Një shpërthim i papritur teknologjik në Serbi

22/08/2020 10:02 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ishte mesi i janarit dhe kryeqyteti serb ishte mbuluar nga një re smogu toksik. Banorët e Beogradit shihnin celularët duke kontrolluar një aplikacion që i informonte mbi cilësinë e ajrit.

Niveli i ndotjes ishte “i rrezikshëm”, por nëse ndodheshin në një stacion autobusi, të paktën mund të kënaqeshin për diçka, shkruan The Economist.

Megjithëse nuk ishin në gjendje të shihnin as në 200 jardë largësi, mund ta kuptonin kur do të mbërrinte autobusi, sepse në Google Maps sapo ishin shtuar minutazhet. Revolucioni dixhital më në fund po mbërrin për serbët. Dhe teksa Europa po mënjanon drejt mënyrave ekologjike, priten edhe më shumë lajme të mira. Serbia zotëron një nga rezervat më të mëdha të litiumit, një përbërës thelbësor për bateritë e makinave elektrike.

Teknologjia përbën të paktën 6% të PBB-së së Serbisë. Në këtë sektor janë të punësuar të paktën 45 000 njerëz. Kompanitë e huaja kanë shpenzuar më shumë se 500 milionë dollarë në nismat serbe, gjatë 6 viteve të fundit, thotë Zoja Kukiç, nga Nisma Dixhitale e Serbisë (DSI), e cila mbron interesat e sektorit.

Eksportet e vitit të kaluar pritet të kenë arritur vlerën 1.4 miliardë euro (1.5 miliardë dollarë), duke shënuar një rritje prej 55% në vitin 2017. Shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë, thotë Nebojsha Gjurgjeviç, kreu i DSI-së. Rregullat e këmbimit valutor nënkuptojnë që pagesat shpesh u dërgohen kompanive të krijuara jashtë vendit dhe askush nuk mund të ndjekë rreth 10 000 individë të pavarur që shpesh operojnë të vetëm.

Serbët e arsimuar po largohen me shumicë – por jo nëse punojnë në sektorin e teknologjisë. Ky është një nga të paktët sektorë që tërheq njerëzit e aftë për t’u rikthyer në vendlindje. Shumë krerë të industrisë, përfshirë Dragan Tomiç, i cili drejton qendrën e zhvillimit të “Microsoft”-it në Beograd, janë serbë të diasporës, të cilët janë rikthyer në atdhe, të pajisur me aftësi, kontakte dhe kapital. Zoti Gjurgjeviç u diplomua për elektronikë në vitin 1990. Nga klasa e tij prej rreth 70 vetash, 40 u larguan. Tashmë dhjetë persona janë rikthyer.

Një pjesë e qeverisë së Serbisë ka ngecur ende në luftërat e së shkuarës. Vetëm tani sapo ka pranuar të rivendosë lidhjet hekurudhore dhe ajrore me Kosovën, të cilën nuk pranon ta njohë si shtet. Por në të njëjtën kohë, qeveria ka investuar 79 milionë dollarë në infrastrukturën dixhitale, duke reformuar kornizat rregullatore dhe duke ulur taksat për të tërhequr investime. Shkollat fillore tani mësojnë kodimin. Sistemi arsimor i vendit po nxjerr 5 000 të diplomuar në vit të aftësuar në teknologji.

Blockchain dhe zhvillimi i lojërave përbëjnë tashmë pjesë të rëndësishme të ekonomisë digjitale të Serbisë. Top Eleven, një lojë futbolli e prodhuar nga Nordeus, kompania më e njohur teknologjike serbe, ka 219 milionë përdorues të regjistruar. Ndërkohë, teknologjia financiare, bioteknologjia dhe inteligjenca artificiale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, megjithëse ende e kanë të vështirë të tërheqin investitorë në vend.

Ndërsa teknologjia digjitale është industria që po lulëzon më tepër për momentin në Serbi, litiumi mund të jetë ai që do të shkaktojë bumin e ardhshëm teknologjik. Kompania “Rio Tinto” ka investuar 200 milionë dollarë për të eksploruar një vend pranë Loznicës. Marnie Finlayson, menaxherja e saj e përgjithshme për Serbinë, thotë se minerali do të përpunohej në vend dhe do të ishte furnizuesi më i madh i Evropës.

Ndryshe nga shumë miniera të tjera litiumi, kjo do të ndodhej në afërsi, pikërisht aty ku duhej. Makinat “Fiat” janë eksporti i dytë më i madh në Serbi. Zonja Finlayson thotë se deri në vitin 2035, “Rio Tinto” pret që 50% e makinave të jenë elektrike. Nëse bordi i “Rio Tinto” jep miratimin, prodhimi do të fillojë në vitin 2025. Me të gjitha industritë e tjera ndihmëse, ajo thotë se kjo sipërmarrje mund të shtojë “disa pikë përqindjeje në PBB-në e vendit”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of