Nëse nuk e paguan energjinë, futesh në burg, por nëse KESH apo OSHEE nuk paguajnë detyrimet ndaj furnitorëve, zgjidhja është një gjyq i gjatë. Qeveria po ndërmerr reforma në energji, por dy ndryshime të rëndësishme të bëra javës së kaluar cilësohen antikushtetuese nga juristët, përveçse nuk janë as të drejta në ekonominë e tregut
Gjatë mbledhjes së fundit të Kuvendit, qytetarët dhe opozita kërkuan për të dytën herë dorëheqjen e kryetarit Ilir Meta. Por, ndërsa jashtë jepeshin deklarata nga deputetë të opozitës, në sallën e Kuvendit u miratua një projektligj që favorizon kompanitë publike të energjisë dhe penalizon prodhuesit e vegjël të saj, e konsumatorët e energjisë.
Në emër të situatës së vështirë të sektorit, u zgjodh edhe kësaj radhe që koston ta paguajnë të tjerë, ndërsa kompanitë publike (administrimi i të cilave kërkon vëmendje) vendosen në kushte komode, ku detyrimet e tyre të mund t’i paguajnë me nge. Kjo nuk vlen, për detyrimet që të tjerët kanë ndaj KESH apo OSHEE.
Më saktë, ndryshimet e miratuara në projektligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare” parashikojnë të hiqet statusi i titullit ekzekutiv për faturat e kompanive private ndaj KESH-it për një periudhë trevjeçare. Pra, deri në fillim të vitit 2018, periudhë kur Ministria e Energjisë pretendon se sektori do të ecë në këmbët e veta. Argumenti në këtë propozim është se një hap i tillë do të ndihmojë që KESH të punojë normalisht. Objektivi kryesor është shmangia e përmbarimit, një kosto e tepërt sipas Damian Gjiknurit, ministrit të Energjisë. Pak ditë më parë, në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ministri pohoi se brenda gjashtë muajve do t’u shlyhet HEC-eve gjysma e pagesës së prapambetur prej 30 milionë dollarësh. Por a do t’i sigurojë ky premtim investitorët e hidrocentraleve, pas rishikimit të kontratave, të cilat kishin marrë garancinë e Kuvendit?! Kjo shihet me dyshim nga vetë prodhuesit, ndërsa juristët e kundërshtojnë ligjin, duke e quajtur antikushtetues.
Manovrat në energji janë të dyanshme. Nga një anë, hiqet titulli ekzekutiv i faturës, kur flitet për detyrimet e kompanive publike, e nga ana tjetër, vendoset titull ekzekutiv kur fatura i shkon qytetarit. Me pak fjalë, KESH e OSHEE nuk janë të detyruar t’ju paguajnë nëse ju kanë borxh, por çdo familjar apo biznes që merr faturën mujore nuk mund ta kundërshtojë atë. Në rastin e parë, prodhuesit privatë të energjisë mund të detyrohen të kërkojnë vjeljen e faturave nëpërmjet proceseve të gjata gjyqësore ose do të mbeten tërësisht në varësi të vullnetit të KESH për të paguar apo për të mos paguar të paktën deri në janar 2018. Nga ana tjetër, edhe individëve apo subjekteve private, u duhet të shkojnë në gjyq për të kundërshtuar një faturë, pasi ta kenë paguar atë.
