Një ofertë e pakërkuar për bujqësinë

26/02/2021 10:04 PM 0 komente

Një ofertë të pakërkuar a mund ta bëjmë për prodhimin tonë bujqësor? A mund të ndërtojmë një Partneritet Publik-Privat midis prodhuesve bujqësorë e fondeve publike?

 

Nga Fatos Fico*

Përballja e futbollistit britanik, Marcus Rashford, me qeverinë, për t’i siguruar ushqim falas fëmijëve të familjeve në nevojë gjatë kohës që shkollat janë të mbyllura, ishte një nga ngjarjet që trazoi “izolimin” e opinionit publik në Britani. Parlamenti kishte votuar kundër, por brenda pak javësh përballë opinionit publik të sensibilizuar nga Rashford, qeveria u detyrua të tërhiqet dhe të sigurojë ushqim për fëmijët, edhe në ditët të cilat ata nuk janë në shkollë.

Problemi i të ushqyerit u bë më i rëndë prej pandemisë me shkollat online, familjet me të ardhura minimale humbën pjesë të ushqimit. Në shkollat publike, ai sigurohet me mensa dhe është falas për fëmijët e familjeve në nevojë, sepse ata duhet vetëm të mësojnë. Fëmijët nuk mund të rriten fizikisht e mendërisht të shëndetshëm nëse nuk ushqehen siç duhet, pa e pasur problemin kryesor të familjes e të tyrin si e ku të ushqehen.

Një nga aktet e para të Joe Biden si President është “Blej amerikan”. I krijuar qëllimisht për të stimuluar prodhimin amerikan. Janë rreth 600 miliardë USD prokurime të qeverisë në vit që u kalojnë prodhuesve amerikanë me këtë akt.

Për një moment mendoni sikur në Shqipëri, qeveria, falë presionit të ndonjë artisti, gjithashtu të vendosë që familjeve të varfra t’ju sigurojë ushqim për fëmijët në shkollë e jashtë saj, që ata vetëm të mësojnë dhe këtë ushqim, nisur dhe nga akti i Biden, ta sigurojë duke e blerë direkt nga fermerët vendas. Problemi më i madh që kanë fermerët shqiptarë është shitja e prodhimit, jo aq çmimi, se sa rregullsia dhe siguria në shitje.

 

Subvencionet dhe kapitali

Nafta falas, subvencionet, eksportet, politikat ndihmëse për fermerët shqiptarë ashtu siç janë, kanë shumë pak ose aspak efekt në rritjen e ekonomisë shqiptare e në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, sepse këto nuk krahasohen për asnjë moment me subvencionet e politikat e tjera që Bashkimi Europian e vendet fqinjë japin për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Nuk bëhet më fjalë për prodhim bujqësor, por për një luftë tregtare midis vendeve e blloqeve, për sa kohë kufijtë janë të hapur. Në fakt, gjëja e fundit që ne duhet të bëjmë është të mbyllim kufijtë, por vetëm kur e dimë ku jemi, atëherë dimë si të veprojmë në këtë luftë për treg.

Një moment reflektimi – çfarë interesi kam unë si qytetar dhe taksapagues që domatet, trangujt të subvencionuara, siç janë TVSH e hequr për inputet, nafta falas, kthim të 20% të TVSH, kur një pjesë e madhe e saj është e papaguar paraprakisht te çmimi i tyre, etj., të eksportohen? Duhet unë, një qytetar shqiptar, të subvencionoj blerjen e një qytetari në BE të trangujve?

A jam unë krenar për këtë? A është kjo një arritje e qeverisë dhe e politikës? A do të kem unë, me këtë eksport 5 lekë, më shumë në xhep për ta paguar përsëri nesër këtë? A do të thotë tregtari më vonë – faleminderit për ndihmën, tani do të vazhdoj vetë? Argumenti, po Kina?

