Tregu i prodhuesve privatë të energjisë pa ekspansion vitin e kaluar, duke dyfishuar vlerën në treg dhe numri operatorëve u zgjerua me 30%.
Reshjet e bollshme rritën xhirot e kompanive me ritme dyshifrore, ndërsa bizneset pohojnë se zhvillojnë aktivitetin nën rreziqe të mëdha që vijnë nga pasiguria juridike e kontratave
Blerina Hoxha
Në një kohë që ekonomia shqiptare ka reshtur së ofruari norma të larta fitimi në pjesën më të madhe të sektorëve si pasojë e efekteve të krizës dhe maturimit në disa linja, prodhimi i energjisë elektrike nga uji është shndërruar për shumë biznese në oazin e shkretëtirës.
Bizneset e HEC-eve private, vitin e kaluar, dyfishuan xhiron vjetore duke arritur një qarkullim prej 15,2 miliardë lekësh ose 111 milionë euro, duke u zgjeruar me 94% në krahasim me vitin 2015, sipas përllogaritjeve të bëra nga Monitor, bazuar në të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për prodhimin nga këto HEC-e. Tregut iu shtuan edhe 38 operatorë të rinj vetëm në sektorin e prodhimit.
Klima e rëndë e biznesit që dominon sektorin nga ndryshimi i kontratave të njëanshme nga qeveria, e cila ka ulur çmimin fiks të shitjes së energjisë nga 9 lekë për kilovatorë në 7.4 lekë në vitin 2015, nuk e ka penguar sektorin të zgjerohet.
Ekspansioni i dedikohet dy faktorëve kryesorë, të cilët lidhen me reshjet e bollshme gjatë vitit të kaluar dhe hyrjen në tregun e prodhimit të kompanive të reja me kapacitet të lartë prodhimi. Në mes të vitit 2016, nisi punën HEC i Banjës në lumin e Devollit, një investim i madh i kompanisë norvegjeze të Statkraft, që po vijon punën për ndërtimin e dy HEC-eve të tjera.
Devoll Hydropower, vitin e kaluar, ndikoi në 1% totalin e prodhimit të energjisë, duke realizuar një qarkullim të përafërt rreth 4 milionë euro. Gjithashtu një peshë të madhe në prodhim dha “Ayen As Energji” sh.a., një kompani që nisi punën në mes të vitit 2015, por që e pati efektin e plotë vitin e kaluar. Ayen Energy, që ka hidrocentralin e Peshqeshit në Mirditë, u radhit kompania e tretë më e madhe në vend në tregun e koncesionarëve, duke realizuar një qarkullim vjetor prej 803 milionë lekësh. Por ndryshe nga kompanitë e tjera, dy operatorët e rinj të tregut nuk kanë kontratë me qeverinë për shitjen e energjisë me vlerë fikse. Për rrjedhojë, prodhimi nga HEC-et private kontribuoi vitin e kaluar në 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë nga 24% që ishte në vitin 2015.
Të 100 operatorët e tjerë që operojnë prej vitesh në prodhimin e energjisë panë rritje dyshifrore të xhirove, nga 15 deri në 40% në disa raste.
Bledar Mehmeti nga Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme, njëkohësisht administrator i HEC-it të Tërvolit, shpjegoi se kjo rritje ka ardhur për shkak të reshjeve të bollshme të 2016-s. Të shpërndara njëtrajtësisht gati në të gjithë vendin, ato sollën të ardhura më të larta për kompanitë në krahasim me vitin 2015, kur tregu i prodhuesve u godit nga rishikimi me ulje i çmimeve dhe reshjet e pakta.
Shumica e këtyre objekteve nuk e realizojnë prodhimin me basen. Duke mos mundur të krijojnë rezerva, prodhimi i tyre varet tërësisht nga reshjet dhe prurjet e momentit, ndaj reshjet janë vendimtare për fitimet e tyre. Por rritja e të ardhurave vitin e kaluar nuk i ka entuziazmuar kompanitë, pasi mungesa e garancisë në kontrata, sidomos me disbalancat, i bën pritshmëritë e tyre të pasigurta. Mehmeti ka pohuar se ndryshimi i kontratave duke ulur çmimet, e kanë shtyrë kthimin nga investimi për të paktën edhe tre vjet, ndërsa shumë prej investimeve janë bërë me kredi bankare.
