Një produkt i ri turistik, perspektivë për të rinjtë

28/08/2018 4:40 PM 0 komente

Flet zoti Ismail Beka, Drejtues Projekti, GIZ – Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar

 

High Scardus Trail është shtegu më i gjatë në të gjithë Ballkanin, me gjatësi 450 kilometra. Shtegu kalon nëpër tre shtete dhe rajoni i Dibrës është një nga polet më të rëndësishme të tij.

Projekti synon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe fuqizimin e komuniteteve lokale në zonat ku shtrihet shtegu. Vetëm gjatë fazës së parë të këtij projekti janë hapur 100 vende të reja pune dhe 17 njësi akomoduese.

Çfarë është projekti High Scardus Trail, cili model turizmi po ndiqet?

High Scardus Trail është emri i një shtegu të ri ndërkombëtar të turizmit malor në rajonin ndërkufitar midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

“High Scardus Trail” është produkt turistik i projektit rajonal “Perspektiva e ardhshme përmes turizmit malor”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe i zbatuar nga GIZ gjatë vitit 2017. Projekti kishte për qëllim rritjen e mundësive të punësimit përmes turizmit në rajonin kufitar mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, duke zhvilluar dhe duke promovuar turizmin malor.

Është një shteg që të ofron mbi të gjitha hiking (ecje në mal – shtegtim), në një nga shtigjet e gjata (rreth 450 km), por në mjaft pjesë të tij ofrohet edhe mountains biking (ecje me biçikleta malore). Shtegu bashkon parqet kombëtare të tre shteteve si Sharr, Mavrovo, Shebenik-Jabllanica dhe Prespa. Parkun Natyror Korab-Koritnik, Liqenin e Pogradecit.

Shtegu kalon në majat më të larta kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku më parë ka qenë brezi i butë kufitar dhe piramidat e kufirit, mbi kullotat më të mëdha alpine dhe arrin majën më të lartë në malin e Korabit (në 2.753 m. lartësi). Përgjatë kësaj rruge kalon mbi luginën e Drinit dhe lidhet e kryqëzohet më rrugët historike të Arbrit dhe Via Egnatian.

Modeli i turizmit është pa diskutim zhvillimi turizmit të qëndrueshëm, bazuar në ruajtjen dhe përdorimin e vlerave të veçanta të kulturës, natyrës, biodiversitetit dhe të traditës lokale të jetesës së komuniteteve lokale dhe veprimtarive të tyre bazë ekonomike si bujqësia, blegtoria dhe ekonomia pyjore. Projekti ka mbështetur edhe krijimin ose përmirësimin e infrastrukturës së njësive akomoduese përgjatë shtegut. Mbi 170 përfaqësues të komuniteteve që banojnë në zonat malore mes tre shteteve janë trajnuar në ofrimin e shërbimit të ushqimit për vizitorët, në akomodim, mbi prodhimet lokale, në artizanat dhe si udhërrëfyes turistikë.

Çfarë ndikimi do të ketë në zhvillimin e këtyre zonave te banorët e rajonit të Dibrës?

Rritja e mirëqenies dhe prosperitetit të banorëve lokalë dhe kryesisht të rinjve që banojnë në territoret ku kalon ky shteg. Përvoja ka treguar se nëpërmjet turizmit, rritet dëshira e të rinjve për të mësuar gjuhë të huaja, për të krijuar profilin e tyre të guidës turistike dhe të bujtinave apo shërbime të tjera në turizëm.

Nëse vijmë konkretisht te rajoni i Dibrës, ai është edhe një nga polet më të rëndësishme të këtij shtegu, me pesë etapa të plota ditore të hiking. Për vetë distancën e këtij rajoni janë pesë etapa të plota brenda këtij rajoni, ndërkohë që ka tre lidhje ndërkufitare. Ai është rajon që ofron pasuri nga më të rëndësishmet të biodiversitetit dhe atraksionit turistik. Mali i Korabit është pika më e lartë në ngjitje e shtegut, vargmalet e zonës së mbrojtur të parkut Korab – Koritnik dhe kalon në fshatrat më të bukura të këtij rajoni. Radomira, Liqenet e Gramës, Cerjan, Zagrad, Rabdisht, Bjeshkët e Hinoskës dhe Popinara janë zonat më të rëndësishme, të cilat janë edhe funksionale për mikpritjen e turistëve në shtëpitë e tyre apo stanet verore në bjeshkë.

Sa të motivuar janë banorët e këtij rajoni për të investuar dhe për t’u fokusuar në turizëm?

Qe të jemi realistë, bëhet fjalë për banorë që jetojnë në kushte shumë të vështira në zonat malore, ku infrastruktura bazë, rrugë, energji, infrastruktura arsimore e shëndetësore janë shumë të këqija dhe pa diskutim ka një shkallë të lartë mosbesimi për perspektivën afatshkurtër, ka largime masive të të rinjve drejt vendeve të Perëndimit.

