Një skemë kombëtare procedimi ul kostot dhe nxit përdorimin e kartave
Strategjia kombëtare e pagesave me vlerë të vogël parashikon, mes të tjerash, kryerjen e një studimi fizibiliteti për krijimin e një platforme kombëtare procesimi (switch) të kartave për të gjithë emetuesit. Studimet kanë treguar se ngritja e një platforme të tillë do të sillte ulje domethënëse të kostove me të paktën 30% për transaksionet kombëtare me kartë. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një operator skeme kombëtare të pagesave me kartë, kompania PayLink. Në një intervistë për revistën “Monitor”, drejtorja e përgjithshme, Eneida Thomaj, shpjegon përfitimet që do të kishte sistemi shqiptar i pagesave nga ngritja e një skeme të tillë.
Çfarë shërbimesh të pagesave ofron aktualisht PayLink?
PayLink është institucioni i parë shqiptar dhe lokal, i themeluar në vitin 2013, që ofron dy shërbime kryesore në fushën e pagesave: atë të procesimit të transaksioneve me kartë pagese; si dhe të personalizimit të kartave financiare. Në terma të personalizimit të kartave financiare, tashmë PayLink është konsoliduar në treg, duke ofruar këtë shërbim për disa nga bankat kryesore në vend. Mund të them se me bankat, të cilat aktualisht punojmë dhe me të cilat jemi në proces të daljes në treg me këtë shërbim, zotërojmë rreth 70% të tregut të bankave që personalizojnë kartat financiare. Avantazhi kryesor në ofrimin e këtij shërbimi në vend, është se PayLink duke ofruar të njëjtat kushte sigurie, si edhe çdo procesor tjetër i certifikuar për të tilla shërbime, ofron personalizim të kartave në avantazh kohor. Ne realizojmë dorëzim të kartës financiare brenda dy ditëve, ndërkohë që zakonisht, më parë dhe ende në disa banka në treg, afatet e pajisjes me një kartë pagese kërkojnë disa javë. Gjithashtu ne mund të realizojmë (sipas kushteve të caktuara) edhe kërkesa emergjente të pajisjes me kartë financiare brenda një dite. Këto avantazhe që ofron PayLink kanë qenë mjaft domethënëse, sidomos në kushtet e pandemisë që po kalon vendi, duke bërë të mundur pajisjen e shpejtë të klientëve fundorë me karta financiare, nën nxitjen që institucionet bankare promovojnë në përdorimin e kartës së pagesës për t’iu përgjigjur kësaj pandemie. Në lidhje me ofrimin e shërbimit të procesimit, ne si PayLink jemi të certifikuar nga entitet përkatëse rregullatore (si brenda ashtu edhe jashtë vendit), për të ofruar me cilësi të plotë të tillë shërbim. Jo vetëm kaq, si institucion kemi promovuar zgjidhje (qoftë të njohura për rajonin) si dhe inovatore për vendin tonë, që nxisin përdorimin e kartave të pagesave, duke ndihmuar në uljen e kostove jo vetëm në nivel infrastrukture që propozohet por edhe në nivel transaksional të kartës financiare. Shembuj të tillë mund të përmend POS Share, ATM Share, një Switch kombëtar, module mjaft avantazhuese të parandalimit të mashtrimit nga kartat e pagesave, zgjidhje në menaxhimin e portofolit të kartave, apo dhe produkte të kartave të pagesave, të teknologjisë më të fundit, duke ndarë njohuritë tona në fushën e pagesave dhe sigurisë.
Strategjia kombëtare për pagesat me vlerë të vogël përcakton, mes të tjerash, objektivin e ngritjes së një sistemi kombëtar të shlyerjes së pagesave me kartë. A është ky një funksion që mund ta kryejë PayLink?
Po, sigurisht. PayLink, si procesor i certifikuar në industrinë e kartave të pagesave e ofron këtë zgjidhje. Me këtë nënkuptoj se ne zotërojmë jo vetëm mundësitë teknike (platformën e nevojshme teknologjike), por kemi edhe stafin e kualifikuar për zgjidhje të tilla – si në nivel teknik, por edhe ekspertizën për sigurinë e mbrojtjes së të dhënave që kjo zgjidhje kërkon, si dhe zotërojmë të gjitha certifikimet e nevojshme (nga skemat ndërkombëtare të pagesave, si dhe nga rregullatorët në vend). Po, në Shqipëri ekziston një institucion lokal që disponon gjithë kapacitetet teknike dhe certifikimet e nevojshme për të ofruar këtë zgjidhje. Pandemia tregoi se rritja e përdorimit të kartave krijon parakushtet për të ngritur një platformë switch kombëtar.
Nëse do të bëhej një shlyerje kombëtare e këtyre pagesave, a do të sillte ulje të kostove për ofruesit e shërbimeve dhe të gjitha palët e përfshira në transaksion?
Jam e bindur që po. Këtë e argumentoj me dy fakte kryesore. Po diskutojmë për një zgjidhje, e cila mundëson eliminimin e disa hallkave në zinxhirin e “shlyerjes” së një transaksioni me kartë financiare domestike, kryer në një terminal domestik, e cila rrjedhimisht do të ndikojë në uljen e kostove. Së dyti, nëse aktualisht janë skemat ndërkombëtare të pagesave, të cilat “rregullojnë” komisionet ndërmjet institucioneve lëshuese (issuing) dhe atyre pranuese (acquiring), nën një skemë Switch kombëtar, kjo marrëdhënie financiare do të vendoset nga vetë institucionet bankare në vend. Për më tepër, nisur edhe nga Strategjia Kombëtare për pagesat me vlerë të vogël, ku nxitet më së shumti nga enti rregullator (BSH) ulje e kostove të transaksioneve me kartë pagese, ky është një faktor që do të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim.