Po vende të tjera që subvencionojnë eksportet, pse e bëjnë? Shqipëria nuk mund të krahasohet më Kinën e as shumë vende të cilat subvencionojnë eksportin për të arritur pozita monopoliste e dominuese në tregje ndërkombëtare, pra që janë ‘price maker’. Për sasitë e prodhimit që ka Shqipëria, kjo është e pamundur. Shqipëria është e vogël dhe e futur vonë në tregun e superzhvilluar e konkurrues të prodhimit bujqësor dhe është ‘price taker’.

Tendenca e ushqimit dhe bujqësisë është të shkojë drejt prodhimit që kërkon më pak punë, por investime të mëdha kapitali e teknologjie, si p.sh., madhësia e fermave e mekanika gjithmonë në rritje. Shqipëria, për kushtet që ka, mund të konkurrojë vetëm me produkte që kërkojnë punë përkundrejt prodhimit masiv e intensiv në kapital e teknologji të vendeve të tjera.

Një disavantazh tjetër jo i vogël është logjistika, duke filluar nga transporti, rrugët, ambalazhi. Prodhimi kërkon kapitalin, njohuritë e punën. Kur shitja realizohet, në ekonominë shqiptare, si vlerë që rimerret, mbetet vetëm kapitali e puna. Madje një pjesë e madhe e kapitalit del jashtë përsëri në formën e pagesave për lëndët e para, të cilat janë të gjitha nga importi. Si kontribut për të paguar borxhet e mbushura, buxhetin e vendit, mbetet vetëm puna, kapitali vendas kontribuon pak për këtë.

Kapitali, ka normë fitimi më të lartë se puna, këtë na e thotë jo vetëm Piketty, por historia e bujqësisë. Interesi i çdo biznesi është të rrisë kapitalin dhe të ulë punën (shiko fermat në botë). Fitimet nga puna do të vijnë duke u zvogëluar me rritjen e kapitalit. Në të njëjtën masë, duhet të zvogëlohet edhe entuziazmi jonë si shoqëri për aktivitetet apo eksporte bujqësore që rrisin vetëm kapitalin, sepse ne arrijmë të taksojmë e marrim kontribute vetëm nga puna. Për më tepër, toka bujqësore është kapital, e ky kapital është i shpërndarë në qindra mijë ferma në Shqipëri.

Rritja e shpejtë e kapitalit të tokës në pak duar, brenda pak kohe, bën që me mijëra familje të drejtohen drejt asistencës sociale, ose të kërkojnë rrugë migrimi dhe emigrimi. Puna në bujqësi paguhet pak, kudo.

Duhen emigrantë mundësisht jo të ligjshëm të punojnë në aktivitetet që duan punë (krahu) edhe në vendet e zhvilluara që ato të jenë kompetitive, jo vetëm sepse vendasit nuk i bëjnë më ato punë se paguhen pak, por emigrantët e paligjshëm nuk marrin përfitime sociale, p.sh., Greqia, Spanja, Italia. Puna që bëhet në fermë, në aktivitetet bujqësore në Shqipëri, ku punon gjysma e popullsisë, presupozohet të paguajë edhe gjysmën e kontributeve (?) për shtetin social, arsimin falas, shëndetësinë, rrugët, pensionet, natyrën, për subvencionet vetë, etj. Po a ka dhe një “kapital” që paguan taksa në Shqipëri?

Po është taksa e tokës, taksa e ndërtesës, tatimet e korporatave, por taksimi i kapitalit në praktikë në Shqipëri është pothuaj inekzistent. A i kompenson eksporti bujqësor, edhe sikur të jetë 500 milionë euro në vit, me vlerën e shtuar tek kapitali privat e te taksimi i eksportuesve për fitimet e tyre, këto kontributet e munguara në shtetin social? Jo, ata vazhdimisht kërkojnë subvencione e ndihmë.

Në vendet e zhvilluara eksternalitetet e prodhimit bujqësor me shumë vështirësi përfshihen në çmim, shpesh e kërkuar nga vetë konsumatorët. Por atje kemi subvencionet publike, edhe këto si rezultat i presionit nga shoqëria, të cilat i kompensojnë eksternalitetet në një mënyrë ose tjetër. Avantazhi konkurrues që ka prodhimi shqiptar, në shumicën e rasteve, janë pikërisht eksternalitetet negative që i ngarkohen shoqërisë e natyrës. Tokat po kthehen në sterile e humbasin pjellorinë, nitratet e kimikatet në ujërat nëntokësorë, lumenj, liqene e det po i kthejmë në të vdekur.