Për këtë arsye, edhe puna e kujdesshme e bërë me familjet që jetojnë në këto fshatra ku kalon shtegu, duke parë rast pas rasti se çfarë mund të bëhet për të krijuar kushte të thjeshta por me standarde minimale të akomodimit dhe ushqimit ka dhënë rezultate të mira. Gjatë dy viteve të fundit me investime të vetë banorëve apo edhe me grante të vogla nga projekti ndërkufitar apo edhe projekte të tjera të bashkëpunimit, është arritur që në çdonjërin nga fshatrat ku qëndrojnë turistët apo në zonat alpine të staneve në Gramë, Hinoskë dhe Qarrishtë – Shebenik të krijohen njësi të vogla akomoduese që po ofrojnë tërë mikpritjen për turistët.

Pa diskutim që motivimi i banorëve rritet me ardhjen e turistëve. Fillimi është shumë i vështirë, veçanërisht skepticizmi për numrin e turistëve, por duke shkëmbyer edhe përvoja me zonat e tjera të Shqipërisë, veçanërisht atë të Alpeve shqiptare, në vitet në vijim do të shtohet numri dhe kapacitetet e njësive akomoduese si dhe shërbimet e tjera turistike.

Sa janë shanset që ky shteg të jetë një rast suksesi si zhvillimi i luginës së Thethit apo si shtegu “Peaks of Balkans”?

Janë dy realitete të ndryshme. Peaks of the Balkans, i përket Alpeve, që në të gjitha rastet përbëjnë mrekulli të natyrës dhe pa diskutim është rast i papërsëritshëm. Ai destinacion tashmë ka fituar një “patentë” ndërkombëtare dhe ecën gjithnjë në rritje.

Por rruga e zhvillimit të një shtegu ndërkombëtar – ndërkufitar është e njëjtë. Përvoja që kemi krijuar me Peaks of the Balkans, na ka mësuar se cilat janë sfidat që duhen përballuar për të arritur në një produkt turistik të suksesshëm dhe si mund ta bëjmë atë të marketueshëm për turistët dhe si do të kthehet në një destinacion në rritje për tregun ndërkombëtar, veçanërisht atë europian.

Kështu, bashkëpunimi midis grupeve të interesit midis tre vendeve, krijimi i një shtegu të përbashkët, ku turisti të arrijë të “shkelë” në vlerat më të larta turistike të tre vendeve, ndërtimi i standardeve të përbashkëta minimale, lidhur me guidat turistike, sinjalistikën turistike, mikpritjen në bujtinat dhe stanet është çelësi i suksesit për të arritur suksesin. Ky ka qenë edhe objekti i punës i projektit dhe tashmë kemi arritur në një produkt të tillë, pjesë të së cilës i përjetuat edhe ju në këtë aktivitet treditor.

Elemente të tjerë shumë të rëndësishme për suksesin janë edhe bashkëpunimi ndërinstitucional i strukturave qeveritare dhe pushteteve vendore në të tre vendet. Këtu kam parasysh edhe mirëkuptimin e strukturave të Policive Kufitare të tre vendeve, që të lehtësojnë procedurat e kalimit kufitar në male (ku nuk ka pika kalimi zyrtare).

Gjatë vitit 2018, përveç veprimtarive promovuese, siç ishte kjo e fundit, ka pasur disa grupe turistike që kanë përshkruar me sukses pjesë të rëndësishme të shtegut me itinerare javore, që në njëfarë mënyre kanë testuar me sukses shtegun ndërkufitar.
Presim për vitin 2019 të rritet numri i operatorëve turistikë ndërkombëtarë dhe rajonalë që do të prenotojnë më shumë turistë dhe me siguri, nga viti në vit, rritja do të jetë e lartë.

Cilat janë disa nga vështirësitë që keni hasur për të sjellë këtë projekt?

Projekti i GIZ për të zhvilluar SCARDUS ka qenë shumë afatshkurtër (vetëm 8 muaj), me një buxhet dhe personel të kufizuar për menaxhimin. Vështirësia e parë që hasëm kishte të bënte me identifikimin dhe motivimin e institucioneve dhe personave kyç të institucioneve qendrore dhe lokale në të tre vendet, që do të merrnin përsipër ta zhvillonin këtë produkt dhe mbi të gjitha të marrin përsipër edhe pronësinë e këtij destinacioni dhe ta zhvillojnë më tej.

Së dyti, shtegu kalon në shumë zona malore ku nuk kishte infrastrukturë të gatshme për mikpritjen e turistëve, për pasojë edhe duhet të identifikonim persona bashkëpunues me nisma investimi individuale që të krijonin standarde minimale qëndrimi për turistët. Nga ana tjetër, projekti nuk kishte resurse financiare të mjaftueshme për t’i dhënë grante apo mbështetje afatgjatë. Për pasojë u krijua mundësia e “ndihmës për vetëndihmë” vetëm me disa stane në zonat e bjeshkëve.

Sfidat vazhdojnë tashmë që shtegu është i hapur dhe vetë kërkesat e tregut do të çojnë përpara bashkëpunimin. Promovimi dhe marketingu i përbashkët nga aktorët turistikë të tre vendeve do të sjellë sukses të padiskutueshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of