Por kryeministri pa dyshim do të rikthehet
Sistemi i mirëqenies sociale pasqyron shpirtin e çdo vendi. Marrim shembullin e Holandës, një shtet egalitar, por edhe një vend thellësisht kalvinist dhe burokratik, shkruan The Economist.
Përfitimet sociale holandeze janë bujare. Pabarazia në të ardhura është ndër më të ulëtat në BE. Por përfitimet u nënshtrohen rregullave të komplikuara, që synojnë të përjashtojnë të padenjët.
Gjatë dekadës së kaluar, sistemet që synonin të ndalonin abuzimin e përfitimeve për kujdesin për fëmijët, etiketuan gabimisht më shumë se 20,000 prindër si mashtrues dhe i çuan shumë persona në varfëri. Më 15 janar, kryeministri Mark Rutte dhe kabineti i tij, dhanë dorëheqjen për shkak të skandalit. Kjo mund të jetë shenjë e një zhvendosje modeste në të majtë në politikën sociale holandeze.
Kujdesi për fëmijët në Holandë është privat, por autoritetet tatimore u japin prindërve subvencione për të paguar tarifat, në varësi të të ardhurave. Pasi zoti Rutte dhe partia e tij e qendrës së djathtë Liberal (VVD) morën detyrën në vitin 2010, ligjet për të luftuar mashtrimin me përfitimet u ashpërsuan gjithnjë e më tepër, veçanërisht në vitin 2013, pasi u zbuluan disa mashtrues bullgarë që merrnin gabimisht pagesa. Autoriteteve tatimore iu dhanë kompetenca të reja për të ndjekur mashtrimet dhe u inkurajuan të mbulonin kostot me fondet që fitonin.
Shpejt avokatët holandezë filluan të merrnin ankesa nga prindër të cilëve jo vetëm u ishin prerë përfitimet, por ishin urdhëruar të paguanin gjithçka që kishin marrë. Ata që nuk paguanin shpejt, gjobiteshin. Pa pasur ndihma për kujdesin ndaj fëmijëve, shumë prindër lanë punën. Disa humbën shtëpitë. Një numër i konsiderueshëm kishte prejardhje emigrantësh. Prindërit duhej të provonin se kishin aplikuar në mënyrë korrekte, por kur përpiqeshin, organet tatimore nuk i ndihmonin.
“Ata na premtuan se do ta shqyrtonin, dhe pastaj nuk na kontaktuan më”, thotë Leigh-Anne Jansen, një qytetare britaniko-holandeze, e cila ishte një studente me kohë të plotë dhe me një vajzë të vogël kur iu ndërprenë përfitimet në vitin 2014. Ajo dhe i shoqi, i cili është turko-holandez, u urdhëruan të paguanin rreth 30,000 € (36,000 $). Për shkak se autoritetet nuk pranuan të mundësonin prova, prindërit nuk mund të apelonin.
Hetimet
Një raport nga ombudsman-i kombëtar në vitin 2017, kritikoi autoritetet tatimore për keqtrajtimin e prindërve, megjithatë pezullimet e ndihmave sociale vazhduan. Hetimet parlamentare morën informacione të pakta nga ministritë.
Në fund të vitit 2019, qeveria pranoi se kishte ndodhur keqtrajtim dhe la mënjanë para për kompensim (rreth 1.3 miliardë euro), por pothuajse asnjë pagesë nuk është kryer. Korrikun e kaluar, autoriteti i të dhënave personale zbuloi se shërbimi tatimor kishte përdorur algoritme në të cilat prindërit me kombësi të dyfishtë (si zonja Janssen dhe i shoqi) etiketoheshin si rreziqe mashtrimi. Kjo shkelte Kushtetutën.
Kupa u mbush për qeverinë kur një raport parlamentar në dhjetor e etiketoi keqtrajtimin e qytetarëve si një “padrejtësi e padëgjuar”. “Kishte disa gjëra me të vërtetë të këqija: profilizim etnik, listat e zeza dhe qytetarë të etiketuar si mashtrues pa arsye dhe të rrënuar financiarisht”, thotë Pieter Omtzigt, një ministër i cili luajti rol të rëndësishëm në zbardhjen e skandalit.
Dorëheqja e kabinetit është në njëfarë kuptimi një gjest bosh: zgjedhjet e përgjithshme janë caktuar tashmë në datën 17 mars. Zoti Rutte po kandidon sërish, dhe sondazhet parashikojnë mbështetjen për partinë e tij VVD në rreth 25%, shumë më tepër se çdo parti tjetër. Udhëheqësi i vetëm partiak që dha dorëheqjen ishte Lodewijk Asscher nga Partia Laburiste, i cili shërbeu si zëvendëskryeministër, ndërsa po hartoheshin politikat kundër mashtrimit. Duket se nuk ka gjasa që zoti Rutte do të mbahet përgjegjës për këtë skandal, megjithëse e udhëhoqi Holandën gjatë gjithë këtij procesi.
Sidoqoftë, VVD thotë se është e gatshme të diskutojë propozimet nga Partitë Laburiste dhe GreenLeft për financimin e drejtpërdrejtë të qeverisë për kujdesin për fëmijët. Zoti Rutte kohët e fundit është larguar nga tradita e qeverisë së vogël, duke thënë se pandemia ka nxjerrë në pah dëshirën e publikut për një “shtet të fortë”.
Më në fund, prindërit po marrin njëfarë drejtësie. Qeveria i ka premtuar çdo familjeje të paktën 30,000 €. Në mënyrë të pabesueshme, autoritetet tatimore në fillim thanë se do të tërhiqnin një pjesë të mirë të kësaj shume, por më 18 janar, qeveria i anuloi papritur borxhet e prindërve. Edhe kjo ishte zhgënjyese për disa. “Gjatë gjithë këtyre viteve kemi dëgjuar se është shumë e ndërlikuar, se asgjë nuk mund të bëhet”, thotë Eva González Pérez, një avokate që përfaqëson 40 familje. “Tani papritmas është e mundur?”