Galeri arti në holl. Vepra arti të të rinjve të talentuar. Dhoma të personalizuara nga artistë të mëdhenj. Instalacione apo koleksione private të cilat ekspozohen vetëm për të ftuarit.
Ekzistojnë hotele ku luksi dhe komforti janë vetëm fillimi. Dhe për të pasuruar hollin e hotelit dhe për ta shndërruar në një përvojë të paharrueshme, ato u ofrojnë miqve magjepsjen e një muzeu me thesare.
Hotele të bukur si galeri arti, hollet e të cilëve janë të pasur me piktura dhe skulptura dhe suitat arredohen me pjesë unike, të cilat shpesh edhe mund të blihen.
Në jug të Kilit, jashtë qytetit të Puerto Natales ka lindur një hotel i ri magjepsës. Pjesë ekskluzive e The Leading Hotels of the World, The Singular Patagonia, dikur një fabrikë frigoriferike që daton në fillim të shekullit XX, është shndërruar në një monument kombëtar në vitin 1996. Ambientet janë transformuar, por duke ruajtur strukturat kryesore dhe duke krijuar një muze të mrekullueshëm në hollin e hotelit, ku janë të ekspozuara jo vetëm vepra arti por edhe relike copëza dhe pajisje origjinale.
Hoteli, i cili ndodhet në Fjordet Última Esperanza, pranë vargmalit të Andeve, me 57 dhomat e tij ofron hapësirën e nevojshme për t’u çlodhur pas një dite aventurash apo ndoshta pas një jave ecje aty pranë, në Parkun Kombëtar Torres del Paine. Por bukurinë e vendit mund ta shijoni edhe nga dritaret panoramike dhe të larta të hotelit.
Në Singapor, me pamje nga Marina Bay, hoteli superluksoz The Ritz Carlton Millenia u dhuron të ftuarve një atmosferë të vërtetë arti. Ky hotel elegant me pesë yje përmban 4200 vepra arti bashkëkohor dhe një nga koleksionet më të pasura në botë. Ndër veprat më të vlerësuara është edhe koleksioni fotografik i Andry Warhol dhe skulpturat e Henry Moore.
Por janë edhe kryeveprat e Dale Chihuly e David Hockney. Ju nuk duhet të humbisni edhe instalacionin në 3D të artistit Frank Stella, që ilustron balenën e bardhë Moby Dick, e varur në tavan, e cila u uron mirëseardhjen gjithë atyre që hyjnë në holl. Hoteli është një galeri e vërtetë arti dhe organizon vernissage (ju mund të shikoni veprat e artit para se ato të ekspozohen për publikun e gjerë) dhe ture në zbulim të veprave autentike.
Kur flitet për artin, nuk mund të mos përmendet Nju Jorku. Në Lexington Avenue, në mes të qendrës, është një hotel i cili është si një udhëtim në artin bashkëkohor, Gramercy Park Hotel. Së pari, sepse për dizajnin e hotelit në vitin 2006 u kujdes artisti Julian Schnabel, i cili ka ndryshuar pamjen e tij me mendim vizionar, jo vetëm të ambienteve të brendshme, në stilin e Rilindjes, por duke bërë me duart e tij edhe detaje të ndryshme. Ambientet pasurohen nga punimet e artistëve si Andy Warhol e Jean-Michel Basquiat, me një koleksion të bukur fotografish dhe objekteve të design.
Kthehemi në Europë, në Paris, për të pasionuarit e artit, adresa është vetëm pak hapa larg nga Champs Elysees: Le Royal Monceau – Raffles Paris, edhe ky pjesë e The Leading Hotels of the World, një tempull i dizajnit dhe kulturës. Kohët e fundit, i gjithë hoteli është rinovuar nga francezi Philippe Starck, atmosfera parisiene është pasuruar nga galeria e çmueshme e artit dhe libraria artistike.
Po ashtu është edhe shërbimi ‘Art Concierge’, ose ndryshe një staf njerëzish në gatishmëri për të organizuar vizita të personalizuara në koleksionin privat të hotelit dhe për të ilustruar eventet më të mira në Ville Lumière. Por, jo vetëm. Hoteli ka edhe një sallë projeksionesh (ju duhet të shikoni më parë kalendarin e eventeve dhe festivaleve) dhe një koleksion fantastik fotografish. Në çdo dhomë të këtij hoteli gjenden edhe vepra të koleksioneve private.
Në Itali, në Verona, ndër hotelet më të bukur është Byblos Art. Ndodhet në Villa Amnistà, një vilë e mrekullueshme veneciane e rrethuar nga vreshtat e Valpolicella dhe e zhytur në gjelbërim, e ndërtuar pjesërisht në shekullin e 15 në stilin venecian nga arkitekti Michele Sanmicheli, dhe një pjesë në shekullin e 18 nga arkitekti Ignazio Pellegrini.
Duke hyrë ju mund të admironi afresket dhe pjesë origjinale nga të dy epokat të cilat janë restauruar. Këtë hotel e bëjnë të veçantë edhe arredimet bashkëkohore të Alessandro Mendini, i cili e ka pasuruar rezidencën me pjesë unike. Veprat e Ron Arad, Philippe Starck, Marcel Wanders, Ettore Sottsass, Eero Saarinen, Eero Aarnio e shumë të tjerëve janë të pranishëm në këtë hotel.
Burimi: La Repubblica