Museo Nacional del Prado në Madrid të Spanjës ka krijuar një ekspozitë unike për pikturën “Ndjesia e Aromës” [The Sense of Smell] nga Jan Breughel dhe Rubens.
“Ndjesia e Aromës” shfaq një kopsht me pemë, bimë dhe kafshë. Qëllimi fillestar i pikturës ishte që të pasqyronte gamën e gjerë të aromave që mund të dallojë njeriu.
Por, Muzeu Prado ka shkuar një hap më tej. Duke bashkëpunuar me Fondacionin e Akademisë së Parfumeve dhe kompaninë e modës Puig, muzeu ka krijuar dhjetë aroma të veҫanta për ta sjellë në jetë këtë pikturë për vizitorët.
Sjellja në jetë e 10 aromave të veҫanta
Duke përdorur “AirParfum”, një teknologji e zhvilluar nga Puig, eksperti i parfumeve Gregorio Sola krijoi dhjetë aroma që përkojnë me elemente të ndryshme të pikturës.
Në sajë të katër aromatikëve, vizitorët mund të ndiejnë këto aroma, teksa ndërveprojnë me një ekran të madh që ndodhet përpara kësaj vepre.
Ju mund të afroheni dhe të ndjeni aromën e vajrave esencialë të luleve të portokallit, aromën e këndshme të lules së jaseminit ose aromën e lagësht të një peme fiku, së bashku me notat e drurit.
Si pjesë të ekspozitës mund të ndjeni edhe aromat e trëndafilave, të zambakut, të nardo dhe të narcizit. Për të rikrijuar aromën dehëse të narcizit, u desh që të mblidheshin plot 1,300 kg. lule.
Për t’i dhënë pikturës më shumë aroma të kafshëve, është përdorur një civetë afrikane, një gjitar viverrid i Afrikës Sub-Sahariane.
Civeta ka një qeskë midis këmbëve të pasme, e cila lëshon një lëng të trashë myshku të verdhë, që përdorej historikisht për krijimin e parfumeve të klasit të lartë, për shkak të vetive të saj stabilizuese.
Mund të vini re gjithashtu edhe aromën e një palë dorezash lëkure, të cilat Rubens vendosi t’i shtonte në këtë vepër.
Dhe, së fundi, një nga aromat më të veҫanta të kësaj vepre njihet thjesht si “Alegoria”. I frymëzuar nga buqeta me lule në pikturë që mban në dorën e djathtë figura alegorike e nuhatjes, parfumi përmban elemente të jaseminit, të trëndafilit dhe të erëzave të ndryshme.
Artistët e këtyre aromave
“Kur shikon dokumentet historike, duke përfshirë inventarin, letrat, dokumentet e të gjitha llojeve, parfumet dhe shqisa e nuhatjes në përgjithësi kanë një rëndësi shumë më të madhe nga ajo që mendojmë ne,” thotë Alejandro Vergara, kurator në Muzeun Prado.
Piktura është një nga pesë pjesët e serisë të quajtur “Pesë Shqisat” [The Five Senses] nga Jan Breughel. E pikturuar midis viteve 1617 dhe 1618, Breughel dëshironte që kjo vepër të shfaqte fuqinë e shqisave individuale: të parit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit dhe të prekurit.
Breughel ishte një piktor flamand tepër i respektuar në kohën e tij. Ai kishte mësuar nga gjyshja e tij, piktorja e famshme e miniaturave, Mayken Verhulst, dhe nga babai, Pieter Bruegel, ndërsa jetonte në Romë, Napoli dhe Milano.
Breughel pikturoi “Ndjesia e Aromës” me ndihmën e mikut të tij Rubens, i cili kontribuoi duke bërë figurat alegorike në këtë vepër.
Peter Paul Rubens ishte gjithashtu një piktor shumë i vlerësuar në epokën e vet. I konsideruar si një nga artistët më me ndikim të traditës baroke flamande, ai shpesh punonte me Breughel në projekte të përbashkëta.
Kjo seri e Pesë Shqisave ka të ngjarë të jetë porositur nga Isabella Clara Eugenia dhe bashkëshorti i saj, Archduke Albert i Austrisë, sundimtarët e atëhershëm të Holandës spanjolle.
Aroma e suksesit
Për Museo Nacional del Prado, eksperimenti për sjelljen e aromës në një ekspozitë të tillë ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm.
“Është thjesht një dhomë e vogël. Pra, nuk është një nga ato ekspozitat me numër shumë të madh veprash,” shpjegon Vergara.
“Por, ne e kemi shumëfishuar me 20 herë numrin e njerëzve që shkojnë në këtë dhomë,” thotë ai. “Përgjigjja e publikut, si në Spanjë, ashtu edhe në Europë, ka qenë mjaft e madhe dhe entuziaste. Kështu që ne jemi shumë të lumtur për këtë gjë.” / Euronews