Sa është çmimi në shëndet i fermerëve që punojnë symbyllur me helme e kimikate. Sa është çmimi i natyrës, i peizazhit që degradohet, i prodhimit që humbet vlerën e shtuar, sepse nuk ka histori e standarde? Për këto duhet të shkojnë “subvencionet”.

 

Tenderë

Një ofertë të pakërkuar a mund ta bëjmë për prodhimin tonë bujqësor? A mund të ndërtojmë një Partneritet Publik-Privat midis prodhuesve bujqësorë e fondeve publike?

Pse fëmijët tanë e familjet në nevojë nuk mund të ushqehen me prodhime shqiptare, po duhet të blejmë krahë pule e mish frigoriferi në Brazil e botë? Janë jo pak, gati 200 milionë euro në vit të cilat dalin jashtë për proteina shtazore.

Dy herë më pak sa është një premtim elektoral i një partie në ndihmë të bujqësisë. BE jep, me anë të CAP, së paku 55 miliardë euro në vit subvencione për bujqësinë, ka 60 vjet që e bën. Janë rreth 100 euro për person në vit, ky është kontributi i shoqërisë europiane për fermat, ushqimin e lirë, me standarde, si dhe eksportet e BE. E përkthyer në Shqipëri do të thotë 3 milionë persona x 100 euro e barabartë me 300 milionë. Pra që të barazohemi thjesht si kontribute me BE-në duhet të kemi një CAP shqiptar që ka si buxhet 300 milionë euro në vit, pavarësisht se na mungojnë 60 vjet të mëparshëm e shumë dekada ekonomi tregu.

Kryeministri aktual sugjeron gjeni tregje jashtë BE-së për mishin dhe blegtorinë. E pamundur me çdo studim. Po pse të mos e gjejmë tregun brenda Shqipërisë? Pse ashtu si në Amerikë, në tenderët e institucioneve publike e private, të mos blejmë prodhime vendase?

Nëse çmimi i mishit e pulës që vjen nga Brazili është shumë i lirë, kjo ndodh sepse ata e subvencionojnë, apo kanë avantazhe konkurruese të pakapërcyeshme për ne? Pyetjet janë a mundemi që me disa masa të ulim çmimin vendas? A kemi interes të kemi prodhim vendas me vlerë të shtuar sociale apo të bëjmë tenderë importi me çmime në dukje sa më të lira?

Sigurisht, edhe sikur çmimi i një prodhimi bujqësor të jetë më i lartë në tregun botëror, ne mundemi dhe duhet të zgjedhim produktin vendas për të blerë punën tonë. Domatet që prodhohen në Marok mund të jenë më të lira se ato që prodhohen në Shqipëri.

Pyetja është kur unë si konsumator paguaj tarifën e çerdhes, ashtu si fermeri në Divjakë paguan për fëmijën e tij në çerdhe me paratë që ka marrë nga shitja e prodhimit, a është më mirë nëse kursej disa cent për domatet e blera në Marok, apo të paguaj koston sociale të fermerit i cili nuk ka më të ardhura, sepse nuk e shet dot prodhimin brenda vendit, ose kërkon edhe më shumë para për eksporte të konkurrojë me Marokun? Ato qindarka të kursyera si konsumator, a mjaftojnë për të ruajtur mirëqenien sociale të vendit? Apo duhen edhe shumë më shumë para të eksportojmë?

 

Pasqyrë realiteti

A mundet një shoqëri, politikanët e së cilës, nuk lejojnë tregje direkte fermerësh në qytete, të ketë ndonjë mendim të drejtë lidhur me prodhimin bujqësor? Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet në Europë ku fermerët nuk mund të shesin me një stendë apo tezgë të tyren. Ka rëndësi, sepse nuk lidhet prodhuesi me blerësin përveç kostove shtesë me zinxhir të zgjatur. A mundet që një fermer të mos ketë interes të mbjellë 10 a 20 pemë për dru zjarri për gjithë jetën? Por jo vetëm, edhe mikroklimë të krijuar nga pemët e material organik për kompostimin, i cili përdoret në vend të plehrave kimike.

