Alternativa për Gjermaninë (AFD) fiton publicitet duke mbështetur një udhëheqës politik
Edhe një numër i vogël votash bëjnë diferencë të madhe. Tetorin e kaluar, nëse Demokratët e Lirë (FDP) të krahut liberal gjerman, do të kishin fituar 74 vota më pak në zgjedhjet në një krahinë lindore të Gjermanisë, të quajtur Thuringia, ata nuk do të kishin marrë dot pjesë në Parlament, shkruan The Economist.
Bodo Ramelow, kryeministri popullor i kësaj krahine, mund të kishte siguruar votat e mjaftueshme për të rindërtuar koalicionin e krahut të majtë. Dhe në këtë mënyrë, Thomas Kemmerich, udhëheqësi i FDP-së në Thuringia, nuk do ta kishte skandalizuar krejt vendin më 5 shkurt, duke vendosur të mbështetej në votat e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AFD), për të fituar votat e mjaftueshme në Parlament që të mposhtte zotin Ramelow.
Asnjë kryeministër gjerman nuk është zgjedhur ndonjëherë me mbështetjen e AFD-së. Teksa demonstruesit protestonin me slogane antifashiste jashtë Parlamentit në Erfurt dhe ministrat brenda fishkëllenin, zoti Kemmerich premtoi se do të vazhdonte të mbante një qëndrim të fortë kundër AFD-së, dega e së cilës në Thuringia është veçanërisht ekstremiste.
Reagimi ndaj këtij vendimi ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Kancelarja Angela Merkel e quajti “një ditë të keqe për demokracinë”, duke shtuar se ishin thyer vlerat e partisë së qendrës së djathtë, Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU). Social Demokratët (SPD), partnerë të vegjël në qeverinë kombëtare, e denoncuan votën si një pikë të ulët në historinë e Gjermanisë së pasluftës. Më 6 shkurt, zoti Kemmerich iu nënshtrua fatit, duke dhënë dorëheqjen dhe duke bërë thirrje për zgjedhje të reja. Megjithatë, ishte e paqartë sesi mund ta drejtonte një qeveri FDP-ja, me vetëm 5 nga 90 vende parlamentare.
Megjithatë, Thuringia është vetëm shembulli më ekstrem i përçarjes që po ndodh brenda politikës gjermane. Për dekada me radhë, partia e madhe Volksparteien (“partia e njerëzve”) ka garantuar një lloj qëndrueshmërie dhe parashikueshmërie në vend.
Qeveritë e Gjermanisë Perëndimore zakonisht ndryshonin në të majtën qendrore (SPD) dhe më shpesh, në të djathtën qendrore (CDU-ja dhe partia e saj motër bavareze, CSU-ja), me FDP-në që luante zakonisht rolin kryesor. Në vitet 1970, CDU/CSU dhe SPD-ja sëbashku përbënin mbi 90% të votës kombëtare.
Kjo rrjedhë e qetë u trazua tri herë. Në fillim erdhën Të Gjelbrit, themeluar në vitin 1980, të cilët u transformuan me shpejtësi nga radikalë të kërleshur në një parti qeveritare. Ribashkimi në 1990 solli në skenë komunistët e ish-Gjermanisë Lindore, të cilët më vonë u bashkuan me të majtët perëndimorë gjermanë, për të formuar Die Linke, partinë e zotit Ramelow.
Shkundja më e fortë ishte ngritja e partisë AFD-së, e cila u formua në vitin 2013 si një parti antieuro, por shpejt anoi drejt populizmit ksenofob. Sot në Parlament ka gjashtë parti dhe rënia e Volksparteien do të thotë se tre nga katër qeveritë që ka udhëhequr Angela Merkel që kur erdhi në pushtet në vitin 2005, janë “koalicione të mëdha” të formuara nga CDU/CSU dhe SPD; dy gjigantë në rënie e sipër që varen nga njëri-tjetri për mbështetje. Në sondazhet e tanishme, ata nuk tërheqin më shumë se 40% të votuesve.
Përçarja ka arritur kulmin në sistemin e pazakontë federal të Gjermanisë. Para 30 vjetësh, shtatë nga 16 landet (shtetet) e saj, që kanë pushtet në arsim, politikë dhe infrastrukturë, drejtoheshin nga parti të vetme; pjesa tjetër e shteteve, me përjashtim të njërit, qeveriseshin nga koalicione dypartiake.