Një popullsi e sëmurë, kosto për ekonominë, koncesionet deformojnë shpenzimet

13/09/2019 10:08 PM 0 komente

Studime shkencore të institucioneve globale të shëndetësisë dhe financave kanë vërtetuar tashmë se prosperiteti ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm është tërësisht i varur nga një popullsi e shëndetshme dhe produktive.

Sipas të dhënave globale të healthdata nga Organizata Botërorë e Shëndetësisë dhe raporteve të brendshme kombëtare (Raporti Shëndetësor 2014), Shqipëria ka barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon. Një popullsi e plakur dhe e sëmurë nuk është produktive, nuk gjeneron të ardhura, nuk është novatore, përkundrazi kërkon kujdes dhe shpenzime të larta që i faturohen pjesës së shëndetshme.

Efektet e shëndetit të popullatës në ekonomi janë më të dukshme në vendet me tranzicion demografik, thotë një studim i Institutit Gjerman për Punën dhe Ekonominë. Një popullsi e shëndetshme është e aftë ta bëjë vendin më atraktiv për investime që lidhen me kapitalin njerëzor.
Popullsia e shëndetshme prodhon atë që ekonomistët e quajnë dividenti demografik, që është baza për një rritje afatgjatë të ekonomisë. Në të kundërt, barra e lartë sëmundjeve kërkon shpenzime direkte në afatin e shkurtër nga taksapaguesit dhe ushtrojnë presion negativ në sigurimet shoqërore si në krahun e të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve. Personat e sëmurë përballen me shpenzime të larta direkte për kujdes dhe mjekim, për të cilat kontribuon arka e sigurimeve shoqërore për pensionet e posaçme që merr kjo shtresë.

Ekonomistët kanë gjetur një lidhje empirike ndërmjet shëndetit të popullatës dhe prosperitetit. Vendet ku gjendja e popullsisë është e shëndetshme kanë tendencë të kenë të ardhura më të larta se vendet me status më të keq shëndetësor, një lidhje kjo e njohur si “kurba e Prestonit”. Të dhënat tregojnë se mes viteve 19960 dhe 2015, jetëgjatësia dhe rritja ekonomike patën një lidhje pozitive. Por së fundmi ka një shqetësim se jetëgjatësia po rritet me ritme më të shpejta se prosperiteti.

 

Koncesionet deformojnë shpenzimet për shëndetësinë, nuk japin rezultat për sëmundjet

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vitet në vijim. Në këtë mënyrë, shteti ka transferuar shërbime që i kryejnë privatët me pagesa nga buxheti i shtetit për shërbimet e Dializës, kontrollit bazë shëndetësor, Check Up, sterilizimit në spitale dhe shërbimit laboratorik.

Ekspertët të sektorit të shëndetësisë po ankohen gjithnjë e më shumë se burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja, por realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-së.

Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e katërt, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë. Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me koncesionet në shendetësi, të llojit Partneritet Publik-Privat, janë duke realizuar fitime të larta, mbi mesataren e tregut. Norma mesatare e fitimeve në ekonomi ishte 7-8% sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, ndërsa norma e fitimit në koncesionet e shëndetësisë ishte 13% më 2018.
Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”.

Të tria kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017.
Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron CheckUp-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë.
Vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of