Por për Kujtim Kolgjinin, i cili menaxhon katër HEC-e nëpërmjet kompanisë Hidroalbania, prodhimi i energjisë nuk është biznes i sigurt, pasi ka rreziqe. Varësia nga reshjet dhe standardet e shumëfishta që përdorin organet ligjvënëse në Tiranë i kanë stresuar bizneset e sektorit. Ai tha se qeveria shqiptare ofron kushte të ndryshme për investitorët, pavarësisht se janë në një sektor. Kontratat e disa investimeve që kanë kaluar me miratimin e Parlamentit kanë çmime fikse dhe të pandryshueshme, ndërsa ato që miraton qeveria janë në terren të pasigurt për çmimin që ofrohet. Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të aplikojë standardet europiane në ligjin për energjinë e rinovueshme, ku prodhimi i energjisë nga uji merr përparësi.
Të njëjtin shqetësim ka ngritur edhe Dalip Spahiu, i cili operon në këtë sektor që prej vitit 1996 me HEC-Gjançin. Ai tha se, referencat që ka marrë ERE për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë (ku përfshihet edhe çmimi i energjisë bërthamore në Bursën e Hungarisë) nuk përkojnë me cilësinë e produktit që japin HEC-et private në Shqipëri, që është tërësisht energji e pastër.
Konflikti i pjesës dërmuese të prodhuesve me qeverinë e ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit në sytë e investitorëve.
Reshjet e bollshme rritin sërish të ardhurat
Fitimet e prodhuesve privatë të energjisë panë ditë të zeza në vitin 2015, kur qeveria, me një të rënë të lapsit, vendosi të ulë çmimin fiks në kontrata me 27%. Nga ana tjetër, moti i thatë në pjesën jugore të vendit ku është shumica e HEC-eve nuk e favorizoi prodhimin. Situata ndryshoi kryekëput në vitin 2016. Të ardhurat e kompanive, duke iu referuar të dhënave të Entit Rregullator në bilancin e energjisë për vitin 2016, janë rritur me ritme dyshifrore për pjesën më të madhe të kompanive. Siç pohuan prodhuesit, shkaqet e rritjes së të ardhurave lidhen me reshjet mbi mesataren që ranë vitin e kaluar.
Hidrocentrali i Ashtës ka rritur qarkullimin vjetor më shumë se 15%, duke i kaluar 2 miliardë lekët. HEC Ashta është prodhuesi më i madh privat i energjisë dhe e shet produktin e vet sipas një kontrate të veçantë që ka me qeverinë shqiptare. Investitorët austriakë patën kërkuar që kontrata e tyre të miratohej në Parlament, duke e mbrojtur çmimin e fiksuar nga ndryshimet që më pas aplikoi qeveria për prodhuesit e tjerë më të vegjël.
Euron Grup shënoi rritje të xhiros vjetore me 33% duke arkëtuar nga shitjet mbi 1,1 miliardë lekë nga rreth 873 milionë lekë që kishte arkëtuar në vitin 2015.
Operatori i tretë më i madh në tregun e koncesionarëve të energjisë, Ayen Energi pa rritje të të ardhurave me 283%, për shkak se më 2016 realizoi vitin e parë të plotë të prodhimit. Kompania turke është risi në treg dhe ka nisur të prodhojë në muajt e fundit të 2015-s.
Të ardhurat janë rritur edhe për operatorët më të vjetër në treg. Gjoka Spa Power i rriti arkëtimet nga shitja e energjisë me 39%, ndërsa operatori tjetër, Erdat Lura, pa rritje të të ardhurave në vitin 2015 me 20%. Balkan Energji, një kompani që administron 21 HEC-e të vogla, i ka rritur të ardhurat me 39%. Rritje me ritme 20% pa edhe prodhuesi HEC-Tervolit që shënoi një qarkullim vjetor 292 milionë euro.
