Intervistë me Endrit Beqaj, Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Factoring & Lease
Rregullimi është një faktor frenues për zhvillimin e tregut të faktoringut. Endrit Beqaj, Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Factoring & Lease, thotë se një rregullim më i vogël i institucioneve që e ofrojnë produktin, do të krijonte më shumë hapësira për hyrjen e aktorëve të rinj në treg, por njëkohësisht do t’u lejonte aktorëve ekzistues të përqendrojnë më shumë burime dhe energji në zhvillimin e biznesit.
Si e vlerësoni stadin e zhvillimit të tregut të faktoringut në Shqipëri?
Mendoj se ka një ngecje, tregu ka mbetur afërsisht në nivelet e pesë viteve më parë. Nuk shoh zhvillime të mëdha në vitet e fundit. Tregu i faktoringut nuk lidhet vetëm me tregun e llogarive të arkëtueshme, por edhe me eksportet. Këtu nënkuptoj kryesisht financimet e letër-kredive apo garancive bankare.
Kjo pjesë ka ngelur pothuajse totalisht e pazhvilluar. Nuk ka njohuri të subjekteve eksportuese që ekziston mundësia e financimit edhe me faktoring, përveçse me produktet klasike të kredisë. Në thelb, një eksportues nuk e di që mund t’i marrë fondet në avancë, duke i bërë skontim të letër kredisë apo garancisë bankare.
Ju e shihni si fizibël faktoringun ndërkombëtar, duke pasur parasysh që në transaksion hyn edhe një palë e huaj?
Në rastin e faktoringut të eksporteve, pjesa më e madhe e pagesës mbulohet nga një garanci bankare. Në momentin që kemi një garanci apo letër-kredi, lehtësohet shumë marrja e konfirmimit nga blerësi i huaj. Megjithatë, edhe kur transaksioni nuk është i mbuluar me letër-garanci, ka forma të tjera që mund të ndihmojnë për të zbutur rreziqet, siç mund të jenë sigurimet e faturave të eksportit.
Në një treg ku faktoringu njihet dhe përdoret shumë pak, si i organizoni shitjet dhe si i gjeni kryesisht klientët?
Një peshë të rëndësishme në prezantimin e produktit për bizneset luajnë kontabilistët. Kryesisht, nëpërmjet tyre, ne përpiqemi të rrisin ndërgjegjësimin e tregut për këtë produkt. Përveç kësaj, përdorim edhe kanale të tjera të shitjeve, si kontaktet direkte me bizneset për t’ua prezantuar faktoringut dhe dobinë që ata mund të kenë nga përdorimi i tij.
Pse nuk zhvillohet tregu i faktoringut në Shqipëri?
Në këtë treg nuk ka pasur shumë aktorë që ta promovojnë. Nga ana tjetër, edhe sektori bankar nuk i ka kushtuar vëmendje këtij produkti, sepse një sinergji me bankat do të ndihmonte në zhvillimin e tregut. Duke qenë se tregu është më i prirë të përdorë produktet e kredisë, që përbëjnë edhe biznesin kryesor të bankave, ato nuk i kanë dhënë shumë rëndësi zhvillimit të faktoringut.
Sa problem janë për këtë biznes çështjet e natyrës rregullatore dhe burokratike?
Produkti i faktoringut, përveç llogarisë së përgjithshme të arkëtueshme, ka edhe financim të faturave të veçanta. Në momentin kur financojmë fatura të veçanta, kostot janë shumë të mëdha. Ka kosto noterizimi, të Regjistrit të Barrëve Siguruese, kosto të tjera administrative, etj. Për shuma të vogla, këto kosto bëhen një barrë e madhe dhe e ulin konkurrueshmërinë e produktit.
Problem tjetër është procesi i fiskalizimit. Programet që po përdoren në këtë fazë nuk e kanë të parashikuar mundësinë e pagesës së faturës në favor të një pale të tretë, që mund të jetë kompania e faktoringut. Pagesa mund të bëhet vetëm te shitësi. Kjo bie ndesh me parashikimet e ligjit “Për faktoringun”.
Kush e përdor kryesisht faktoringun në Shqipëri?
Nuk ka një sektor tipik apo specifik. Duke parë portofolin tonë në këto vite, kemi pasur klientë të sektorëve dhe aktiviteteve të ndryshme. Por, në parim, mund të them që çdo biznes me afate të vonuara pagese është klient i mirë potencial për faktoringun. Normat e interesit janë fleksibël sipas industrisë dhe rrezikut. Faktoringu ka avantazhin e madh të fleksibilitetit dhe të shpejtësisë së ofrimit të financimit kundrejt klientëve. Ne mund ta mbyllim procesin dhe t’i lëvrojmë fondet klientit edhe brenda 24 orëve.
Cilat produkte të faktoringut përdoren kryesisht në Shqipëri?
Ne jemi kryesisht te faktoringu klasik, që është faktoring me rekurs. Në momentin që pagesa nuk bëhet nga debitori, atëherë i kërkojmë klientit tonë të na i blejë mbrapsht faturën. Kjo bëhet në mënyrë që klienti të jetë i interesuar për ta ndjekur pagesën. Megjithatë, në raste të veçanta, me klientë të mëdhenj, kemi aplikuar edhe faktoring me skontim fature, pa rekurs.
A kërkohen garanci të tjera, përtej përgjegjësisë që ka klienti juaj për ta riblerë faturën?
Jo, zakonisht ne nuk kërkojmë garanci shtesë. Vetëm në raste të veçanta mund të kërkohet dorëzani personale e aksionerit të biznesit klient.
Si mund të zhvillohet më shumë faktoringu në Shqipëri? Cilat mund të jenë incentivat që do të ndihmonin?
Mendoj që sa më shumë trysni dhe autoritet rregullues të ketë, aq më pak do të zhvillohet produkti. Në fund të fundit, kjo është marrëdhënie tregtare mes dy subjekteve. Nuk ka arsye për të pasur një rregullim të këtij niveli. Edhe në praktikën europiane nuk ekziston një rregullim i tillë. Kjo është incentivë që tregu të ecë përpara. Në momentin që tregu ka barriera dhe kosto rregullatore dhe burokratike, biznesi vështirësohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.