Nëse mund të bëni një vlerësim, sa do të uleshin kostot me ngritjen e një skeme të tillë?
Për këtë pyetje po jap referencë një statistikë të përmendur në mbledhjen e fundit të Komitetit të Pagesave, nga një studim i përbashkët ndërmjet Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, ku vlerësohet se mund të arrihet deri në 30% ulje e këtyre kostove.
A ekzistojnë pengesa që një sistem kombëtar të shlyejë edhe pagesa nëpërmjet kartave që lëshohen në emër të Visa, MasterCard apo ofruesve të tjerë globalë?
Absolutisht jo, nuk ka nevojë që të lëshohen karta të posaçme lokale apo karta të reja Visa/Master Card. Kartat mund të vazhdojnë të ruajnë markën Visa apo Master Card dhe të përdoren edhe jashtë vendit, por transaksionet kombëtare do të klerohen brenda vendit. Nuk ka asnjë kufizim të këtij lloji. Kjo është një skemë që lejon qoftë kartat ekzistuese, qoftë karta të reja të këtyre kompanive, qoftë edhe karta lokale jashtë markave të mësipërme.
Në çfarë stadi është puna për ngritjen e një skeme kombëtare të shlyerjes së pagesave me kartë?
Personalisht jam optimiste se jemi në rrugën e duhur për ngritjen e një skeme të tillë kombëtare. Bazuar në Strategjinë Kombëtare të pagesave me vlerë të vogël, ashtu siç edhe u prezantua në mbledhjen e fundit të Komitetit të Pagesave, po punohet për kryerjen e një studimi të tregut në vend (si në nivel të volumeve lokale, ashtu edhe të kostove transaksionale të kartave të pagesave). Kjo do të saktësojë përfitimet që mund të kemi në drejtim të uljes së kostove. Këto janë projekte madhore në vend, që kërkojnë kohën e duhur për implementim, por jam optimiste se është një proces që do të kryhet. Për më tepër, tendencat e përgjithshme pozitive në vend, në drejtim të zhvillimit të pagesave do të jenë një shtysë e mëtejshme dhe do ta bëjnë këtë skemë nevojë të tregut tashmë, që mbështet sigurisht edhe strategjinë kombëtare të pagesave.
Çfarë masash apo incentivash të tjera, sipas jush, mund të rrisin më tej përdorimin e pagesave elektronike?
Ashtu siç e ka treguar përvoja, në vendet tona fqinje, rritja e përdorimit të kartave të pagesave duhet të jetë e shoqëruar nga incentiva financiare dhe mbështetje nga programet qeveritare të cilat alokojnë benefite sociale për grupe të caktuara të popullatës. Si shembull mund të përmend Kartën financiare të Studentit. Këto janë produkte mjaft efikase, pasi nxisin përdorimin e kartës financiare dhe edukojnë “një kulturë pagese” që në moshën kur individi mbush moshën madhore, pa pritur domosodshmërisht derisa të hyjë në marrëdhënie pune. Ai mësohet me lehtësitë dhe benefitet e përdorimit të kartës që në këtë moshë të hershme, e lidhur me statusin e studentit, e në vijim është një klient afatgjatë për produkte inovatore që institucionet bankare lançojnë në treg. Karta të tjera, si Karta e Pensionit Financiar mund të shërbejnë për përfitimin e benefiteve për kategori të tjera, si për shembull pensionistët. Përdorimi i kartës për benefite të njohura me ligj mund të jetë shumë efikas, sepse do të jetë vetë klienti që do t’i pretendojë këto benefite. Shtysë tjetër mund të jetë ndërtimi i produkteve nga vetë institucionet bankare apo institucionet e pagesave, që të ofrojnë benefite të lidhura me besnikërinë e klientit. Sidomos segmenti i më të rinjve, që janë më familjarë me përdorimin e teknologjisë, mund të nxitet shumë nga zgjidhjet novatore. PayLink aktualisht ka realizuar skema të tilla besnikërie me klientët tanë.
Çfarë efekti ka pasur deri tani pandemia në nxitjen e pagesave elektronike?
Muajt e parë të pandemisë, ishin muaj pasigurie, dhe jo fort të qartë sesi do të ecnim në vijim. Por sigurisht, duke u normalizuar në këto kushte aspak normale për ne, jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri, ka pasur zhvillime pozitive në fushën e pagesave. Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë janë lëshuar rreth 65 mijë karta më shumë në treg për vitin 2020 krahasuar me 2019. Një studim i fundit nga Banka Botërore në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë që analizon tregun e e-commerce në vend, konkludoi se 54% e të anketuarve në studim kanë rritur përdorimin e online shopping gjatë pandemisë nga të cilët rreth 74% do të vijojnë në përdorimin e këtij shërbimi. Pandemia, për mendimin tim, tregoi se edhe kultura e “vetëm përdorimit të cash” nuk është një tabu, mund të ndryshojë nëse ekzistojnë faktorë nxitës. Tashmë, tregu vendas po ndjek trendet e rajonit, duke kërkuar zgjidhje “biometrike” në fushën e pagesave të tilla si përdorimi i kartave të pagesave ku autorizimi nuk bëhet me përdorimin e Pin, por përdorimin e shenjës së gishtit, apo edhe nxjerrja në treg e produkteve të kartave të pagesave të teknologjisë së fundit si “wearables”, përmes të cilave karta/chip i kartës, inkorporohet, për shembull, në një byzylyk/orë apo në telefonin celular etj. Institucionet bankare po nxisin më tutje strategjitë e tyre të dixhitalizimit, në kuadër të inovacioneve, sidomos nën kushtet e një pandemie që siç duket do të zgjasë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.