Përse ky destinacion
Së pari, Greqia do të jetë një nga destinacionet kryesore të fushatave publicitare të dy agjencive turistike “Thomas Cook” dhe “Cosmos”. Drejtuesit e këtyre agjencive janë shprehur entuziastë se, pavarësisht problemeve, do të jetë një nga vendet më të pëlqyera nga pushuesit e kategorive të ndryshme, pasi ofron të gjithë elementët e turizmit.
Së dyti, hotelet greke kanë ulur çmimet, në përpjekje për të tërhequr më shumë vizitorë, edhe pse kjo “manovër” nuk do të jetë e mjaftueshme për të kompensuar rënien në rezervime të vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se Greqia është bërë këtë muaj destinacioni i tretë më i lirë në mesin e 24 vendeve europiane, për sa i përket akomodimit. Në Athinë, çmimet e hoteleve janë ulur me 16% (mesatarisht nga 114 euro në 96 euro).
Së treti, deri në fund të këtij viti, 13 aeroporte periferike greke do të presin avionë që do të përjashtohen nga taksa të veçanta. Kjo bën që këto aeroporte të jenë ndër më të lirët në Europë. Parashikohet që çmimet e biletarive të ulen me rreth 10%. Me anë të kësaj mase, synohet rritja e numrit të fluturimeve të rregullta, komerciale dhe fluturimeve çarter, me shpresë rritjen e turizmit për të gjithë vitin.
Kalkidhiki, ofertat e agjencive për ju
Cilësohet si parajsa sekrete e Greqisë, rajoni i Kalkidhikisë formohet nga tre ishuj lehtësisht të dallueshëm edhe në hartë. që njihen ndryshe si “gishtat”. Turistët tërhiqen nga deti tejet i pastër, nga veçantitë e natyrës, monumentet e mrekullueshme, por edhe nga njësitë akomoduese, nga ato tradicionale tek ato superluksoze. Mos humbisni të vizitoni: ishullin Kasandra, Sitonia dhe malin Athos (ku gjendet edhe “gishti” i tretë dhe më i bukuri). Mund të jetë një prej destinacioneve që mund të kënaqë përvojën tuaj turistike.
Agjencia “Union Travel” ju ofron qëndrime 7 net në hotele të ndryshme me katër dhe pesë yje dhe për fëmijët nga mosha 1-12 vjeç, çdo gjë është falas. Në këto paketa është i përfshirë mëngjesi dhe darka.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: “Union Travel”
Vendi: Kalkidhiki
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 229-349 euro/person
Transporti: Individual
Datat: Qershor
Agjencia ATHS gjithashtu e propozon këtë destinacion dhe për prenotime në muajin qershor aplikon edhe 30% zbritje. Mund të akomodoheni në gjysmë pensione ose në hotele me 3-4 yje, “all inclusive”
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: ATHS
Vendi: Kalkidhiki
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 136-300 euro/person
Transporti: Autobus
Datat: Maj-Shtator
Agjencia “MTI Travel” ofron qëndrime në hotele me 3-5 yje në gjysmë pensione ose me shërbim “all inclusive”.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: “MTI Travel”
Vendi: Kalkidhiki
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 240-490 euro/person
Transporti: Autobus
Datat: Qershor
Udhëtim “bëje vetë”
Kalkidhikia është e arritshme lehtësisht si në rrugë tokësore ashtu edhe ajrore. Nëse dëshironi që të udhëtoni me autobus ose me makinën tuaj personale, atëherë do t’ju duhet të dilni nga Igumenica, është vetëm 4 orë larg. Në Shqipëri nuk ka linjë të drejtpërdrejtë me avion me këtë destinacion. Nga Selaniku, distanca është 100 kilometra. Mund të përdorni edhe ofertat “low cost” nga Italia, ku gjeni bileta avioni edhe me më pak se 50 euro. Mund të zgjidhni të akomodohemi në pensione, të cilat kanë çmime të arsyeshme, madje në muajin gusht një apartament mund ta gjeni edhe për 50 euro nata, ndërsa një apartament me sipërfaqe 80 metra katrorë, për katër persona në korrik-gusht, e gjeni edhe për 90 euro/nata.
Nëse dëshironi të merrni një makinë me qira do t’ju kushtojë rreth 30 euro në ditë. Restorantet vlerësohen për ushqimin e shijshëm dhe të pasur, shërbimin cilësor dhe stafin mikpritës.
Çmimet për një vakt gjithashtu janë ekonomike, mesatarisht mund të llogariten nga 10 deri në 30 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.