Ndryshimet ligjore
- nuk është më titull ekzekutiv, fatura e blerjes së energjisë elektrike nga KESH, OSHEE e OST ndaj HEC-eve e kompanive të tjera
- bëhet titull ekzekutiv, fatura e konsumit të energjisë elektrike
Godita e radhës, për prodhuesit. Antikushtetues, për juristët
Sokol Azizaj, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, e ka cilësuar këtë ligj antikushtetues. Sipas tij, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë ligjore, totalisht jokushtetuese, joligjore e jo të drejtë. Ajo ktheu në akt ligjor mospagesën e OSHEE-së apo KESH-it të detyrimeve që ka ndaj qytetarit. Kjo do të thotë që do të pengojë përmes iniciativës ligjore veprimtarinë e ekzekutimit të vendimit, i cili do të marrë sot formë të prerë, duke qenë OSHEE debitor ndaj qytetarit shqiptar”. Sipas tij, kemi të bëjmë me dy subjekte, qytetari shqiptar dhe subjekti shoqëri anonime, “këto janë trajtuar deri tani e duhen trajtuar në mundësi të barabartë ligjore”. Ai kujton se për sa
kohë ndaj qytetarit, çdo faturë e nxjerrë nga operatori i shpërndarjes përbën titull ekzekutiv, duhet domosdoshmërisht dhe e anasjella. Nxjerrja e Titullit Ekzekutiv, kur OSHEE ndaj qytetarit është debitor. Humbja e kësaj barazie nuk është gjë tjetër veçse shkelje e parimit kushtetues. E njëjta shkelje vërehet edhe mes prodhuesve publikë e privatë të energjisë. Ky nuk është një fenomen i ri në shkeljet ligjore sipas Hazizajt. “Ne konstatojmë ndonjëherë edhe veprimtari arbitrare të ligjbërësit për sa i përket barazisë së palëve”. Po them, në themel, ndryshimet që iu bënë ligjit “Për bankat”, mospagesës së kredisë nga ana e debitorit dhe nxjerrjes së urdhrit ekzekutiv pa kaluar në proces gjyqësor, është mungesë e barazisë së palëve në konflikt gjyqësor”.
Për sipërmarrësit, ndryshimet e fundit në ligj që prekin sektorin e energjisë, janë abuzimi i radhës. Sipërmarrës pranë Shoqatës së Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme, tregojnë se abuzimi filloi që me rishikimin në ulje të çmimeve të energjisë, me efekt retroaktiv. “Janë nenet 143, 144 të rishikimit të tarifave, me të cilat Enti ka vendosur në mënyrë të njëanshme çmimin e shitjes, duke e ulur atë nga çmimi i parashikuar në kontratë”, vërejnë ata.
Për këtë hap, shteti shqiptar pritet të përfundojë në Arbitrazh përballë prodhuesve të vegjël të energjisë. Ata gëzojnë kontrata koncesionare të miratuara në Kuvend dhe disa përfaqësues të Shoqatës së HEC-eve, AREA, thonë se do t’i drejtohen arbitrazhit për vendosjen, sipas tyre, të çmimeve arbitrare me efekt retroaktiv. “Po asistohemi nga dhoma të huaja avokatie për të shkuar në arbitrazh”, thonë ata.
Me ndryshimet e fundit në projektligjin për detyrimet e prapambetura, sipas prodhuesve, mesazhi i qeverisë është i qartë, “do t’ia japim kur të kemi mundësi, e për këtë, nuk japin llogari, e as nuk penalizohemi me gjoba e kamata”. Nga ana tjetër, prodhuesit e HEC-eve janë në diskutime me Ministrinë e Energjisë për të negociuar ndryshimet që do të bëhen në ligjin për energjinë e rinovueshme.
“Në emër të reformave”, argumenti i Ministrisë së Energjisë
Nisma e ministrisë për këtë standard të dyfishtë, sipas juristëve e aktorëve në treg, bazohet te nevoja për të mëkëmbur sektorin. Por a mund të forcohet një institucion publik, në kurriz të privatit e individit? Sipas relacionit të projektligjit, sektori i energjisë elektrike në Shqipëri është në një situatë të vështirë teknike dhe ekonomiko-financiare. Në analizën e shkaqeve që e kanë çuar sistemin në gjendjen aktuale dallojmë disa elemente kryesore, sikurse janë nivelet e ulëta të arkëtimit nga konsumatorët familjarë, bizneset dhe institucionet publike, humbjet e larta të energjisë elektrike në sistemin e shpërndarjes, si dhe mosshlyerja e detyrimeve të pretenduara nga operatorët që veprojnë në sektorin elektroenergjetik. Nga ana e qeverisë shqiptare, me qëllim përmirësimin e situatës dhe rritjen e niveleve të arkëtimeve dhe uljen e humbjeve, janë ndërmarrë disa masa, si më poshtë: – Ndryshimi dhe ashpërsimi i Kodit Penal për sa u përket ndërhyrjeve të paligjshme në sistemin e matjes dhe në rrjetin e energjisë elektrike. Ekspertët e Ministrisë së Energjisë rendisin një sërë masash të forcuara së fundi, të cilat i kemi parë edhe në realitet, ku një rilidhje (e paligjshme) e energjisë elektrike, disa shqiptarëve u kushtoi jetën, ndërsa të tjerëve u “dhuroi” burgun.