Të nëntë operatorët e mëdhenj realizuan një xhiro vjetore 6 miliardë lekë (44 milionë euro) vitin e kaluar, me një rritje 34% krahasuar me vitin 2015. Por Bledar Mehmeti nga HEC i Tervolit pohon se, ecuria e shitjeve në vitin 2016 nuk është një garanci se tregu do të vijojë të performojë me të njëjtat ritme edhe në të ardhmen. Kjo pasi rezultatet në të ardhura nuk varen nga administrimi më shumë se sa nga reshjet dhe çmimet me të cilat do ta blejë OSHEE energjinë e tyre.
38 HEC-e të reja nisin prodhimin
38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike nga uji nisën prodhimin gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.
Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira.
Bashkë me shtimin e numrit të HEC-eve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë.
Tregut i shtohet edhe Devoll Hydropwer
Më 22 shtator të vitit të kaluar, kompania norvegjeze Statkraft përuroi nisjen e prodhimit të energjisë elektrike në hidrocentralin e Banjës në lumin Devoll, ndërkohë kompania është në kulmin e punimeve për ndërtimin e HEC-it tjetër të Moglicës po mbi këtë lum.
Banja është hidrocentrali i parë i kompletuar në kaskadën e Devollit në respektim të Marrëveshjes së Koncesionit, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009 për ndërtimin e 3 HEC-eve. Sipas kësaj marrëveshje, Statkraft do ta shesë energjinë në tregun e lirë me çmime të parregulluara. Vetëm në tre muaj aktivitet, Banja ka siguruar të ardhura mbi 519 milionë lekë.
Kapaciteti i instaluar i HEC Banja është 73 MW, duke ndikuar në rreth 5% në shtimin e prodhimit vendas të energjisë. Diga ka një lartësi 80 metra dhe rezervuari me një volum total prej 391 miliardë litra ujë, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej 14 km². Në përputhje me Marrëveshjen e Koncesionit, e nënshkruar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009, Devoll Hydropower do të zhvillojë dhe ndërtojë edhe 2 hidrocentrale të tjera në kaskadën përgjatë lumit Devoll, në juglindje të Shqipërisë. Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i këtij projekti do të jetë përafërsisht 280 MW, kur të gjitha HEC-et të përfundojnë në vitin 2019.
Devoll Hydropower, pasi të përfundojë tërësisht investimin, do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri me 17%.
Gjithashtu, në vitin 2016, për herë të parë prodhoi gjatë gjithë vitit HEC-i i Peshqeshit. Investimi është në zonën e Mirditës dhe HEC ka nisur të prodhojë në mes të vitit 2015. Kjo vepër e re në pronësi të kompanisë turke Ayen Energji kontribuon me 10% të prodhimit në tregun e HEC-eve të vogla. Por kompania nuk ka kontratë me KESH për shitjen e energjisë. Burimet pranë tregut pohojnë se ajo e shet prodhimin në tregun privat, sipas përcaktimit në kontratën që ka nënshkruar me qeverinë shqiptare për investimin. Me modelin e ri të tregut të energjisë, që pritet të miratohet këtë vit, edhe prodhuesit e vegjël do të kenë mundësi për të gjeneruar tregje të reja jashtë Shqipërisë për shitjen e energjisë.
Qeveria shqiptare ka në objektivin e saj të bëjë funksionale një bursë të tregtimit të energjisë brenda këtij viti. Planet fillestare për ngritjen e saj kanë qenë për në mars të këtij viti, mungesa e ekspertizës së thellë teknike dhe përvojës e kanë shtyrë funksionimin e saj për më tej. Me funksionimin e saj, energjia do të tregtohet me çmime reale, teksa prodhuesit publikë dhe privatë të energjisë dhe tregtarët, nga ana tjetër, do të jenë më të qetë, nga ky fakt.
Krijimi i Albania Power Exchange (APEX) do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Europian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. “Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke i dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendas të blejnë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Europës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë”, – është shprehur ministri Gjiknuri.
Ndërkohë, Bordi i Entit Rregullator, në fund të janarit ka miratuar specifikat se si do të funksionojë Bursa e Energjisë.