A e dinë institucionet, politika në Shqipëri p.sh., për minipyllin, pa folur për agropylltarinë, një praktikë ku në terrene të vogla rreth 500 m² mbillen pemë të ndryshme, me dendësi tepër të lartë, për më shumë oksigjen, biodiversitet, zvogëlim të CO2, rritje të biomasës, material organik për kompostim? Edhe për këtë mund të paguhen fermerët si punë e kapital social, natyror e peizazhi që ata e shtojnë. Po qarkullimi bujqësor, a bëhet në ndonjë fermë? P.sh., a paguajmë ne subvencione që qarkullimi të bëhet sepse toka është një e mirë/kapital i pazëvendësueshëm?

Këto dhe të ngjashme mund të jenë masa me efekte margjinale, por në sistemet me treg të maturuar dhe pa produkte inovative, rritja nëse ka, është gjithmonë margjinale. Nga heqja e TVSH-së së inputeve bujqësore, prodhimi duhej të ishte rritur e po ashtu të ardhurat e fermerëve.

Ndërsa për farat e disa lloj inputesh është e thjeshtë, s’ka pse të ketë TVSH e ato duhej të ishin hequr me kohë, për plehrat kimike, e pesticidet parimi që ndotësi paguan nuk ekziston më, madje teorikisht, çmimi i ulur stimulon përdorimin e tyre. Konsumatori që ka para mund të blejë produkte bio, po pjesa tjetër e konsumatorëve çfarë konsumon? Po natyra, toka, uji?

Ndërsa në Europë makinat me karburant fosil do të dalin nga qarkullimi brenda pak vitesh, në Shqipëri stimulohet përsëri përdorimi i naftës. Po e ulim apo po e rrisim varësinë nga nafta? Plugimi i tokës është një praktikat më të këqija, por e ngulitur thellë në vendet e varfra.

Plugimi e varfëron tokën nga lënda organike e mineralet, përshpejton shumë erozionin e shiut e të erës, çliron sasi të mëdha të CO2, lëndën organike që duhet ta kemi në tokë, ikën në ajër, atje ku nuk duhet. Ilaçi që përdoret për të rikthyer “pjellorinë” është më shumë plehra kimike, të cilat me kalimin e kohës e kthejnë tokën në një medium steril të ngopur me kimikate. Pa folur për CO2 e naftës së traktorit.

Cikli fosil ka mbaruar tashmë në botë, presioni publik për ndryshimet klimatike është më i madh se kurrë më parë dhe rezultatet po duken në konsum, ekonomi e politika. Paratë që shkojnë në Shqipëri për nxitjen e konsumit të energjisë fosile duhet të shkojnë në përgatitje për ndryshimet teknologjike e mbi të gjitha ato klimatike. Të gjithë jemi dëshmitarë që edhe dimri po zhduket si stinë në zonat e ulëta prodhuese të Shqipërisë. Ashtu si kemi rritje të fenomeneve klimatike ekstreme, shira të rrëmbyeshëm, era të forta, përmbytje, thatësira.

 

Rekomandim me këmbë në tokë

Një masë tjetër? Në qoftë se vërtet duhen ndihmuar fermerët e bujqësia, analiza e tokave bujqësore është baza e prodhimit. Me fondet publike, me të cilat subvencionohen deri tani shumë lloje masash pa efekte, ose me efekte të dyshimta, duhen bërë analizat e tokës që secili fermer të dijë saktësisht llojin e tokës që ka. Kjo lidhet me kulturat e varietet që do të mbillen të përshtatshme me tokën, por edhe me sasinë e plehrave kimike. Natyrisht duhet mësuar nga Checkup i shëndetit të njerëzve, që të jemi optimistë se do të korrim çfarë do të mbjellim.

 

*Ekspert në zhvillimin rural dhe inovacionin. Opinionet janë personale të autorit

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of