Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se më 15 shtator përfundon afati për të aplikuar për masën 3.4 që parasheh mbështetjen për kuzhinat popullore, e paraparë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Murati fton të gjithë entitetet që ofrojnë shërbime të kuzhinës popullore të aplikojnë për këtë masë.
“Ka mbetur edhe deri nesër afat për kuzhinat popullore/humanitare që të aplikojnë për mbështetje në kuadër të masës 3.4. Nëse jeni organizatë/entitet që ofroni shërbime të kuzhinës popullore (keni qenë duke operuar para datës 1 korrik 2021), atëherë ju mund të përfitoni nga Masa 3.4, që mbështetë financiarisht kuzhinat popullore në blerjen e ushqimit. Të gjitha organizatat jo qeveritare dhe entitetet e interesuara që ofrojnë shërbime të kuzhinave popullore mund të aplikojnë deri më 15 shtator”.
Vlera e mbështetjes financiare për çdo kuzhinë popullore, që aprovohet nga Komisioni, është deri 100 mijë euro, varësisht nga kapaciteti dhe intensiteti shërbyes i organizatës apo entitetit.
Ky aktivitet ka për qëllim të sigurojë financim për vazhdimësinë e punës së kuzhinave popullore që mund të jenë ndikuar nga pandemia dhe të sigurojë që pjesa e konsiderueshme e mjeteve financiare nga ky financim të shpenzohen për blerjen e produkteve bujqësore vendore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.