Do të specifikohen produktet dhe do të miratohen rregullat e Tregut Shqiptar të Ditës në Avancë dhe rregullat e tregtimit brenda ditës. Enti ka nisur shqyrtimin e rregullores së “Administrimit të tregut” dhe Rregullat për Pagesat dhe Faturimin.
Enti ka përfshirë në proces miratimi zonat e import-eksportit. Shqipëria paraqitet mjaft e vonuar në liberalizimin e tregut të energjisë dhe për këtë, mori kritika në raportin e fundit të progresit të BE-së.
Modeli i tregut të Ditës në Avancë (Day-Ahead) është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë më parë.
Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore. Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit në Bursën e Energjisë.
Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.
Koncesionarët e HEC-eve, jo optimistë për liberalizimin
Prodhuesit vendas të energjisë nuk e shohin me perspektivë liberalizimin e tregut të energjisë, që synon që brenda dy vitesh shumica e konsumatorëve, sidomos biznesit, të përdorin tregun e lirë për plotësimin e nevojave për energji. Dalip Spahiu, zotëruesi i HEC Gjançit, por edhe disa HEC-eve të tjera, thotë se liberalizimi i tregut, sipas ligjit aktual, nuk do mund të funksionojë, pasi qeveria ka vendosur hapjen e tregut pa pasur treg. Ai tha se nuk mund të furnizojë asnjë konsumator tjetër veç OSHEE-së, pasi ka një kontratë ligjore me të, e cila nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme. Spahiu tha se nuk ekziston baza ligjore se si veprohet kur një HEC privat shkëputet nga OSHEE për të furnizuar një operator tjetër. “Aktualisht, e shes një kilovator energji në OSHEE me 7.3 lekë. Nëse e shes te një biznes, këtij çmimi do t’i shtoj tarifën e aksesit në rrjet 3.96 lekë që OSHEE ma faturon mua. Këtyre u shtohet edhe një fi që i përgjigjet riskut që ka sektori privat në pagesa”, – shtoi Spahiu. Sipas kësaj logjike, çmimi i energjisë për bizneset, nëse do të furnizoheshin nga prodhuesit vendas, shkon në minimumi 13 lekë.
Për Spahiun, këto llogari janë hipotetike, pasi qeveria e ka të paqartë edhe modelin që do të aplikohet për të sjellë më shumë operatorë që shesin dhe blejnë energji. Ai tha se, energjia që prodhohet në HEC-et e tij e ka të pamundur të shitet në tregun vendas. “Nuk kam ndër mend të lidh asnjë kontratë me bizneset shqiptare që konsumojnë energji, pasi nuk kanë likuiditet”, thotë Spahiu. Ai tha se, edhe tani kishte kërkesë nga klientë të kualifikuar për të shitur energjinë që prodhon nga HEC-et, mirëpo nga verifikimet që ka bërë, ka rezultuar se, i interesuari ka borxhe dhe kredi të këqija në banka, detyrime tatimore dhe për pasojë mundësia për të marrë pagesat në kohë është e pakët. Por ai nuk e sheh si perspektivë edhe shitjen e energjisë jashtë vendit. Aktualisht sistemi i transmetimit është monopol dhe nuk ka linja alternative që të mundësohet transmetimi me kostot të lira. Duke qenë se nuk ka mundësi zgjedhje të shesësh energjinë me kosto të lira transmetimi, interesi për të fituar nga shitja në tregjet e huaja mbetet i ulët. Ai tha se, në të gjithë botën po ndërmerren politika favorizuese në drejtim të energjive të pastra si HEC-et, por në vendin tonë politikat e dy viteve të fundit kanë krijuar ngërç në biznesin e prodhimit të energjisë.