Sipas ministrisë, “të gjitha këto masa kanë ndikuar në rritjen e besueshmërisë së shoqërive publike që operojnë në sektorin e energjisë elektrike dhe rritjen e performancës së këtyre shoqërive. Megjithatë, vijon të mbetet problem shlyerja e detyrimeve të pretenduara nga operatorët që veprojnë në sektorin elektroenergjetik. Për shkak të detyrimeve të shumta të prapambetura që shoqëritë publike kanë ndaj pjesëmarrësve të tjerë të tregut, vazhdon të jetë problematike shlyerja e faturave korrente të detyrimeve të ndërsjella”. Në relacion argumentohet se, “për sa kohë që KESH-i s’ka asnjë mundësi financiare për të paguar faturat e prapambetura, përmbaruesit e aktivizuar nga kompanitë koncesionare mbajnë të bllokuar llogaritë bankare të KESH-it e, për rrjedhojë, nuk lejojnë ushtrimin e aktivitetit normal të kësaj shoqërie. KESH-i vazhdon të jetë në një gjendje të vështirë financiare e krijuar si rezultat i mosshlyerjes në vlerë të plotë nga ana e ish-CEZ Shpërndarje. sh.a., (tani OSHEE, sh.a.) të faturave të furnizimit me energji elektrike nga KESH, sh.a. për konsumatorët tariforë sipas përcaktimeve dhe rregullave të sanksionuara në Modelin e Tregut të Energjisë. Për këto arsye, KESH, ka kërkuar mbështetje financiare nga qeveria për të përballuar detyrimet e papaguara ndaj HEC-eve të vegjël. Bllokimi i llogarive bankare të kësaj shoqërie kryhej në bazë të ligjit nr.8662, datë 18.9.2000, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, i ndryshuar në nëntor të vitit 2011, duke u njohur si tituj ekzekutivë, përveç faturave të energjisë së konsumatorëve fundorë, tashmë edhe faturat e shitjes, blerjes dhe faturat e shërbimit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Ekzekutimi i faturës bëhet i detyrueshëm edhe për faturat e shitje-blerjes së energjisë elektrike mes shoqërive koncesionare dhe KESH-it. Kjo, sipas ekspertëve të Ministrisë së Energjisë, që i hapin rrugë ndërhyrjes së menjëhershme të përmbaruesve privatë në rast mospagimi nga çdo aktor tregu (KESH, OSHEE, OST dhe tregtarë të ndryshëm). Sipas KESH-it, aktivizimi i procedurave përmbarimore nga ana e këtyre prodhuesve i ka shkaktuar këtij institucioni vështirësi serioze financiare dhe operative për realizimin e veprimtarisë së tij ekonomike, si pasojë e bllokimit sistematik të llogarive pranë bankave tregtare të nivelit të dytë. Për shkak të kësaj situate, KESH-i nuk ka mundur të garantojë as radhën e preferencës në pagesa sipas parashikimeve të nenit 605 të Kodit Civil, lidhur me detyrimet ndaj organeve tatimore e deri në pagesat për pagat e punonjësve të vetë shoqërisë. Prandaj, u propozua të hiqet titulli ekzekutiv për këto fatura. “Ky propozim vjen edhe si rrjedhojë e faktit që energjia elektrike ka karakteristika të veçanta nga mallrat dhe shërbimet e tjera, për shkak të rëndësisë publike që ka ky mall. Nga furnizimi me energji elektrike varet funksionimi normal i shumë strukturave të tjera (uji, spitalet, burgjet etj.) që janë të domosdoshme për shtetin”, thuhet në argumentet e ministrisë. Në të njëjtën kohë, për faturat që OSHEE lëshon, u kërkua vendosja e titullit ekzekutiv. Afati i vlefshmërisë, edhe në këtë rast, do të jetë deri në fillim të vitit 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.