i sektorit privat nuk mund të kryhet pa investime shtesë në infrastrukturë. SfidatBERZH vlerëson se, për të mbështetur ecjen e mëtejshme përpara të ekonomisë shqiptare, duhet të punohet në këto drejtime kryesore: 1. Nxitja e zhvillimit të sektorit privat, veçanërisht të NMV-ve (Ndërmarrjet e mesme dhe të vogla) dhe sjellja e një pjese sa më të madhe të sektorit të gjerë informal në kuadrin e ekonomisë formale. Kjo do të kërkonte rritjen e mundësisë së sigurimit të financimeve, por, më e rëndësishmja, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve nëpërmjet një kuadri ligjor më të fuqishëm, përpjekje më të fuqishme për të luftuar korrupsionin e për të mposhtur krimin e organizuar dhe forcimin e aftësive institucionale e administrative. 2. Vazhdimi i rrugës së privatizimit të shërbimeve e të sektorit bankar në mënyrë që të rritet konkurrenca, të përmirësohet niveli i shërbimeve dhe të arrihen aftësi më të mira administruese. 3. Të ndërmerren investime thelbësore në infrastrukturën e shkatërruar të vendit, duke përfshirë një punë më të mirë për të zgjidhur krizën energjetike, përmirësimin e shërbimeve bashkiake, përforcimin e rrjeteve të transportit lokale e ndërkombëtare. Taktika investuese e BERZH-it arrin në konkluzionin se, kur veprohet me shoqëri shtetërore, personeli i të cilës është i trashëguar e i mësuar me operacione të kryera nga shteti dhe me aksionerë shtetërorë, që kanë të tjera përparësi e angazhime nga ato të aksionerëve privatë, në Shqipëri dalin probleme. Investitori i huaj më mirë të shmangë ato projekte, ku shteti, apo njësi me pronësi shtetërore, të kenë shumicën kontrolluese ose të bëjë të mundur që operacioni do të kryhet si një operacion i sektorit privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.