—————————-
Shqetësimet e reja të bizneseve
Presidenti i Hidroalbania, Kujtim Kolgjini, pohon se Enti Rregullator i Energjisë, që në dhjetor të vitit 2016 duhet të kishte rishikuar çmimet e shitjes së energjisë nga koncesionarët, por nuk e ka e bërë. Edhe pse Enti Rregullator është i pavarur nga qeveria, sjellja e tij, sidomos në prag zgjedhjesh, nuk tregon pavarësi, pohoi Kolgjini. Po të shikojmë historinë e vendimeve në vitet e zgjedhjeve, ato janë më shumë politike se sa teknike,- pohoi biznesmeni, duke lajmëruar se ekspozimi i HEC-eve ndaj vendimeve politike e ka cenuar rëndë klimën e biznesit në sektor. Shpenzimet për të ndërtuar një HEC janë të mëdha dhe duhen rreth 12 vite për kthimin e investimit. Ndaj vendimet e ERE-s janë jetike për veprimtarinë tonë – pohoi Kolgjini. Vitin e kaluar, me një vendim të posaçëm, qeveria ndryshoi sërish kontratat e HEC-eve, duke emëruar si blerës të vetëm OSHEE-në, teksa më parë këtë funksion e kishte KESH. Bledar Mehmeti nga HEC-i i Tervolit pohon se, ndryshimi i shitësit nuk përbën një problem serioz, pasi marrëveshja e re ka parashikuar një çmim dysheme, por shton se sektori mbetet i rrezikuar nga ekspozimi ndaj disbalancave.
Po ashtu, bizneset e HEC-et janë të ekspozuara ndaj ndryshimeve të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, sidomos ndaj Bursës së Hungarisë, e cila është marrë si referencë nga Enti Rregullator i Energjisë për të përcaktuar tarifat vjetore, me të cilat këto HEC-e duhet të shesin energjinë. Kjo metodë i shkon logjikës së ekonomisë së tregut, por nga ana tjetër është në shkelje flagrante të kontratave fillestare që bizneset e HEC-eve kishin me qeverinë, pohojnë operatorët.
Në këmbim të rritjes së investimeve në sektorin e energjisë, qeveria e mëparshme detyroi kompaninë publike KESH që të blinte energjinë nga prodhuesit e vegjël, me një çmim 9.1 lekë. Por duke qenë se investimet në HEC-e përparuan shumë shpejt, prodhimi i tyre kaloi parashikimet e KESH, duke e bërë të pamundur blerjen e të gjithë sasisë së ofruar. Për rrjedhojë, KESH akumuloi detyrime të prapambetura në vlerën e më shumë se 30 milionë eurove më 2014. Në këtë situatë, autoritetet publike vunë në lëvizje Entin Rregullator të Energjisë, i cili në fillim të vitit 2015 rishikoi me ulje çmimin me të cilin koncesionarët shisnin energjinë ndaj KESH, nga 9,1 lekë në 7.6 lekë.
Tarifa do të rishikohet çdo vit. Për këtë kategori prodhuesish, përcaktimi i tarifës së prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet për vitin 2016 u kushtëzua nga publikimi i raportit vjetor të Bursës së Hungarisë. Pas publikimit të raportit, ERE procedoi me përcaktimin e tarifave fikse të energjisë që do t’u paguhen prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet, e cila është 7.4 lekë ose 0.2% më e ulët se vitin e kaluar.
Sipas ERE-s, çmimi 7.448 lekë/kwh i miratuar me Vendimin e Bordit të ERE-s nr. 13, datë 16.02.2016, ishte çmimi me të cilin prodhuesit e energjisë nga hidrocentralet shitën energjinë e prodhuar prej tyre në vitin 2016, teksa ERE nuk ka rishikuar ende çmimin për 2017-n.
Çmimi aktual rezultoi i përafërt me atë të vitit 2015 (7.636 lekë/kwh), duke mos krijuar luhatje të mëdha të kostove për Furnizuesin Publik me Shumicë, e cila është e transferueshme te konsumatorët tariforë. Për investitorët, këto vendime të Entit Rregullator janë në shkelje të hapur të kontratave dhe kanë cenuar rëndë sigurinë juridike.
———————–
HEC–et e reja, 82 kërkesa në vitin 2016
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) në një analizë të posaçme për sektorin e hidroenergjetikës, ka bërë me dije se në vitin 2016 janë trajtuar 82 kërkesa për ndërtimin e objekteve të reja të prodhimit të energjisë nëpërmjet HEC-eve.
