Udhëtim në Lubjanë

02/10/2020 3:38 PM 0 komente

Lubjana është një nga kryeqytetet më të vogla në Europë, e megjithatë nuk ka asgjë për t’u pasur zili atyre më të mëdha. Përkundrazi, pikërisht kjo karakteristikë e bën atë të veçantë. Qendra e saj historike, e kuruar në detajet më të vogla, ruan një elegancë si në librat me histori, por të kohërave të tjera… Le ta zbulojmë..!

Kështjella mbizotëron qendrën historike nga maja e kodrës. Lumi i saj i gjatë është romantik e i gjallë në të njëjtën kohë, ashtu si urat e shumta. Prekja e modernitetit ndihet në tregjet (shpesh gastronomike), ndërtesat e restauruara në stile të larmishme, gjelbërimi dhe dulcis in fundo (së fundmi) një mori baresh e lokalesh. Janë të gjitha arsyet që edhe ju të dashuroheni marrëzisht!

 

Zemra mesjetare e Lubjanës

Katedralja Shën Nikolla, foto Dunja Wedam

Gjithçka duket sikur ka dalë nga një libër i një kohe të largët. Nuk mungojnë krijesat mitologjike, dragonjtë simbol të qytetit të cilët, ende sot, ruajnë urën me të njëjtin emër. Duke ecur nëpër rrugicat e pjesës më të vjetër, asaj mes Lubjanikës dhe kodrës, nuk mund të thuhet se ky qytet është thjesht mesjetar. Stili barok mbizotëron në mënyrë të padiskutueshme. Nga Katedralja Shën Nikolla, te shatërvani Robba e deri te Harqet e Plečnik.

Harqet e Plečnik

Lubjana e Jože Plečnik

Ishte arkitekti i madh Jože Plečnik i cili projektoi Lubjanën moderne, duke u frymëzuar nga Athina e lashtë. Për këtë arsye nuk duhet të befasoheni nëse qendra e qytetit është një ndërthurje e elementeve klasike, me kolona dhe parmakë në çdo cep.

Tromostovje, foto Dunja Wedam

Përveç zonës afër lumit, e cila përfshin brigjet dhe shumë ura (ndër to edhe Tromostovje – një grup prej tre urash përgjatë lumit Lubjanika), merita i takon Jože Plečnik për projektimin e disa prej ndërtesave më të rëndësishme të qytetit dhe restaurimit të atyre ekzistuese. Biblioteka Kombëtare dhe tregu kryesor, ndoshta më shumë se të tjerët, përfaqësojnë më së miri, punën e tij të jashtëzakonshme.

 

Zemra moderne e qytetit

Pikërisht Tromostovje (Tri Urat) ndan pjesën mesjetare të qytetit nga ajo moderne. E nëse kështjella mbizotëron në të parën, Sheshi Prešeren është padyshim, zemra e së dytës. Statuja e poetit të famshëm slloven është pak metra larg Kishës Françeskane të Lajmërimit (The Franciscan Church of the Annunciatio) e cila me muret në ngjyrë të kuqe përfaqëson një ndër atraksionet më të njohura dhe të fotografuara të qytetit.

Sheshi Prešeren dhe Kisha Françeskane e Lajmërimit

Aty pranë është edhe Sheshi i Kongresit, – vendi më përfaqësues – këtu, përveçse ndodhen ndërtesa të mëdha me vlerë kulturore (ndër to, edhe ajo universitare), është bërë edhe historia e vendit që prej vitit 1918, me shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Austro-Hungareze.

Sheshi i Kongresit

Në bregun e majtë të lumit Lubjanika ndodhen edhe disa prej muzeve më të rëndësishëm, si Galeria Kombëtare, Muzeu Kombëtar Sloven, Muzeu Qytetar dhe Muzeu i Shkencave Natyrore. Nuk mund të lëmë pa përmendur, mushkërinë e gjelbër të kryeqytetit, Parkun Tivoli, që për ta vizituar do të duhej një ditë e tërë. Në vitin 2016, Lubjana u zgjodh kryeqyteti i gjelbër i Europës dhe gjatë kohës ka fituar shumë çmime për angazhimin drejt turizmit të qëndrueshëm.

Parku Tivoli

Do të ishte e gabuar të mendonit se Lubjana është thjesht një qytet i vogël me peizazhe si kartolinë. Disa dhjetëra metra larg qendrës ka disa zona që në të kaluarën kanë qenë fabrika apo kazerma ushtarake. Ndër më të rëndësishmet përmendim Metelkova, sot qendër kulturore dhe sociale autonome – ku çdo sipërfaqe është mbuluar me ngjyra, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për grafite, mozaikë apo statuja ‘të veçanta’.

Metelkova

Shumë e konsiderojnë këndin trasgresiv dhe të pavarur të qytetit, por në të vërtetë, është shndërruar në një atraksion turistik. Diskutimi ndryshon për ish-fabrikën e biçikletave ROG, sot e shndërruar në një qendër aktivitetesh të ndryshme.

Me pak fjalë, Lubjana është një destinacion për të mos u humbur. Dhe këtë do ta kuptoni teksa ecni, pa nxitim, duke u ndalur herë pas here e duke shkrepur foto – do të mbeteni gjithnjë me kokën lart dhe do të shtangeni, në çdo gjë që do të shihni.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of