Një votim i ndaluar për të pasur një festë kombëtare të ndarë, ka bërë që njerëzit të diskutojnë për luftë
Kërcënimi i një lufte të re në Bosnjë është kaq i fortë sa mund të ndihet kudo,- paralajmëroi Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Serbisë fqinje. Do të duhet vetëm një shkëndijë, mendon ai, për t’i vënë zjarrin. Disa janë të shqetësuar se Republika Sërbska, gjysma serbe e Bosnjës, e ka ndezur atë shkëndijë, shkruan The Economist.
Më 25 shtator, krahina gjysmë autonome, mbajti një referendum nëse do ta festonte Festën Kombëtare më 9 janar, dita e themelimit të saj në vitin 1992. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e shpalli votimin e paligjshëm, duke vendosur se diskriminonte boshnjakët myslimanë dhe kroatët. Zhvillimi i referendumit, pavarësisht kësaj, ka qenë një goditje e serbëve të Bosnjës kundër autoriteteve të vendit, i cili është përballuar me kërcënimin e shpërbërjes që kur u krijua në bazë të marrëveshjes amerikane me anë të ndërmjetësimit të Dejtonit më shumë se dy dekada më parë.
Milorad Dodik, lideri i boshnjakëve serbë, ka thënë se Republika Sërbska do të votojë për shkëputje në vitin 2018. Trupa ndërkombëtare po rishikon marrëveshjen e paqes në 1995, e cila kishte fuqinë që të ndalonte referendumin, por që nuk ia arriti, e megjithatë Prokuroria e Bosnjës do të veprojë ndaj Milorad Dodik.
Pjesëmarrja në referendum ishte në mënyrë të habitshme e ulët, në nivelin 55.8%, nga të cilët 99.8% e tyre votuan në favor. Një votim për shkëputjen do t’i prishë marrëveshjen që i dha fund luftës boshnjake. Ky kompromis e la vendin të ndarë në dy pjesë. Serbët e Bosnjës e kanë pasur qeverinë e tyre me autonomi të limituar, por u dhanë fund përpjekjeve të tyre për pavarësi dhe për bashkim me Serbinë. Boshnjakët myslimanë hoqën dorë nga qëllimi i tyre për të krijuar një shtet të centralizuar, në të cilin ata do të kishin dominuar.
Më vonë në vitin 1991, referendumet e organizuar nga serbët e Bosnjës, dhe më vonë nga boshnjakë dhe kroatë, ishin momente të rëndësishme në rrugën drejt luftës. Sot konteksti ndryshon. Ndryshe nga Slloodan Millosheviç, ish-udhëheqësi i Serbisë, i cili mbështeste bashkimin me serbët e Bosnjës, Vuçiç kundërshtoi referendumin e kësaj jave. Vuçiç, një ish-ultra nacionalist, që dikur ishte shef i propagandës së Millosheviçit, është sot një politikan i qendrës, pro-europian. Sot, ndryshe nga vitet ’90, nuk ka më një ushtri të fuqishme jugosllave që të mbështesë serbët e Bosnjës nëse ata votojnë për pavarësi. Vendet Perëndimore e kundërshtuan referendumin, si dhe më 20 shtator Bashkimi Europian ndezi dritën jeshile që lejon kërkesën për anëtarësim të vazhdojë me procedurat. Në kontrast, Vladimir Putin, nxiti Milorad Dodik duke e pritur në Moskë, më 22 shtator.
Mbështetja e Putinit për serbët e Bosnjës është pjesë e strategjisë së tij për të shkaktuar kaos në BE, gjë për të cilën Rusia po vuan sanksionet për shkak të ndërhyrjeve në Ukrainë. Për Miloard Dodik, referendumi dhe mbështetja nga Putini, janë një mjet për të forcuar popullaritetin e tij të zbehur, pasi ai përballet me zgjedhjet më 2 tetor. Politikanët boshnjakë kanë përfituar nga kundërshtimi i votimit. Politikisht, referendumi ka qenë i mirë për të dyja palët.
Rreziku qëndron se ky do të jetë i keq për vendin. Bosnja është një shtet i dobët dhe jofunksional dhe organizimi i referendumit në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është një goditje ndaj besueshmërisë se saj. Gjithsesi, ka pak gjasa që lufta të jetë rezultat. Pjesa më e madhe e boshnjakëve janë të shqetësuar në lidhje me vendet e punës, arsimin dhe shëndetësinë. Nxitja e nacionalizmit për të dyja palët nuk krijon as punë të reja dhe as nuk i ndalon mjekët që të emigrojnë për pagë më të mirë diku tjetër.
Jam tejet skeptik që ky referendum do t’i hapë rrugë shkëputjes, tha James Ker-Lindsay, një specialist për Ballkanin Perëndimor në Shkollën Ekonomike të Londrës. Serbët e Kosovës, gjithashtu votuan për pavarësi në vitin 2012, vuri në dukje ai, një votim që tashmë është harruar. Edhe në rastin se Republika Sërbska do të shkëputej pa luftë do të jetë një vend i vogël, i izoluar dhe i varfër, i ndarë në dy pjesë që nuk lidhen fizikisht. Edhe patrioti më i madh i 99.8% votuesve nuk do ta mirëpriste këtë.