Një nga katër gratë që drejtojnë Bankat Qendrore në Europë

02/04/2019 4:32 PM 0 komente
Anita Angelovska Bezhoska

Një nga katër gratë në Europë të cilat drejtojnë një autoritet monetar, është 47-vjeçarja nga Maqedonia e Veriut, Anita Angelovska Bezhoska, e cila dikur ka shërbyer si ekonomiste në Fondin Monetar Ndërkombëtar

 

Kur Anita Angelovska Bezhoska iu dha mundësia për të drejtuar Bankën Qendrore në shtetin e saj, ajo pothuajse e refuzoi atë mundësi. Një nga katër gratë në Europë të cilat drejtojnë një autoritet monetar, 47-vjeçarja nga Maqedonia e Veriut, e cila dikur ka shërbyer si ekonomiste në Fondin Monetar Ndërkombëtar, është shprehur e shqetësuar sepse do t’i duhet që të përpiqet shumë për të vendosur balancën e duhur ndërmjet jetës profesionale dhe asaj personale.

Por ky është një ndër shqetësimet më të vogla të saj, tani që ajo po drejton politikën në një vend, ku një në pesë të rritur është i papunë dhe ku rritja ekonomike është duke shhfaqur shenjat e para të rikuperimit nga kriza politike që e çoi atë në prag të recesionit rreth dy vjet më parë.

Pasi shteti ballkanik prej 2.1 milionësh banorësh, arriti të zgjidhë mosmarrëveshjen prej disa dekadash për emrin e tij, duke hapur kështu rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian, ajo po përpiqet që të bëjë të gjitha përgatitjet e duhura për miratimin e euros. “Maqedonia e Veriut është një vend i vogël që në të kaluarën ka qenë i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve, kështu që marrja përsipër e përgjegjësisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në Maqedoni është një prej detyrave më të vështira”, tha ajo në një intervistë dhënë në Umag të Kroacisë.

 

Vajzë emigrantësh

Përveç Maqedonisë së Veriut, Qiproja, Serbia dhe Rusia kanë gra që drejtojnë bankat e tyre qendrore. E lindur nga prindër emigrantë në Suedi, znj. Bezhoska, sot 47 vjeçe, e ka kaluar fëmijërinë e saj midis pushimeve verore në Gothenburg dhe muajve të shkollës në ish-Jugosllavi, ku jetonte me gjyshërit.

Puna e saj e parë ka qenë në Ministrinë e Financave në Shkup, ku u caktua të drejtojë grupin që do të merrej me krijimin e një sistemi të thesarit të shtetit, pasi vendi i saj u shkëput nga Republika e Jugosllavisë. “Kur m’u caktua kjo detyrë, i thashë menjëherë ministrit të asokohe se nuk ia kisha idenë sesi mund ta realizoja me sukses këtë gjë”, tha ajo. Por përgjigjja e tij ishte se ajo, së bashku me kolegët ishin të rinj dhe se me siguri do të gjenin mënyrën më të mirë për ta realizuar atë më së miri.

Ajo u transferua më pas në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku mori pjesë në misionet ballkanike dhe baltike. Më vonë, znj. Bezhoska u zhvendos në Bankën Qendrore të Shkupit, në pozicionin e Kryeekonomistes dhe më pas në atë të Zëvendësguvernatores. Në momentin kur u zgjodh që të bëhej Guvernatorja e kësaj banke, ajo hezitoi që ta pranonte pozicionin për shkak të familjes, ku më i vogli prej fëmijëve është vetëm tetë vjeç.

 

Hyrja në Euro

Teksa për anëtarësimin në BE do të duhen edhe shumë vite dhe punë, ajo po përpiqet që së shpejti Maqedonia e Veriut të ketë mundësinë të miratojë euron.

“Me nivelin e borxhit dhe të inflacionit brenda objektivave të caktuara nga BE-ja, Maqedonia e Veriut i plotëson disa prej kushteve më të rëndësishme. Ne jemi të lidhur me BE-në në drejtim të tregtisë dhe të tregjeve financiare, prandaj kjo është një gjë e nevojshme për ne”, tha ajo në një intervistë tjetër në Shkup. Rritja profesionale e znj. Bezhoska e ka vënë atë në qendër të vëmendjes në kombin e saj, ku shumica e posteve të larta mbahen nga burrat dhe ku vetëm 40% e grave në moshë madhore punojnë, duke e bërë Maqedoninë e Veriut vendin e dytë me nivelin më të ulët të grave në punë ndër 35 vendet anketuara nga agjencia e statistikave Eurostat dhe shumë më poshtë nivelit mesatar të bllokut të BE-së prej 62%. Ajo po përpiqet që ta ndryshojë këtë fakt.

Rreth 60% e menaxhimit të bankës qendrore në Maqedoni tani janë gra, duke përfshirë edhe dy zëvendësguvernatoret të cilat ajo i ka caktuar në këtë pozicion pak kohë më parë. “Kjo botë dominohet nga burrat, dhe këtë gjë e vë re sidomos në takimet e ndryshme, si për shembull ato me guvernatorët e Bankës për Marrëveshjet Ndërkombëtare, ku unë mund të jem e vetmja grua e pranishme. Padyshim që për ne gratë është mjaft e vështirë, sepse neve na duhet që të kujdesimi edhe për familjet më shumë sesa burrat”, përfundoi ajo.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of