Aktualisht, pranë Drejtorisë Hidroenergjetike, janë 185 Kontrata Koncesionare (formës BOT, ROT, BOO) të nënshkruara ndërmjet Autoritetit Kontraktor (Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) dhe Shoqërive Koncesionare vendase apo të huaja, për ndërtimin e 525 hidrocentraleve të tipit me derivacion, me digë apo dhe të kombinuara. Nga këto HEC-e, sipas AKBN, 117 janë në prodhim dhe 43 në ndërtim, të tjerat janë në fazën e ndjekjes së procedurës së lejeve.
AKBN pohon se, gjatë vitit 2016 u monitoruan në terren 114 Kontrata Koncesionare për ndërtimin e 220 hidrocentraleve. Gjatë monitorimeve janë vënë re vonesa të dokumentacionit dhe mosrespektim i afatit nga subjektet koncesionare dhe studiot e projektimit. AKBN vlerëson si problematike mungesën e një software për të mundësuar krijimin e një baze të dhënash hartografike mbi vendndodhjen e të gjitha HEC-eve në Shqipëri.
———————–
Rritja e prodhimit krijoi suficit
Për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria rezultoi eksportuese neto e energjisë. Arsyet lidhen me reshjet e bollshme, rënien e konsumit në vend dhe me rritjen e prodhimit nga objektet prej investitorëve privatë. KESH ka njoftuar se vitin e kaluar ka eksportuar 700 milionë kilovatorë energji. Eficenca në eksport lidhet edhe me uljen e nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes në 28% nga më shumë se 31% që kanë qenë më 2015.
Konsumi i energjisë elektrike u ul me 2.3% në vitin 2016 sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë. Por nga të dhënat krahasuese shihet se është ulur në mënyrë të ndjeshme konsumi në konsumatorët e tensionit të lartë. Këto kategori janë kryesisht biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2017. Nga 610,2017 MW/h që konsumoi kjo kategori në vitin 2015, vitin e kaluar ka konsumuar 502,895 MW/h.
Treguesit e tjerë të konsumit nuk kanë pësuar luhatje, pasi ndryshimet janë afër zeros.
Shitjet për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore janë rritur me respektivisht 0,02 dhe 0,04%. Konsumi i energjisë shënoi ulje për të tretin vit radhazi. Arsyetimi më i hershëm i OSHEE-së për këtë çështje lidhet me tendencën për të mos shpërdoruar energjinë elektrike nga konsumatorët. Shtrëngimi i politikave dhe mjeteve për grumbullimin e faturave të energjisë i ka bërë më racionalë konsumatorët. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë se rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë (bizneset e mëdha).
———————–
Kompanitë publike fitojnë 104 mln euro
Ministria e Energjetikës raportoi zyrtarisht se OSHEE e mbylli 2016 me fitim 11.5 miliardë lekë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rezultoi me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliardë lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lekë.
Gjithsej fitimi i kompanive këtë vit arriti në 14,2 miliardë lekë, ose 104 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës. “Hapat e ndërmarra kanë krijuar efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar buxhetin e shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm në tre vitet e fundit janë paguar 23 miliardë lekë në tatim-taksa, si kontribut direkt në buxhetin e shtetit. Ndërsa 135 milionë euro është efekti pozitiv indirekt në buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, është shprehur ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.
Kala borxhesh për operatorët publikë
Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, rikuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat, ka ardhur në rënie, po megjithatë ato janë nivele tepër të larta. Nëse në vitin 2013, ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin 2016 arritën në 105.2 miliardë lekë.
Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treta nga 99.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2013 është ulur në 93.6 miliardë lekë.
Sipas një raporti të KLSH, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë (370 mln lekë). Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë.
Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 mld lekë. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë – kosntaton KLSH.
Në përfundim të procesit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon se OSHEE, OST dhe KESH, të respektojnë masën e pagesës për detyrimet e ndërsjella, sipas përcaktimit në ligjin nr. 170/2014, “Për ratifikimin e Marrëveshjes së huasë”. KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosura ndaj OSHEE.
Gjithashtu OSHEE, OST dhe KESH, të hartojnë një program të saktë për pagesat e detyrimeve të ndërsjella, sipas afateve të caktuara në projektin e rimëkëmbjes, rekomandon KLSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.